.

.

BallinaPertejPërdorimi masiv i shishës vë në lëvizje Qeverinë dy javë pas investigimit të “Faktoje”

Përdorimi masiv i shishës vë në lëvizje Qeverinë dy javë pas investigimit të “Faktoje”

MERXHAN DACI

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu lajmëroi sot në një dalje për mediat nismën e re për të ndryshuar Ligjin aktual të Duhanit duke shtrënguar masat kundër abuzimit me metodat e reja të duhanpirjes ku përfshihet edhe shisha.

Produktet novatore të duhanit që kanë hyrë së fundmi në tregun shqiptar dhe që kanë qenë tërësisht të parregulluara, si cigarja elektronike dhe duhani me ngrohje do të konsiderohen produkte duhani dhe do të trajtohen si të tilla”, tha Manastirliu duke shtuar se ministria është e vendosur për të dekurajuar përdorimin e duhanit në çdo formë.

Ajo po ashtu tha se me anë të këtyre masave ministria synon të mbrojë të rinjtë dhe adoleshentët nga këto produkte që kanë shkallë të lartë varësie.

Në frymën e Direktivës së BE si dhe Konventës Kuadër të OBSH për kontrollin e duhanit, me ndryshimet e pritshme ligjore, do të ndalohet duhanpirja në ambientet e mbyllura edhe për duhanin me ngrohje, cigaren elektronike dhe shisha/nargjile. Gjithashtu do të largohen nga tregu paketat me 10 cigare si dhe cigaret me shije karakteristike, u shpreh Manastirliu.

Ministrja deklaroi se nëse një subjekt shkel dy herë rresht brenda dy muajve ligjin që ndalon pirjen e duhanit në ambiente të brendshme, gjoba do të jetë sa dyfishi i gjobës së parë. Nëse e përsërit të njëjtën shkelje brenda një afati 1 vjeçar gjobitet me 6-fishin e gjobës dhe i pezullohet aktiviteti.

“Faktoje” publikoi para dy javësh një investigim që tregonte se si të miturit konsumonin në mënyrë masive dhe abuzive shisha, në bare ku për ironi ka tabela që ndalojnë duhanin por ku lejohet tymosja e shishës pa limit. Investigimi solli dëshminë e një nxënësi të klasës së 7 në Tiranë, i cili mund të frekuentonte rregullisht këto ambiente pa i kërkuar askush moshën por përkundrazi i këshillonin se cilën lloj shishe të konsumonte.

Mjekët toksikologë dhanë alarmin, të bazuar në studime, sesa e dëmshme është shisha për shëndetin, sidomos për të miturit duke bërë thirrje për ndalimin e qasjes së tyre ndaj këtyre ambIenteve, njëlloj siç veprohet për duhanin.

Redaksia e “Faktoje” do të monitorojë procesin që do ndjekë kjo nismë e domosdoshme ligjore dhe nëse masat e reja shtrënguese në lidhje me konsumimin e shishës do të vihen në zbatim.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img