Pretendimi: Patatinat Pringles përmbajnë 0% patate

Verdikti: E pavërtetë


Një video që ka marrë mijëra pëlqime në rrjete sociale tregon çfarë duket si pjesë e një podkasti që pretendon se patatinat Pringles përmbajnë 0% patate. Video shoqërohet me këshillën “Kujdes çfarë konsumoni dhe çfarë u jepni të vegjëlve”. 

Burri në video pretendon se:

“Patatinat ‘Pringles’ nuk janë patate. Pringles kishin më herët të shkruar në paketim ‘Patatina Pringle me patate’ ose Pringle chips. ‘FDA’ [Administrata amerikane e Ushqimeve dhe Barnave] i detyroi ta heqin fjalën patate nga paketimi sepse në fakt s’janë patate! Sipas rregullave të FDA-së, duhet të kesh patate në produktin tënd që ta quash ‘chips’. Kur shikon Pringles dhe bën kërkimet e tua për to të rezulton që s’janë patate! Janë pudër e kompresuar. E shtypin, e përgatisin njësoj si kimikatet. E kthejnë në pastë dhe pastaj e thajnë dhe ke një ‘Pringle’. Ka 0% patate në një ‘Pringle.’” 

Siç rekomandon video, Faktoje bëri kërkimet e saj për Pringles, një nga produktet që konsumohet më së shumti nga të rinjtë dhe fëmijët. 

Nga ky kërkim rezulton se Pringles fillimisht quheshin Pringle’s Newfangled Potato Chips. Prodhues të tjerë ushqimi e kundërshtuan emrin ‘patatina me patate’ sepse Pringles nuk ishin patate të ndara në feta, por patatina me brumë me bazë patatesh. Në 1975, Administrata amerikane e Ushqimeve dhe Barnava (FDA) vendosi se Pringles duhet të etiketoheshin si “patatina me patate të bëra me patate të thara”. Për të evituar një etiketë kaq të gjatë, Pringles eventualisht zgjodhi të përdorë termin “potato crisps” dhe jo “chips”.

Kështu, vendimi i FDA kishte të bënte me llojin e produktit të patates dhe nuk diskutonte në asnjë moment nëse Pringles përmbante patate apo jo. 

Në 2008, në mënyrë që të shmangnin taksën e vlerës së shtuar (TVSh) në Mbretërinë e Bashkuar, Pringles argumentoi në një gjykatë angleze se, megjithëse mbajnë emrin ‘potato crisps’, Pringles nuk ishin patatina sepse përmbajtja e patates në to ishte vetëm 42% dhe forma e tyre nuk gjendet në natyrë. Në atë kohë, gjykatësi vendosi në favor të Pringles, duke e përqasur produktin më shumë me kek ose bukë se sa një patatinë.

Megjithatë, për gjykatësin e apelit në 2009, përmbajtja prej 42% patate ishte “më shumë se mjaftueshmë përmbajtje patateje për ta bërë këndvështrimin se është bërë prej patateje të arsyeshëm.” Kështu, ai vendosi se Pringles quhen patatina në sytë e ligjit.