.

.

BallinaPremtimePër 22 km Bypassi i Fierit mbetet ende tek lista e premtimeve të pambajtura

Për 22 km Bypassi i Fierit mbetet ende tek lista e premtimeve të pambajtura

ANXHELA RUÇI

Për 22 km rrugë me katër korsi dhe tri ura për By-passin e Fierit, në gjashtë vite, më shumë se punë janë bërë premtime të vazhdueshme e sot janë ende të pambajtura. Nëse çdo vit do të shtrohej 3.6 km rrugë, aktualisht në vitin 2018 Fieri do të ishte me një By-pass të ri dhe funksional.

Për këtë aks që do të lidhë rrugën nacionale Levan-Vlorë me atë të Lushnje-Fier është filluar të flitet që në vitin 2012-të, kohë kur edhe është hapur gara për tenderin e parë. Por në gusht të 2018-ës është hapur sërish tenderi për kompaninë që pritet të përfundojë një nga By-passet më të rëndësishme të jugut.

Kronologjia e disa premtimeve të bëra për By-passin e Fierit:

Maj 2014, Kryetari i Bashkisë Fier Baftjar Zeqo, së bashku me inxhinierin e kompanisë italiane që kishte marrë përsipër punimet e Bypassit, premtuan se pas 18 muajsh, pra diku nga dhjetori i vitit 2015-të, ky aks rrugor do të ishte i përfunduar sipas të gjitha parametrave.

14 tetor 2016, Ministri i Transporteve Sokol Dervishaj: “Unë jam shumë i kënaqur që ecuaria e këtij projekti pavarësisht që ka pasur vonesa dhe konflikte është tejkaluar dhe tani po punohet me kapacitet të plotë dhe kemi besimin e madh se ky projekt do të përfundojë në pranverën e ardhshme.” Sipas Dervishaj, në pranverë të 2017-ës, Bypassi duhet të ishte i përfunduar.

22 janar 2018,  Zv. Ministri i Infrastrukturës Artan Shkreli: “ Në prill fillon puna për Bypassin e Fierit dhe të Vlorës, nëqoftëse çdo gjë shkon mbarë, nuk e vëmë dorën në zjarr, por dëshira jonë është që në korrik Bypassi i Fierit të hapet me një korsi.”

Qershor 2018 Edi Rama- “Në shtator do të jemi gati për të filluar dhe për të mos ta ndalur më punën, në mënyrë që të kemi të përfunduar Bypassin e Fierit përpara sezonit tjetër turistik.”

Qershor 2018, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri: “Jam besimplotë që brenda këtij viti ne do të fillojmë punimet dhe në këto dy Bypasse të rëndësishme (Fier dhe Vlorë) dhe shpresojmë që vitin tjetër Bypassi i Fierit, të jetë i përfunduar ndërsa Bypassi i Vlorës do të dojë më shumë kohë.”


 

Nga mungesa e By-passit të Fierit, udhëtarët duhet t’a përshkojnë qytetin e Fierit pothuajse mes për mes. Në muajt e verës “Rruga e Levanit” është kthyer në makthin e pushuesve të cilët duhet të presin me orë të tëra për të kaluar nga Levani në Lushnjë dhe anasjelltas.

Duke qenë se saga e premtimeve vazhdon ende dhe pas gjashtë viteve, ndërtimin e BY-passit të Fierit do t’a klasifikojmë PREMTIM të PAMBAJTUR.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img