.

.

BallinaProjekteQendra Kundër Dezinformimit e Ballkanit PerëndimorPërse janë të paqëna paralajmërimet për luftë midis Kosovës dhe Serbisë

Përse janë të paqëna paralajmërimet për luftë midis Kosovës dhe Serbisë

Mosmarrëveshjet për çështjen e lejimit të targave në kufirin Serbi-Kosovë, ushqyen mediat shqipfolëse sidomos muajt e fundit me lajme se lufta ishte në prag. Faktoje sjell një analizë mbi pavërtetësinë e këtyre lajmeve, siç ishte ai për datën 1 shtator, dhe pse në thelb nuk ka munguar tendenca e politikës serbe për të ndezur gjakrat, sidomos në Veri të Kosovës. Fakt është se pavarësisht deklaratave nxitëse, diplomacia ka thënë fjalën e fundit duke ‘shkurajuar’ skenarët e luftës.

Barbara Halla

Këmbanat e luftës kumbojnë në mediat shqiptare dhe serbe sa herë që qeveritë e Serbisë dhe Kosovës (sidomos kësaj të fundit) shpallin implementimin e një ligji të ri, i cili ka për objektiv lëvizjen ose shkëmbimet midis të dyja vendeve.

Burim: Gazeta Shqip

Burim: Syri.net

Rasti më i fundit qe ai i letërnjoftimeve. Në qershor 2022, qeveria e Albin Kurtit miratoi një ligj për masa të mëtejshme reciprociteti me Serbinë. Sipas atij ligji, që nga data 1 korrik, qytetarët serbë me dokumenta serbe do të ishin të detyruar të pajiseshin me letërnjoftime nga Kosova ndërsa hynin në territorin e kësaj të fundit. Kjo përfshinte po ashtu qytetarët serbë të Kosovës së veriut, të cilët shumë shpesh kanë vazhduar të mbajnë targa dhe dokumente serbe pavarësisht faktit se jetojnë në Kosovë. Ky vendim i qeverisë kosovare shkonte paralelisht me politika identike të vëna në praktikë nga qeveria serbe për udhëtarët nga Kosova.

Qeveria e Kosovës i deklaroi planet e veta në fillim të qershorit, me synimin që kjo masë të implementohej më datë 1 korrik. Reagimet e ashpra nga ana e Presidentit serb Aleksandar Vuçic dhe thirrjet e tij ndaj popullsisë serbe të Kosovës ndezën gjakrat në veri, dhe me ndëryrjen e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, ky vendim u shty për datën 1 shtator. Në dy muajt në vijim, të dyja palët u takuan në Bruksel ku me datë 27 gusht arritën një marrëveshje pozitive për Kosovën: që nga data 1 shtator, udhëtarët nga Kosova nuk do të jenë të detyruar të pajisen me letërnjoftime serbe në kufi. Si pasojë, Kosova nuk do të implementonte ligjin mbi letërnjoftimet në qershor të këtij viti.

Megjithatë, në periudhën midis ditës kur u arrit marrëveshja dhe ditës së implementimit (pra 1 shtatorit), mesazhet alarmuese nuk munguan nëpër mediat shqip-folëse.

Burim: Bota Sot

Edhe mbrëmjen e 31 gushtit, pati lajme që flisnin për stërvitje ushtarake në kufirin Serbi-Kosovë të cilat u konsideruan si të rrezikshme. Kjo edhe pasi Ministria Serbe e mbrojtjes lëshoi një deklaratë paraprake ku shpjegonte se këto ushtrime ishin rutinë dhe ndodhnin çdo vit.

Burim: Gazeta Tema

Por mëngjesi i 1 shtatorit i gjeti kufinjtë midis Kosovës dhe Serbisë të qetë. Reportazhe nga terreni nëpër media si Radio Evropa e Lirë apo Klan Kosova treguan se ndryshimi u bë në mënyrë të menjëherëshme dhe kryesisht pa probleme. Një konflikt tjetër i paralajmëruar, por nuk u kthye në realitet.

Burim: Klan Kosova

Burim: Radio Evropa e Lirë

Një luftë e paralajmëruar

 Lajme që Serbia dhe Kosova janë në prag lufte nuk janë një fenomen i ri. Ekziston një histori relativisht e gjatë e situatës së përshkruar mësipër: qeveria e Kosovës zbaton një ligj të ri, Serbia reagon, mediat flasin për konflikt me armë apo edhe luftë, ndërsa palët dërgohen me shpejtësi në Bruksel për dialog. Marrëveshje të ndryshme arrihen, disa më përfundimtarë se të tjerat dhe gjakrat ulen. Edhe në rasten e marrëveshjeve jo përfundimtare, përfitohen shtyrje të ndryshme dhe situata rrallëherë përshkallëzohet, dhe asnjëherë deri më tani nuk ka përfunduar në luftë.

