.

.

BallinaPremtimePas 1 viti, çfarë ndodh me 5 rrugët e premtuara nga FSHZH

Pas 1 viti, çfarë ndodh me 5 rrugët e premtuara nga FSHZH

ANXHELA RUÇI

Më 10 nëntor 2018 në Vlorë, qeveria shqiptare prezantoi “Buxhetin e Infrastrukturës, për Shqipërinë që duam”. Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) premtoi se gjatë vitit 2019 do të ndërtohen 60 km rrugë, në 5 akse të rëndësishme turistike. Por çfarë ka ndodhur 1 vit më pas?

———————————————————————————————————————————————————-

Do fillojmë në 2019, ndërtimin e 60 km rrugë ku do të përfshihen 5 akse shumë të rëndësisishme për zhvillimin e sektorit të turizmit dhe ekonomive lokale. Rruga e Thethit me një gjatësi 16 km, rruga Fier-Seman prej 18 km, një rrugë me trotuare, ndriçim dhe korsi biçikletash, rruga Pogradec-Tushemisht, rruga Shëngjin-Velipojë prej 15 km, rruga Vlorë-Orikum prej 10,3 km”,- premtoi ndër të tjera Benet Beci, asokohe kreu i FSHZH-së.

“Faktoje” në përmbyllje të vitit 2019, iu rikthye këtyre premtimeve për të parë realizimin e tyre, ashtu siç është premtuar një vit më parë. Për të mësuar më shumë rreth ecurisë së punimeve pyetëm Fondin Shqiptar të Zhvillimit si dhe pamë nga afër shumicën e rrugëve nëse investimet e premtuara janë vënë në zbatim.

Rruga e Thethit

Puna për këtë rrugë ka nisur në shtator dhe po punohet për ndërtimin e mureve mbajtëse, tombinot etj. Afati i përfundimit për rrugën e Thethit është 10 muaj, pra në muajin korrik 2020 kjo rrugë duhet të ketë përfunduar. Vlera e investimit për këtë rrugë është 736,302,708 lekë me TVSH.

 

Theth, foto e marrë nga interneti

Rruga Fier-Seman

Ndryshe nga çfarë u premtua, puna për këtë aks rrugor nuk ka nisur, por ka mbetur në fazën e prokurimit publik. Në momentin që puna do të nisë në këtë aks, afati i zbatimit do të jetë 18 muaj. Përveç rrugës është premtuar se do të ndërtohen trotuarë, do të ketë ndriçim dhe korsi biçikletash. Vlera e investimit për këtë rrugë është 1,628,723,040 lekë më TVSH.

Fier-Seman Foto: Anxhela Ruçi/Faktoje.al

Rruga Pogradec-Tushemisht

Në këtë rrugë ka filluar të punohet dhe aktualisht është në fazën e gërmimit për infrastrukturën nëntokësore. Nga koha e fillimit të punimeve deri në përfundim të kësaj rruge do të duhet 8 muaj. Vlera e investimit është 377,388,382 lekë me TVSH.

Pogradec-Tushemisht Foto: Anxhela Ruçi/Faktoje.al

Rruga Shëngjin-Velipojë

Përveç projektit teknik, në këtë aks puna nuk ka filluar, pavarësisht premtimit se në 2019-n kjo rrugë do të ndërtohej. Kjo rrugë do të lidhë dy zonat turistike verore, atë të Shëngjinit në Lezhë me Velipojën në Shkodër. Kjo rrugë është folur se do të jetë riviera veriore dhe vlera e parashikuar për investim është 3,312,823,582 lekë me TVSH.

Shëngjin-Velipojë Foto: Anxhela Ruçi/Faktoje.al

Rruga Vlorë-Orikum

Edhe pse është një nga rrugët më të diskutuara për problemet me trafikun që krijohen gjatë verës, kjo rrugë nuk ka filluar të rindërtohet. Sipas FSHZH, në muajt e fundit të 2019 do të përfundojë faza e parë, ajo e dizajnimit për të vazhduar me fazën e dytë, që është zbatimi i projektit. Vlera e parashikuar për këtë aks është 1,769,236,787 lekë.

Vlorë-Orikum Foto: Anxhela Ruçi/Faktoje.al

Nga 5 akset që u premtuan se do të fillonin punimet në 2019, në fund të vitit kalendarik, zyrtarisht nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit na u konfirmua se vetëm në 2 prej tyre ka nisur puna.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img