Pandemia Covid-19 ka çuar në mbylljen e dhjetëra klasave në shkollat e vendit, gjë që konformohet për Faktojen zyrtarisht nga 2 ministri, paçka se në përgjigje të vonuara dhe pas ankimimit te Komisioneri. Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë, konfirmuan se deri në fund të dhjetorit 2021, në gjithë vendin u mbyllën 43 klasa dhe 16 shkolla. Gjithashtu theksohet se në periudhën shtator-dhjetor të viti të kaluar kanë rezultuar pozitiv me Covid, 2249 nxënës dhe 1038 mësues.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi u bëri apel nxënësve të respektojnë masat anti-Covid, një ditë para rikthimit të tyre në shkolla pas festave të funditit.
“Dua t’ju kujtoj edhe një herë që të kemi kujdes të shtuar për higjienën dhe të gjitha masat kundër pandemisë. Shkollat e hapura dhe mësimi në prezencë fizike kërkon vëmendjen dhe përgjegjësinë e të gjithëve bashkë”, deklaroi ministrja Evis Kushi më 4 janar.
Por, si është situata në shkollat e vendit për shkak të pandemisë Covid-19? Në lidhje me këtë çështje, Faktoje i ishte drejtuar me një kërkesë për informacion dy institucioneve përgjegjëse, Ministrisë së Arsimit e Sportit dhe asaj të Shëndetësisë që më 14 dhjetor 2021.
Ne morëm një përgjigje nga Ministria e Arsimit më 6 janar, pas ankimimit të bërë në adresë të Komisionerit Për të Drejtën e Informimit.
Kërkesa për informacion dërguar MASR, 14 dhjetor 2021
Në përgjigjen zyrtare, MASR bën të ditur për Faktoje se gjatë këtij viti shkollor, në institucione të ndryshme arsimore ka pasur klasa të mbyllura si rezultat i rasteve në nxënës të konfirmuar me Covid -19. Sipas MASR, këto klasa janë mbyllur përkohësisht për një periudhë 10-14 ditë, me vendim të ISHSH, Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor.
“Për periudhën nga shtatori 2021-deri më 15 dhjetor 2021 janë mbyllur në rang vendi 70 klasa mësimore të cilat janë raportuar nga Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar Tiranë, Kavajë, Kamzë, Durrës, Lezhë, Vlorë-Himarë, Mallakastër dhe Selenicë. Këto klasa kanë qëndruar të mbyllura dhe kanë zhvilluar mësimin online për një periudhë 10-14 ditë dhe më pas janë rikthyer në kushte normale të zhvillimit të mësimit.
Deri me 15 dhjetor janë vetëm 2 klasa të mbyllura dhe po zhvillojnë mësimin online, përkatësisht: 1 klasë në Tiranë, në shkollën ‘Ismail Qemali’ dhe 1 klasë në Lushnjë në shkollën ‘Todi Çerma’ Krutje. Këto klasa kanë qëndruar të mbyllura për periudhën 14-28 dhjetor sipas vendimit të ISHSH, Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor”- sqaron MASR.
Në përgjigjen zyrtare sqarohet se 95% e mësuesve janë të vaksinuar me të dyja dozat ndaj Covid 19.
“Janë vetëm 5% të pavaksinuar, 1900 mësues që nuk janë vaksinuar për arsye shëndetësore ose sepse e kanë kaluar Covid-in tani afër.
Ne konstatojmë se numri i mësuesve që mungojnë është shumë më i ulët se një vit më parë, ku për të plotësuar nevojat për mësues u miratua kuota me 1000 mësues me kontratë dhe nuk ka qenë e nevojshme përdorimi i kësaj kuote”- njofton Ministria e Arsimit.
Në lidhje me situatën e Covid-19 në shkolla, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe morëm një përgjigje nga ky institucion më 7 janar, pas ankimimit të bërë te Komisioneri Për Të Drejtën e Informimit. Zyrtarisht MSH thekson se në periudhën shtator-22 dhjetor kanë rezultuar pozitiv me Covid 2249 nxënës dhe 1038 mësues.
“Gjatë vitit shkollor 2020-2021 dhe 2021-2022 ka pasur mbyllje të klasave, pasi nxënësit dhe mësuesit kanë rezultuar të infektuar me Covid. Janë mbyllur në të gjithë vendin 43 klasa dhe të gjitha klasat e 16 shkollave. Këto masa janë marrë në qarqe të ndryshme si Fier, Durës, Gjirokastër, Tiranë, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Lezhë, Dibër”-sqaron MSH.
Përgjigja e MSH për Faktoje, 7 janar 2021