Deputeti i PD për Qarkun Elbasan, Dashnor Sula deklaroi pak muaj më parë në Kuvend se Peqini nuk ka përfituar asnjë investim. Kjo konfirmohet zyrtarisht për Faktoje nga Bashkia e Peqinit. Nga verifikimi i Faktoje, edhe në terren rezulton se pamja që ofron sot Peqini janë rrugë të shkatërruara, ndërtesa të amortizuara dhe mungesë tregjesh. 3 projektet e vetme që figurojnë si pjesë e Rilndjes Urbane janë segmenti Elbasan-Peqin, një shkollë 9-vjeçare dhe një urë, por si investim i Bashkisë Peqin.
————————————————————————
“Bashkia e Peqinit është bashkia më e diskriminuar në të gjithë qarkun e Elbasanit. Është për të ardhur keq, që në të 7 bashkitë e Elbasanit, 6 të tjerat kanë përfituar nga e famshmja Rilindja Urbane, ndërsa Bashkia e Peqnit nuk ka përfituar as edhe një qindarkë për t’u investuar për sa i përket Rilindjes Urbane”, tha ndër të tjera deputeti Sula më 9 maj, gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare.
Në lidhje me këtë deklaratë të deputetit demokrat, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Peqinit, ku e pyetëm nëse ky qytet kishte përfituar nga projekti i Rilindjes Urbane.
Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Peqin, 21 qershor 2022
Zyrtarisht na bëhet e ditur se që prej vitit 2013 nuk është zbatuar asnjë projekt në Peqin që lidhet me Rilindjen Urbane. Gjithashtu theksohet se ka një nevojë të madhe për ndërhyrje në infrastrukturën rrugore, por edhe në kopshte e shkolla.
“Në territorin administrativ të Bashkisë Peqin nga vitit 2013 e në vazhdim nuk është zbatuar asnjë projekt që lidhet me Rilindjen Urbane.
Problematikat më të mëdha që kërkojnë investim të menjëhershëm janë kryesisht në infrastrukturën rrugore, e cila është shumë e amortizuar dhe dëmtuar, veçanërisht urat mbi Shkumbin.
Problematika të tjera lidhen me rikonstruksionin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së arsimit parauniversitar (shkolla, kopshte), ndërhyrjet në rehabilitimin e fasadave të ndërtesave në qytetin e Peqinit, etj”, thekson në përgjigjen zyrtare Bashkia e Peqinit.
Përgjigjia e Bashkisë Peqin, 24 qershor 2022
Nga një verifikim i Faktoje, bazuar në studimin e publikuar të Birn mbi projektet e Rilindjes Urbane, bashkia Peqin rezulton vërtetë ndër bashkitë e diskriminuara sa i përket investimeve, me vetëm 1.6 milionë euro në krahasim me bashkitë e tjera të qarkut, përkatësisht Librazhdi 6.2 mln euro, Cërriku 3.7 mln euro, Prrenjasi 2 mln euro, Gramshi 1.9 mln euro, Belsh 3.4 mln euro.
3 projektet e vetme në kuadër të Rilindjes Urbane rezultojnë: Loti 1 i segmentit Elbasan-Peqin, Shkolla 9-vjeçare Gjocaj dhe Ura e fshatit Grykesh, ku investitor figuron vetëm Bashkia Peqin.
Projekti i parë: “Sistemim, asfaltim, ndërtim i korsisë së biçikletave dhe ndriçim i rrugës hyrëse të qytetit, Loti 1 (segmenti Elbasan-Peqin dhe unazës së qytetit)” ka një kosto prej 1.100.131 euro.
“Ky projekt është financuar nëpërmjet vendimit të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve datë 13 Qershor 2016, nëpërmjet programit të financimit të infrastrukturës vendore dhe rajonale”, theksohet për këtë projekt.
Screenshot nga studimi i Birn
Një tjetër projekt është rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare Gjocaj, me kosto 480.207 euro.
“Ky projekt është financuar nëpërmjet vendimit të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve datë 21 Mars 2017, nëpërmjet programit të financimit të arsimit dhe sportit”, thuhet në studimin e Birn.
Screenshot nga studimi i Birn, rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare Gjoçaj
Një tjetër projekt është ai për urën e fshatit Grykesh, me vlerë investimi 28.755 euro.
“Ky projekt është financuar nëpërmjet vendimit të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve datë 10 Mars 2016, nëpërmjet programit të financimit të infrastrukturës vendore dhe rajonale”, sqarohet për projektin në fjalë.
