Pretendimi: Kamala Harris nuk mund të bëhet presidente e ShBA sepse nuk ka kombësi amerikane

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————

Pasi presidenti amerikan Joe Biden shpalli se nuk do të garojë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2024, duke shprehur mbështetje për kandidaturën e zv.presidentes Kamala Harris, në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se Harris nuk mund të jetë presidente e ShBA sepse ajo nuk ka nënshtetësi amerikane.

Hedhja e dyshimeve mbi nënshtetësinë apo vendlindjen e një kandidati për president të ShBA është një fenomen i përsëritur. 

Pretendimet se ai nuk kishte lindur në ShBA përndoqën ish-presidentin Obama gjatë gjithë kandidaturës dhe mandatit 8-vjeçar. Këto pretendime u shpërndanë edhe nga pasuesi i tij, ish-presidenti Trump, i cili do të rikandidojë në zgjedhjet e nëntorit 2024, me gjasa kundër Kamala Harris. Megjithatë, përpara kandidimit të tij në zgjedhjet presidenciale të 2016 Trump më në fund pranoi se Obama kishte lindur në ShBA.

Në 2020, përpara zgjedhjeve presidenciale, Trump iu rikthye taktikës së ‘vendlindjes’ duke thënë se “kishte dëgjuar se” Kamala Harris “nuk është e kualifikuar” për të qenë zëvendëspresidente. Vlen të përmendet se si Obama dhe Harris janë njerëz me ngjyrë.

Sa i përket pretendimit se Kamala Harris nuk ka nënshtetësi amerikane, ai është qartazi absurd. 

Kamala Harris ka shërbyer si zëvendëspresidente e ShBA për 4 vite, nga 2020 në 2024. 

Kriteret për t’u bërë zëvendëspresidente janë të njëjta si ato për t’u bërë presidente: të jesh shtetase e lindur në ShBA, të jesh mbi 35 vjeç, dhe banues në ShBA për të paktën 14 vjet. 

Kështu, nëse Harris nuk do t’i përmbushte kriteret për të qenë presidente, ajo nuk do të kishte shërbyer si zv. presidente për 4 vitet e fundit.

certifikatën e saj të lindjes, parë nga Associated Press, përcaktohet se Harris ka lindur më 20 tetor 1964 në Oakland, Kaliforni, ShBA. Nëna e saj, një shkencëtare nga India, dhe i ati, një ekonomist nga Xhamajka, u takuan si studentë në UC Berkeley.

Sipas amendamentit të 14 të Kushtetutës amerikane, çdokush që ka lindur në territorin e ShBA konsiderohet shtetas amerikan dhe mund të shërbejë si president apo zv. president.