Pretendimi: Ky imazh tregon pasaportën e shtetit bektashian

Verdikti: Gjeneruar me AI

———————————————————

Deklarata e kryeministrit Edi Rama për themelimin e një shteti bektashian në Tiranë ngjalli reagime dhe tallje në rrjete sociale. Sipas Ramës, ky shtet do ndiqte modelin e Vatikanit në Romë, dhe do të kishte administratën, kufijtë dhe pasaportat e tij.

Një imazh i pretenduar i pasaportës në fjalë po qarkullon në rrjete sociale. Por nëse në disa raste ky imazh është përdorur në format satire, në disa postime të tjera është duke u publikuar si imazh i dokumentit të shtetit të ri.

Lexuesi do të verejë se dora që mban pasaportën ka gjashtë gishta. 

Duart e deformuara, sidmos ato me numër të gabuar gishtash, janë një tregues tipik i imazheve të gjeneruara me anë të inteligjencës artificiale.

Sipas Encyclopædia Britannica, programet AI kanë vështirësi në gjenerimin e imazheve të duarve sepse “AI në fakt nuk e di se çfarë është një dorë. Në imazhet dydimensionale, duart mund të shfaqen në dhjetëra pozicione të ndryshme: duke tundur, duke u përkulur, duke mbajtur një objekt, duke shtrënguar një grusht ose duke u nxjerrë nga xhepi i pantallonave, pjesërisht të fshehura. Njerëzit e dinë se këto mospërputhje vizuale ilustrojnë se si funksionon një dorë. AI, pa qasje në botën tredimensionale, di vetëm se si shfaqet një dorë. Identifikimi i një grushti, gishtit të madh lart ose shenjës së paqes si një dorë është një arritje mbresëlënëse për AI dhe vështirë se mund ta fajësojmë atë për supozimin se një dorë e vërtetë mund të jetë një kombinim i të treve.”