.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPatrulla e KFOR nuk u sulmua në Veriun e Kosovës

Patrulla e KFOR nuk u sulmua në Veriun e Kosovës

Situata e krijuar në veri të Kosovës pas vendosjes së disa barrikadave nga qytetarët serbë të Mitrovicës së Veriut ka prodhuar tituj të shumtë me informacione të paverifikuara. Ky është rasti i lajmit të publikuar nga “sot.com.al” me titullin e bujshëm “Situata në veri ndizet, një patrullë e KFOR-it sulmohet, ngushtohet laku gjerman për Serbinë, kjo është goditja e madhe që Beogradi do marrë nga BE-ja”.

Jona Plumbi

Lajmi i publikuar nga gazeta SOT në gjuhën angleze, njofton sulmin ndaj një ekipi të misionit KFOR në Kosovë. “Faktoje” vërtetoi se lajmi është i pasaktë dhe informacioni nuk është ofruar i plotë për lexuesit duke sjellë keqinformim mbi një çështje mjaft të nxehtë të momentit.

Në datën 25 Dhjetor, të shtëna me armë zjarri në afërsi të një patrulle të KFOR në veri të Kosovës janë raportuar si lajm i fundit nga gazeta KOHA në orën 22:00. Vetëm 63 minuta më pas, KOHA ka përditësuar lajmin e saj duke theksuar se vetë KFOR-i konfirmoi të shtënat afër patrullës së tyre në Zubin-Potok.

Ky lajm është marrë dhe ripublikuar nga Gazeta SOT, pjesërisht në gjuhën angleze dhe pjesërisht në atë shqipe, me një titull sensacional, i cili nuk përputhet me të vërtetën.

Vetë misioni i KFOR-it në Kosovë reagoi në rrjetin social Tëitter mbrëmjen e 25 Dhjetorit, për të shpjeguar seKFOR po heton një incident jo të drejtpërdrejtë me armë zjarri të ndodhur në 25 Dhjetor në afërsi të një patrulle të KFOR në zonën e Zubin Potokut”.

 

Pjesë e dytë e këtij postimi është deklarata se gjatë këtij incidenti nuk pati të lënduar apo dëme materiale dhe se KFOR po punon për të zbardhur të gjithë faktet.

E ndërsa informacioni se “nuk ka pasur të lënduar” është përfshirë në artikullin e Gazetës SOT, vetë njoftimi i KFOR se sulmi nuk ishte ndaj patrullës së tyre nuk përmendet as në brendësi të lajmit, i cili është publikuar dy herë nga Gazeta Sot. Lajmi është ripublikuar edhe nga portale të tjera pa u verifikuar më parë, si Albanian Daily News dhe Zgjohu Shqiptar, duke e shumëfishuar efektin keqinformues tek lexuesit.

Informacione të paverifikuara, të cilat publikohen në formë lajmesh – që më pas rishpërndahen nga të tjera portale pa verifikuar informacionin që shpërndajnë – janë burim i shtuar i keqinformimit tek lexuesit shqiptarë, të cilët përballen çdo ditë me tituj të bujshëm dhe artikuj që kanë për qëllim, në rastin më të mirë të mbledhin klikime dhe në rastin më të keq të përhapin keqinformim të qëllimshëm.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img