Moli i ri në hyrje të Shkodrës ishte pjesë e premtimeve të kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci.

“Do të jetë një mol i cili ka mundësi të parkohen varkat. (…)Idea është që ne ta bëjmë të lundrueshëm.”, premtonte Beci gjatë fushatës elektorale.

Projekti me vlerë 1,2 milionë euro i financuar nga Bashkimi Evropian përfshinte rehabilitimin e molit si dhe ndërtimin e një platforme lundruese.

Shkelje afatesh

Punimet për molin e ri në Shkodër duhet të përfundonin fundvitin e kaluar. Projekti i cili duhet të ishte mbyllur për tre muaj, mori 1 vit kohë. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si njësia zbatuese e projektit, argumenton se vonesat lidhen me dy arsye. Vitin e shkuar, Bashkia e Shkodrës kërkoi disa ndryshime në projekt të cilat ndikuan grafikun e punimeve. Po ashtu“vështirësitë e krijuara nga kushtet atmosferike kanë ndikuar në realizimin e grafikut të punimeve.”, thotë Fondi i Zhvillimit.

Fakt

Punimet për t’i dhënë jetë molit të ri në Shkodër nisën verën e vitit 2023. Një vit më vonë,Fondi Shqiptar i Zhvillimit thotë për Faktoje se punimet për rehabilitimin e molit kanë përfunduar.

“…është kryer dorëzimi i përkohshëm tek përfituesi i këtij investimi, Bashkia Shkodër.”, shprehet FSHZH.

Faktoje udhëtoi drejt Shkodrës këtë muaj, për të verifikuar nga afër investimin. Më 17 shtator, punimet për molin e ri pranë urës së vjetër të Bunës kishin përfunduar.

Megjithatë, moliiI ri ende nuk është vënë në dispozicion të qytetarëve shkodranë ndonëse FSHZH e ka dorëzuar projektin e përfunduar pranë Bashkisë.

Moli pranë Urës së vjetër të Bunës, është moli i tretë që u ndërtua në brigjet e Liqenit të Shkodrës dhe në Lumin Buna, pas atyre në Shirokë dhe Zogaj. Këto investime me financim nga Bashkimi Evropian, synojnë të rikthejë lundrimin në lumin Buna dhe gjithashtu të zhvillojnë turizmin ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Përfundim

Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi në terren, premtimin e kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për molin e ri në qytet, e vlerësojmë të mbajtur.

“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.