Treni në fushën e përmbytur nuk tregon pasojat e pompimit të ujit të detit nga ushtria izraelite në tunelet e Hamas. Verifikimi i Faktoje zbuloi se video që po qarkullon online tregon përmbytjet në New Jersey pas stuhisë “Ida”, në 2021. Ndërkaq, përmbytjet e tuneleve rrezikojnë të përkeqësojnë më tej mungesën e ujit të pijshëm në Gaza.

——————————

Video e një treni në një fushë të përmbytur po shpërndahet me pretendimin se tregon trenin që lidh qytetet Sderot dhe Ashkelon në Izrael. Sipas postimeve në rrjete sociale, përmbytja në video është shkaktuar nga uji që ushtria izraelite ka pompuar në tunelet e Gazës.

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video që po qarkullon në rrjet është postuar fillimisht në YouTube më 26 shtator 2021.

Sipas përshkrimit që shoqëron videon e postuar në YouTube, ajo tregon përmbytjet në shtetin amerikan të New Jersey.

Në fakt, në Shtator 2021, stuhia tropikale Ida goditi shtetin e New Jersey duke përmbytur lagje, rrugë dhe parkinge nëpër gjithë zonën përgjatë lumit Raritan.

Gjasat janë që treni në video është një tren i kompanisë NJ Transit, i cili ngeci në ujë dhe bllokoi një portë vërshimi në Bound Brook.

Në 13 dhjetor 2023, gazeta amerikane The Wall Street Journal raportoi se ushtria izraelite ka filluar të pompojë ujë deti në sistemin e tuneleve nëntokësore të Hamas në Gaza. Kjo taktikë ka për qëllim të shkatërrojë tunelet, të cilat Izraeli beson se kanë qenë kyç për operimin e Hamas.

Kritikë të kësaj taktike, që përfshijnë edhe një sërë zyrtarësh të administratës Biden, kanë shprehur shqetësimin se ajo do të krijojë një katastrofë mjedisore dhe do të përkeqësojë situatën me ujin e pijshëm në Gaza.

Në Gaza jetojnë mbi 2 milionë persona, dhe rripi është një nga vendet me popullsinë më të dendur në planet. 

Rripi furnizohet me ujë të ëmbël vetëm nga një akuifer i cekët që shtrihet paralel me bregun e detit Mesdhe. Pompimi i tepërt i ujit nga ky akuifer ka sjellë uljen e nivelit të ujërave nëntokësore deri në atë pikë sa uji i detit ka hyrë në akuifer dhe është përzier me atë pak ujë të ëmbël që ka mbetur në të. Cilësia e ujit të akuiferit është përkeqësuar edhe më tej nga përzierje me ujëra të zeza dhe rrjedhjet e kimikateve bujqësore.

97% e ujit të pijshëm në Gaza nuk i përmbush standartet e cilësisë së ujit të vendosura ngqa Organizata Botërore e Shëndetit (OBSh).