Pretendimi: Patatinat Patos kanë në përbërjen e tyre hashash
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————–
Një video humoristike e postuar në rrjete sociale nga një përdorues shqipfolës është marrë seriozisht nga portali JOQ Albania, duke u kthyer në një ‘lajm’ sensacional që ka për qëllim të tërheqë sa me shumë klikime dhe diskutime duke ndërsyer skandalizimin e opinionit publik.
Në videon e mësipërme, një djalë po provon nëse një version patatinash Patos, që listojnë në përbësit e tyre “hashash”, do të kenë efektin që jep kanabisi. Si përfundim, ai mbetet i zhgënjyer.
Duket qartë se video është humoristike dhe po vë në lojë një gabim të dukshëm në përkthim. Megjithatë, portali JOQ e ka botuar këtë video si provë se patatinat në fjalë përmbajnë vërtet “hashash” apo produkte të kanabisit, ndërkohë që konsumohen nga fëmijët në Shqipëri.
Së pari, vlen të përmendet se djali që ka postuar videon në TikTok duket se është qytetar i Kosovës, jo Shqipërisë.
Neni 283 i Kodit Penal të Shqipërisë e konsideron vepër penale shitjen dhe eksportimin e “substancave narkotike dhe psikotrope” si kanabisi. Trafikimi i këtyre substancave mbetet nga krimet më të shënjestruara nga forcat e rendit. Turqia, vendi ku prodhohen patatinat Patos, gjithashtu e konsideron vepër penale shitjen dhe shpërndarjen e kanabisit.
Kështu, pretendimi se një kompani trafikon narkotikë haptazi (pa u përpjekur as t’i fshehë brenda bananeve) duhet të ngjallë skepticizëm tek lexuesi.
Duket se patatinat në video janë me shije fara lulëkuqje dhe piper të kuq. Në vendet shqipfolëse kjo shije reklamohet si Patos me Mak.
Fjala “haşhaşlı” përkthehet nga turqishtja në “fara lulëkuqje”, jo “hashash”.
Pyetur nga Faktoje, importuesi i Patos në Kosovë, Atlantik Group, gjithashtu konfirmoi se bëhet fjalë për një gabim në përkthim dhe se patatinat në fjalë nuk përmbajnë kanabis, por fara lulëkuqje, të njohura ndryshe si maku.
“Lidhur me pretendimet se patatinat Patos që shiten në Kosovë përmbajnë “hashash”, dëshiroj të ju informoj se kjo nuk është e vërtetë. Ekziston një keqkuptim lidhur me perkthimin e fjalës “haşaşlı”. Në këtë rast, fjala “haşaşlı” nuk i referohet hashashit, por farave të lulëkuqes, të njohura ndryshe si “maku”. Patatinat Patos që po diskutohen janë me përbërje farash të lulëkuqes dhe piper të kuq. Ky produkt është pjesë e tregut tash e një kohë të gjatë dhe ka pasur një keqkuptim nga ndonjë qytetar lidhur me përkthimin/leximin bukfal të fjalës “haşaşlı””, sqaroi importuesi në një email.