Pretendimi: Pritet të ketë rritje pensionesh në muajin e ardhshëm

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————

Më 23 shtator 2025, titujt e disa portaleve shqipfolëse jepnin lajmin e mirë se do të ketë rritje pensionesh në muajt e ardhshëm.

Megjithatë, pensionistët dhe dashamirët e tyre do të zhgënjehen me të lexuar fjalinë e parë të artikujve, ku shpjegohet se “indeksimi i pensioneve këtë tetor pritet të jetë shumë më i ulët krahasuar me vitet e kaluara.”

Menjëherë kuptohet se nuk kemi të bëjmë me rritje pensionesh por me indeksimin e tyre.

Referuar ligjit 7703 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë” pensionet indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve. “Këshilli i Ministrave cakton listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit,”– shkruhet në nenin 61 të ligjit.

Siç Faktoje ka shpjeguar në tetor 2023, megjithëse kryeministri Edi Rama në atë kohë e quajti indeksimin e pensionit rritje, ekonomistët argumentojnë se rritja nuk është e njëjta gjë me indeksimin. 

“Matematikisht janë e njëjta gjë, ndërsa ekonomikisht edhe ligjërisht nuk janë,” shpjegon Irena Beqiraj duke shtuar se ekonomikisht rritja nuk lidhet me nivelin e çmimeve, sikurse indeksimi. 

“Pra konsiderohet rritje kur ajo ndodh e pavarur nga inflacioni, duke rritur kështu mirëqënien e një pensionisti. Indeksimi kompenson pensionistin për uljen e fuqisë blerëse të shkaktuar nga inflacioni pa rritur aspak mirëqenien aktuale të tij,” argumenton Beqiraj. 

Një tjetër ndryshim thelbësor lidhet me detyrimin ligjor të qeverisë për indeksimin e përvitshëm të pensioneve.

“Ligjërisht indeksimi për shkak të inflacionit është nje detyrim i përcaktuar në ligj për qeverinë, edhe duhet të kryhet nga kjo e fundit pavarësisht parametrave makro- fiskal. Ndërsa rritja nuk është detyrim ligjor. Ajo vjen si rezultat i përmirësimit të parametrave ekonomike,” shprehet Beqiraj.

Në tetor 2023, pensionet u indeksuan në masën 8,6%. Në Tetor 2024, pensionet u indeksuan në masën 4,1%.