Screenshot nga studimi i Birn
Besar Likmeta, kryeredaktor i Birn thotë për Faktoje: “Bashkia Peqin ka marrë 1.6 milionë euro për tre projekte të programit të Rilindjes Urbane. Fondet për projektin e Rilindjes Urbane janë grante komkurruese që bashkitë i marrin nga Programi i Zhvillimit të Rajoneve, i qeverisë shqiptare. Bashkia Tiranë ka qenë përfituesi më i madh i programit me 32.5 milionë € dhe përfituesi më i vogël ka qenë komuna Orenjë me 33 mijë euro (programi ka filluar përpara reformës territoriale)”.
Për të parë si ishte gjendja në qytet, Faktoje udhëtoi drejt Peqinit më 22 qershor. Që në hyrje të qytetit, në rrugën që të çon drejt qendrës së Peqinit, rruga ishte gropa-gropa dhe e “arnuar” në disa pjesë të saj.
Rruga që të çon drejt qendrës së Peqinit, 22 qershor 2022
Ne pyetëm edhe qytetarë si ishte aktualisht gjendja në Peqin dhe nëse ishte investuar në qytet.
“Këtu të ikësh natën që mos të shohin se ku shkon. Të rinjtë kanë ikur dhe po ikin çdo ditë, adoleshentët po kërkojnë të ikin që tani. Rrugët janë katastrofë, si në qendër të qytetit, por edhe rruga që të çon te spitali. Nuk ka vënë dorë njeri, as nuk duan t’ia dinë. Ke një Rrogozhinë aty, të ikën truri, është bërë si Las Vegas! Nëse çdo qytet tjetër ka përparësi, Peqini është i fundit”, shprehet i revoltuar një banor.
Rruga që të çon drejt spitalit të Peqinit ishte pothuajse e shkatërruar dhe në çdo moment makina “shkundej” nga gropat e shumta.
Rrugë pranë qendrës së Peqinit, 22 qershor 2022
Tregu i Peqinit
Një prej shqetësimeve madhore që kishin qytetarët e Peqinit ishte tregu ku shiteshin produktet bujqësore dhe siguria e tyre ushqimore.
Nga verifikimi në terren konstatuam se tregtarët i shisnin frutat dhe perimet në kushte aspak higjienike, të vendosura përtokë. Shitësve iu duhej të qëndronin gjatë gjithë kohës në temperaturat e larta në këto ditë të nxehta vere dhe përpiqeshin të shmangnin sadopak vapën duke vendosur çadra plazhi.
“Kushtet e tregut? Shikojini vetë, ja ku rri shalqini, perimet, të gjitha përdhe. Nuk ka tezga për të vënë perimet”, thotë një qytetar.
Pamje nga tregu i Peqinit, 22 qershor 2022
Tregtarët ankohen se nuk ka fuqi blerëse dhe mezi arrijnë të nxjerrin të ardhura për të mbijetuar.
“Tregu i Peqnit është i varfër, nuk ka konsumatorë. Janë shumë pak blerës. Ne paguajmë 100-150 lekë për çdo ditë që dalim për të shitur”, shprehet një prej tregtarëve.
Pamje nga tregu i Peqinit, 22 qershor 2022
Edhe në qershor të vitit 2020, ngrihej shqetësimi se qyteti i Peqinit ishte nga qytetet e vetme jo vetëm në qarkun e Elbasanit, por në të gjithë Shqipërinë që nuk kishte përfituar nga rilindja urbane.
Në korrik të vitit 2014, kryeministri Edi Rama njoftoi nisjen e programit të madh kombëtar për transformimin urban të qyteteve të vendit.
“Jemi këtu për të ndjekur fillimin e një projekti të madh kombëtar, që shtrihet në rreth 70 zona urbane të vendit. Një projekt i dedikuar për komunitetet më të mëdha të vendit, që kanë qenë braktisura për një kohë shumë të gjatë dhe jemi këtu, po ashtu, për të nisur të mbajmë një nga zotimet tona të rëndësishme, se do të bëjmë për këto komunitete dhe zona urbane të vendit çfarë nuk është bërë 20 vjet me radhë. Ne kemi vendosmërinë që brenda këtij mandati t’i sjellim qyteteve të vendit atë rilindje të madhe urbane”, premtonte kryeministri Rama 8 vite më parë.
Nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar, vendosëm që deklaratën e deputetit Dashnor Sula ta kategorizojmë të Vërtetë.