.

.

BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëPastrimi në Kavajë, një premtim deri tani i pambajtur

Pastrimi në Kavajë, një premtim deri tani i pambajtur

Kryebashkiaku i ri, Fisnik Qosja e cilësoi pastrimin e qytetit si përparësi të tij në krye të Bashkisë së Kavajës, gjatë fushatës së zgjedhjeve vendore të 14 majit. Por verifikimi në terren tregon të kundërtën. Grumbuj mbetjesh gjenden kudo nëpër qytet, ndërsa banorët shprehen se pastërtia në qytet lë për të dëshiruar

Fisnik Qosja, kandidat fitues për bashkinë Kavajë, nga koalicioni ‘Bashkë Fitojmë, premtoi gjatë fushatës se pastrimi i qytetit do të ishte një prej gjërave kryesore që ai do të ndiqte sapo të merrte detyrën të krye të këtij institucioni.

Puna e parë në krye të bashkisë do të jetë çështja e pastrimit. Asnjë qytetar, turist apo sipërmarrës nuk do të shohë më pamjet e shëmtuara të makinës së pastrimit në mes të ditës, orë e pa orë”-premtoi Fisnik Qosja më 23 shkurt të këtij viti.

Nisur nga ky zotim i zotit Qosja, Faktoje bëri një verifikim në Kavajë më 20 tetor.  

Në çdo zonë të qytetit që vëzhguam, të zinte syri mbetje të shpërndara kudo nëpër rrugë apo të hedhura jashtë kazanëve të mbeturinave, ndonëse ishte ora 11:30 e paradites. Qoftë në zona të banuara apo pranë institucioneve publike, shiheshin mbeturina të hedhura kudo dhe dukej sikur nuk ishte pastruar prej kohësh.

Mbeturina jashtë kazanëve, Kavajë 20 tetor 2023

Çështja e ndotjes së qytetit ngrihet si shqetësimin edhe nga qytetarët. Jonida, banore e Kavajës thotë se situata është edhe më problematike gjatë fundjavës.  

“Ja shihni vetë. Kjo bëhet më shqetësuese, të shtunë dhe të diel që është ditë pazari. Të vish te ne në ditë të diel është një tmerr, sepse nuk kemi një markatë të mirëfilltë. Pastërtia në qytet lë për të dëshiruar.

Gjithçka është në rrugë, çdo mbetje dhe derisa të vijë darka që t’i marrë makina e pastrimit, ato shpërndahen. Kur ka erë marrin dhenë. Pastrimi bëhet, ditën nuk kam parë, por natën, po, kam parë”, tregon ajo.

Mbeturina jashtë kazanëve, Kavajë 20 tetor 2023

Një tjetër banor i Kavajës, rreth 65 vjeç thotë se çështja e pastrimit të qytetit ka qenë një problem i vazhdueshëm për Kavajën.

“Njerëzit nuk janë të ndërgjegjësuar, i hedhin vend e pa vend. Makina pastrimi gjatë ditës nuk kam parë, por besoj i pastrojnë natën. Por, prapë grumbuj mbeturinash gjen kudo nëpër qytet”, tregon 65-vjeçari.

Mbeturina jashtë kazanëve, Kavajë 20 tetor 2023

Pas konstatimt të situatës shqetësuese në qytet, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe Bashkisë së Kavajës, ku ndër të tjera e pyetëm sa herë në ditë bëhet pastrimi dhe në cilat orare.

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi marrë një përgjigje nga ky institucion.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë, 23 tetor 2023

Nisur nga verifikimi i kryer vendosëm që premtimin për pastrimin e menjëhershëm të qytetit ta kategorizojmë deri tani të pambajtur. Ne do të vijojmë monitorimin në terren

* Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img