Burim: Gazeta Tema (Lajm i 15 janarit 2017)

Një shembull konkret i skenarit të mësipërm ndodhi në shtator të 2021, kur qeveria e Kosovës vendosi të kërkonte targa kosovare për makinat serbe. Situata u përkeqsua me një herë: Vuçic çoi ushtrinë në kufirin me Kosovën dhe i bëri thirrje serbëve të Kosovës për rezistencë. Disa zyra regjistrimi në veri të Kosovës u shkrumbuan nga bomba të krijuara me mjete rrethanore dhe gjëndja u vendos prapë në rregull vetëm pas arritjes së një marrëveshjeje 6-mujore midis palëve në Bruksel. Kur marrëveshja arriti datën e skandencës në Prill, ajo u shty pas një takimi tjetër po në kryeqytetin e Belgjikës.

Në këto raste, të shumta qenë mediat të cilat ranë pre e retorikës së Vuçiç, duke lexuar në veprimet e tij shenjat e një lufte të paralajmëruar dhe të pashmangshme.

Burim: Pamflet

 Megjithatë, mediat që shkruajnë për konflikte të mundshme të armatosura midis Serbisë dhe Kosovës nuk janë tërësishtë të pabazuara. Në fakt, shpesh ato po ndjekin mesazhet e nxjerra nga qeveritë përkatëse të cilat flasin për një përshkallëzim të situatës (në rastin e Kosovës) ose për një reagim të fortë (në rastin e Serbisë). Të dyja palët e kanë akuzuar tjetrën se janë të gatshme të krijojnë situata që provokojnë luftë, të cilat më pas pasqyrohen nga mediat vendase dhe rajonale edhe kur pasojat janë të papërfillshme dhe aspak të dhunshme.

Burim: Euronews

Burim: Gazeta Shqip

Në rastin e Serbisë, Presidenti Aleksandar Vuçiç e përdor shpesh luftën si kërcënim ndaj veprimeve të qeverisë kosovare. Këto kërcënime janë shtuar që me ardhjen në pushtet të qeverisë së Albin Kurtit e cila ka një politikë të fortë të qëndërsuar tek njohja e pavarësisë së Kosovës. Kjo konsiderohet më e rëndësishme sesa dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, e cila në disa raste kërkon lëshime që cënojnë këtë pavarësi dhe integritetin e saj. Kërkesa për njohjen e targave dhe letërnjoftimeve të lëshuara nga Kosova, nuk është thjesht çështje logjistike: në disa aspekte, ajo përbën një njohje të legjitimitetit të dokumentave të lëshuara nga Kosova si shtet i pavaruar.

Si në rastin e shtatorit 2021 dhe në verën e vitit 2022, kërcënimet e Vuçiç u treguan boshe. Patjetër, ai qe i gatshëm të sillte si tanke dhe avion luftarak në kufirin me Kosovën, si dhe të kërcënonte paqen në vend përmes mobilizimit të serbëve të veriut të vendit. Megjithatë, rezultatet qenë të njejta. Një hetim i BIRN ka treguar se në këto dy vitet e fundit, Vuçiç ka folur shpesh për faktin se Serbia është e gatshme të reagojë për të mbrojtur kufinjtë, apo ka bërë deklarata të tjera propagandistike kundër qeverisë së Kosovës. Por asnjë nga kërcënimet e tij, apo parashikimet katastrofike, nuk kanë rezultuar të vërteta.

Roli i KFOR dhe Paqja në Kosovoë

Më 9 qershor 1999, Serbia firmosi marrëveshjen e Kumanovës që i dha fund Luftës së Kosovës – mbas më shumë se 18 muajsh luftime, mbi 8,600 shqiptarë të vrarë ose zhdukur dhe zhvendosjen e 90% e popullsisë shqiptare të Kosovës. Kjo marrëveshje, për më tepër, përmban dy pika që ruajnë sigurinë e Kosovës: ajo përcakton një zonë sigurie prej 25 km nga ajri dhe 5 km tokësore. Forcave serbe nuk u lejohet të kalojnë këtë vijë pa lejen e KFOR, ushtrisë paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë. Për më tepër, vetë KFOR-i është e autorizuar të përdorë forcën në rastet kur paqja e zonës është në rrezik. Edhe pse Kosova nuk bën ende pjesë në NATO, një sulm ndaj saj do të vinte në veprim forcat e NATO-s që janë vendosur në Kosovë pikërisht për të ruajtur paqen.

Siç e ka shpjeguar edhe Una Hajdari, një gazetare që është eksperte në çështjet e Ballkanit Perëndimor dhe ato të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tensionet në veri të Kosovës nuk mungojnë. Por ato nuk janë shenja lufte, sadoqë Rusia mund të ketë një interes në Serbi, apo Vuçiç i përdor serbët e Kosovës për interesat e veta politike. Realiteti është se deri më tani, të gjitha çështjet teknike – edhe ato pa një zgjidhje përfundimtare – kanë përfunduar në tryezën e Brukselit dhe jo në konflikte të armatosura. Serbia, dhe sidomos Vuçiç, janë mëse të ndërgjegjshëm që një pushtim i Kosovës nuk do të ndodhte dot nga sot nesër, duke marrë parasysh prezencën e KFOR në kufi.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img