Pretendimi: Pasaportat në këtë foto u gjetën në gërmadhat e Kullave Binjake më 11 shtator 2001

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————–

Në përvjetorin e rrëzimit të Kullave Binjake në New York më 11 shtator 2001, rrjetet sociale ringjallin teoritë konspirative që pretendojnë se “11 shtatori ishte punë e brendshme.”

Një version i kësaj teorie po qarkullon në rrjete sociale bazuar në pretendimin se pasaportat e terroristëve të përfshirë u gjetën, çuditërisht, nën rrënojat e kullave dhe kështu u identifikuan autorët. 

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pasaportat në imazhin e sipërm i përkasin Satam al-Suqami dhe Saeed al-Ghamdi.

Sipas Komisionit Kombëtar për 11 Shtatorin, i krijuar nga Kongresi amerikan për të hetuar të gjitha aspektet e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, katër nga pasaportat e 11 terroristëve u gjetën. 

“Dy prej tyre u gjetën në vendrrëzimin e fluturimit 93 të United Airlines në Pensilvani. Këto janë pasaportat e Ziad Jarrah dhe Saeed al-Ghamdi. Njëra i përkiste një terroristi në fluturimin 11 të American Airlines. Kjo është pasaporta e Satam al-Suqami. Një kalimtar e gjeti atë dhe ia dha një detektivi të policisë së New York pak para se të shembeshin kullat,” u raportua në Komision.

Pra, asnjëra nga pasaportat në foto nuk u gjet nën rrenojat e Kullave Binjake. 

Pasaporta e al-Suqami u gjet në rrugë nga një kalimtar, përpara se të rrëzoheshin kullat. 

Ndërsa pasaporta e al-Ghamdi nuk ishte kurrë në New York. Al-Ghamdi ishte një nga terroristët që morën peng fluturimin 93 të United Airlines, me qëllim për ta përplasur atë me godinën e Kapitolit në Washington D.C. Megjithatë, ky fluturim u rrëzua në Shanksville, Pennsylvania. Kjo, si pasojë e një përpjekje nga ana e pasagjerëve dhe ekuipazhit për të rimarrë kontrollin e avionit nga terroristët.

Pasaporta e al-Ghamdi, bashkë me pasaportën e një tjetër pengmarrësi, Ziad Jarrah, u gjet në vendrrëzimin e fluturimit 93 në Pennsylvania.