Rezoluta e Parlamentit Europian për Shqipërinë është interpretuar nga media online si një fitore e grupimit Basha për bashkëdrejtimin e reformës zgjedhore. Verifikimi i deklaratës së miratuar kërkon shprehimisht “një qasje përfaqësuese dhe gjithpërfshirëse të opozitës” në komisionin e reformës zgjedhore, pretendim ky i ngritur nga opozita e përfaqësuar nga Gazment Bardhi.
Jona Plumbi
Mbledhja e rradhës mes delegacionit të Parlamentit Europian në Komitetin e Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri (SAPC) e datës 22 janar 2024 u përmbyll me miratimin e rekomandimeve të PE-së ndaj Shqipërisë.
Pikërisht ky dokument është kthyer në “brumë” për interpretime nga mediat në rrjet. I tillë është rasti i lajmit të shpërndarë nga alfapress.al me titull: “Parlamenti Europian rrëzon pretendimet e Berishës dhe Bardhit/ Njeh Alibeajn bashkëkryetar të komisionit “ad hoc” dhe inkurajon palët për gjithëpërfshirje”.
Sipas këtij lajmi, dokumenti me rekomandime i miratuar në këtë mbledhje flet për çështjen e Reformës Zgjedhore ‘dhe se si opozita duhet të bëhet pjesë për mbarëvajtjen e punëve në këtë komision dhe jo të bëhet pengesë, siç po mundohet të bëhet një pjesë e saj’.
Siç shihet – shkruan artikulli – Parlamenti Europian, pavarësisht zhurmës dhe kaosit, njeh komisonin ad-hoc të ngritur në vitin 2022, që ka si bashkëkryetar Enkelejd Alibeajn dhe në përbërje të tij ka të gjithë përfaqësitë e partive opozitare dhe të gjitha flukset e sotme brenda opozitës dhe PD, ashtu sikurse kërkohet në këtë rezolutë.
Faktoje konsultoi tekstin e plotë të rezolutës të miratuar në pasditen e 22 janarit pas shumë debateve të delegacionit shqiptar dhe nga kjo konstatohet se informacioni i publikuar mbi një njohje të bashkëkryesimit të Alibeajt është një interpretim i asaj që Parlamenti Europian ka thënë në të vërtetë. Kjo për dy arsye:
E para, sepse Parlamenti Europian në asnjë rresht të këtij dokumenti nuk merr vendime për njohjen apo mosnjohjen e komisionit të reformës zgjedhore.
E dyta, sepse rekomandimi i PE në fakt ka kërkuar “përfshirjen e të gjithë zërave nga opozita në reformën elektorale” duke siguruar një “qasje vërtetë përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse” kërkesë kjo e ngritur pikerisht nga opozita e përfaqësuar nga Gazment Bardhi.
10. [Parlamenti Europian] shpreh keqardhjen për klimën e polarizimit të ashpër politike që reflektohet tek e gjithë shoqëria; kundërshton me forcë faktin se pavarësisht krijimit të komisionit ad hoc për reformën zgjedhore në shkurt 2022, nuk është bërë asnjë përparim as për miratimin e ndonjë teksti dhe as për adresimin e rekomandimeve të pazgjidhura të OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias; thekson rëndësinë parësore të përfshirjes së të gjithë zërave nga opozita në procesin e reformës zgjedhore për të siguruar një qasje të vërtetë përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse; bën thirrje për dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët në adresimin e plotë të kësaj çështjeje përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, për të forcuar kulturën parlamentare demokratike të Shqipërisë dhe për të mundësuar një process të qetë zgjedhor.
– Rekomandimet e Komisionit të Parlamentit Europian (SAPC), 22 Janar 2024
Siç kuptohet nga ky paragraf, Parlamenti Europian jo vetëm nuk është shprehur lidhur me përbërjen në vetvete të komisionit të reformës zgjedhore, por ka kërkuar atë që opozita e përfaqësuar nga Gazment Bardhi pretendon se është shkelur: përfaqësimin propocional të grupeve të opozitës në përbërjen e komisionit zgjedhor.
Debati mes fraksioneve de facto të Partisë Demokratike lidhur me përbërjen e komisionit të reformës zgjedhore lidhet kryesisht me faktin se bashkëkryetar nga opozita është Enkelejd Alibeaj, përfaqësues i mbështetesve të Lulzim Bashës në parlament, të cilët në numër janë shumë më pak se deputetët demokratë që mbështesin kreun e grupit parlamentar Gazment Bardhi dhe deputetin Sali Berisha.
Është pikërisht e drejta e vetos që i takon dy bashkëkryetarëve të reformës zgjedhore ajo që krijon disbalancën e përfaqësimit të opozitës që ka shumicën e deputetëve opozitarë në parlament.
Ekspertët e fushës, ish-kryetari i KQZ-së z.Kristaq Kume dhe studiuesi i sistemeve politike Afrim Krasniqi thanë për Faktoje se pala e opozitës, kështu si është sot në përbërjen e komisionit nuk është e përfaqësuar dhe për pasojë produkti i këtij komisioni edhe nëse arrihet nuk do jetë i gjithëpranuar.
Nisur nga këto informacione, interpretimin e ngritur nga artikulli i alfapress.al se Parlamenti Europian “ka rrëzuar pretendimet e ngritura nga Bardhi dhe Berisha” e konsiderojmë si informacion të nxjerrë nga koteksti.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin