ANXHELA RUÇI
Prej më shumë se një muaji disa kërkesa të “Faktoje-s” drejtuar Ministrisë së Financave dhe Reformës në Drejtësi (faqja zyrtare) kanë mbetur pa përgjigje.”Faktoje” kërkoi informacion për shpenzimet e deritanishme për reformën në drejtësi, por ende nuk ka marrë përgjigje zyrtare.
———————————————————————————————————————————————————-
Disa prej institucioneve publike vazhdojnë refuzimin për dhënie të informacionit zyrtar, teksa ligji “Për të drejtën e informimit” i detyron ata të kthejnë përgjigje brenda 10 ditëve punë.
Në datën 27 shtator, “Faktoje” ka dërguar tri kërkesa për informacion mbi financimin e reformës në drejtësi dhe për ecurinë e zbatimit të saj. Kërkesat iu dërguan Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si dhe adresës zyrtare të Reformës në Drejtësi, adresa e së cilës është me domain e parlamentit.
E para që ktheu përgjigje qe Ministria e Drejtësisë e cila ka dhënë informacion për aq sa i takon, ndërsa për pjesën e financave na sugjeroi t’i drejtohemi Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Edhe pse kërkesat janë dërguar që në datën 27 shtator, deri sot më 31 tetor, edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj, në redaksinë tonë nuk ka mbërritur përgjigje nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe as nga Reforma në Drejtësi.
Nëse institucionet në fjalë do të respektonin afatin ligjor (bazuar në ligjin 119/2014 “Për të drejtën e informimit”), brenda datës 11 tetor duhet të kishin adresuar përgjigjen e pyetjeve që “Faktoje” u ka drejtuar.
Edhe pse nuk ka marrë një përgjigje, “Faktoje” nuk është ndalur për të kërkuar të drejtën për informim që i takon me ligj jo vetëm gazetarëve por çdo qytetari që kërkon të marrë informacion nga institucionet përgjegjëse.
Me anë të një ankese, ne kemi kërkuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit që të marrë masa për institucionet e lartëpërmendura dhe jemi në pritje edhe të kësaj përgjigjeje.
Sjellja e institucioneve duke refuzuar dhënien e informacionit është shkurajuese për çdo qytetar që kërkon të ushtrojnë një të drejtë thelbësore siç është ajo për të marrë informacion. Për këtë arsye, “Faktoje” do të vazhdojë të denoncojë ashtu si dhe më parë, çdo shkelje të kësaj të drejte nga institucionet shtetërore.