MARJO BRAKAJ
Dita e Verës nuk e kishte gjetur kurrë Tiranën, të paralizuar si sot. Në ditën e dytë të masave drastike, qeveria përshkallëzoi kufizimet me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit “COVID-19”. Kryeministri Rama njoftoi sot kufizimin e lëvizjes përgjatë Parkut të Liqenit Artificial, qëndrimit në parqe duke rikërkuar kufizimin e lëvizjes së automjeteve pa tagër shtetëror.
Dita e dytë e masave drastike të marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit “COVID-19” e gjen vendin në shtetrrethim total. Deri më tani 38 persona kanë rezultuar pozitiv ndaj COVID-19 nga 505 analiza që janë kryer në total. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri sot thirrje publike për mjekët, infermierët dhe studentët e mjekësisë që t’i bashkohen “luftës” ndaj koronavirusit “COVID-19”. Policia e Shtetit njoftoi se prej orës 06:00 të datës 13.03.2020, deri në orën 06.00 të datës 14.03.2020 janë ndërshkuar 745 drejtues mjetesh, të cilët nuk kanë respektuar urdhrin e dhënë për ndalim qarkullimi të automjeteve, në qytetet Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Elbasan, Lezhë e Shkodër.
“Faktoje” ishte në disa prej zonave më të frekuentuara në kryeqytet. Shumica e qytetarëve janë sensibilizuar me kërkesat për të mos lëvizur me automjete private, të mos grumbullohen në ambiente publike apo të mos dalin nga banesat pa arsye “jetike”.
Policia e Shtetit, përveç postblloqeve në akset kryesore, kishte ngritur pika të shumta kontrolli edhe në brendësi akseve rrugore në lagje.
Policia e Shtetit, postbllok për kontroll
Forca të Policisë së Shtetit ishin prezente përgjatë Parkut të Liqenit Artificial me qëllim këshillimin dhe ndalimin e personave që kishin dale për shëtitje.
Diga e Liqenit Artificial
Hyrja e Gardës së Republikës
Akset kryesore rrugore ishin “braktisur”. Në to shihen vetëm autoambulanca, makina të Policisë së Shtetit apo automjete me shërbime të veçanta.
Kryqëzimi pranë QSUT
Në lagje lëvizjet ishin të pakta. Kryesisht qytetarët kishin dalë për blerje të produkteve ushqimore dhe kryesisht fruta dhe perime.
Tregu i fruta-perimeve, Don Bosko
Por, kishte edhe nga ata që kishin zgjedhur t’i bashkoheshin bisedave në grup. Kryesisht persona të moshës së tretë që qëndronin në parqet e lagjeve.
Qytetarë në park, Laprakë
Qarkullimi ai automjeteve, me përjashtim të disa të “pabindurve” dhe atyre zyrtare dhe me nevoja të veçanta, kishte ndalur. Në rrugët e kryeqytetit shihen disa autobusë të transportit urbqn që çojnë mjekët dhe infermierët drejt spitaleve.
Transporti i mjekëve dhe infermirëve dhe zyrtarëve shtetërorë
Ndër ata që nuk pranonin “vetëizolimin” ishin pjesëtarët e komunitetit rom, të cilit ishin në kërkim të “bukës së gojës”, në koshat e plehrave.
Kosha plehrash
“Faktoje” shkoi edhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Perimetri i sigurisë i vendosur nga policia nuk lejonte askënd përveç mjekëve t’i afrohej Spitalit Invektiv.
Spitali Infektiv, QSUT