EDIT NIKOLLI
Shqiptarët, populli më i varfër, por që paguan më shtrenjtë për produktet, kategorizohen rrjedhimisht edhe më të pakënaqurit në Ballkan dhe Europë, kur vjen fjala tek mirëqenia dhe situata ekonomike. Dy ekspertë të ekonomisë argumentojnë arsyet e kësaj pakënaqësie dhe pesimizmi për të ardhmen.
Një anketë e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal konstatoi se shqiptarët janë populli me pamundësitë më të mëdha për të paguar faturat mujore të dritave dhe ujit, qiranë, ushqimet e nevojshme apo ngrohjen. Shqiptarët rezultojnë po ashtu me vështirsi apo pamundësi në shlyerjen e kredive. Sipas anketës, 16 për qind e shqiptarëve pohojnë se gjenden në pamundësi për të paguar kreditë.
Sa i takon situatës financiare në 12 muajt në vazhdim, rezulton se 18 për qind e shqiptarëve parashikojnë me pesimizëm të ardhmen e ekonomisë, ndërsa 54 për qind nuk presin asnjë ndryshim. “Optimistët” përbëjnë vetëm 25 për qind të të anketuarve.
Shqiptarët rrjedhimisht rezultuan edhe si populli më i pakënaqur për sa i përket situatës ekonomike, çka konfirmohet edhe nga një studim i Barometrit për Ballkanin.
Shqipëria është liderja rajonale në përqindje e atyre që janë të palumtur, plot 42 për qind e popullatës, teksa në Kosovë, më pak se një çerek apo 23 për qind e të anketuarve janë të pakënaqur – thuhet në publikimin e Barometrit për Ballkanin.
Duke renditur problematikat që shqetësojnë vendet, që nisnin nga papunësia te korrupsioni, mbrojtja e natyrës dhe trashëgimia, Barometri i Ballkanit tregon se papunësia dhe zhvillimi ekonomik paraqiten ndër më shqetësuesit. Korrupsioni ndërkohë renditet i treti, por prevalenca e tij në rajon po rritet dhe në anketën e fundit rezulton me një rritje me 31 për qind më shumë në raport me atë të vitit 2018.
I pyetur nga “Faktoje” sesi i percepton raportimet për nivelin e lartë të varfërisë, për pagesën e çmimeve të larta dhe rrjedhimisht pakënaqësinë dhe pesimizmin e shqiptarëve për ekonominë në të ardhmen e afërt, eksperti i ekonomisë Dritan Shano thekson: Ekonomia shqiptare është e prapambetur, e pazhvilluar dhe e atomizuar skajshëm. Arsyeja se pse shqiptaret paguajnë më shumë, është se TVSH mblidhet në doganë, duke paracaktuar çmimet dhe duke e ulur tej mase fleksibilitetin e tregut. Varfëria nuk është shkak, është pasojë. Është simptomë e strukturës së prapambetur të ekonomisë shqiptare dhe institucioneve të dobëta të ekonomisë së tregut.
Z.Shano vlerëson se ekonomia e vendit tonë është më pak produktivja në Europë dhe rajon, më pak e zhvilluara teknologjikisht. Ai e vendos theksin tek gjendja kritike e shtresave në nevojë për të cilat thotë se ndihmesa e tyre është detyrim ligjor, dhe se qeveria nuk mund t’i shmanget përmes vonesave dhe selektivitetit. Këshilla e tij për qeverinë është: Duke qenë se këto kohë qeveria ka marrë shumë borxh, gati 1 miliard Euro, mendoj se këto para duhet të shkojnë në sektorë produktivë.
Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa, e argumenton pesimizmin e shqiptarëve për të ardhmen duke sjellë në vëmendje kategorinë e personave që jetojnë nën minimumin jetik, çështjen e pagave të ulëta dhe tregues të tjerë që ilustrojnë këtë perceptim.
Pothuajse gjysma e popullsise së vendit (46%) jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë për person. Gati gjysma e të punësuarve në ekonomi raportojnë paga nën 30,000 lekë në muaj. Gati 35 përqind e të punësuarve janë në informalitet, më shumë se gjysma e pensionistëve në vend përfitojnë pensione minimale, deri në 100 dollarë – u shpreh Xhepa.
Ai thekson se tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia “Covid-19”e përkeqësuan ndjeshëm situatën ekonomike për shqiptarët.
Tërmeti la pa strehim mijëra familje të varfëra dhe që vazhdojnë të jenë në kushte shumë të vështira jetese. Pandemia gjithashtu ka lënë pa mjete jetese grupet më vulnerabël të shoqërisë – shtoi Xhepa, për “Faktojen”.