Parku i Madh i Kavajës ka nisur transformimin, duke përmbushur premtimin e kryebashkiakut, Fisnik Qosja dhënë gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.
Gjatë një verifikimi të kryer nga “Faktoje.al” në fillim të nëntorit, u konstatua se në park ishin shtuar stola të rinj dhe kënde lojërash për fëmijë, ndërsa ishin mbjellë edhe pemë. Qytetarët e Kavajës shprehen të kënaqur për këtë investim, duke theksuar rëndësinë e mirëmbajtjes së vazhdueshme të parkut.
Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Kavajën, Fisnik Qosja premtoi investime në Parkun e Madh të qytetit.
“Pas 14 Majit, Parku i Madh i qytetit do të kthehet në një destinacion jo vetëm për familjen e madhe kavajase, por edhe për vendet përreth”-premtoi Qosja më 18 prill 2023.
Postimi i shpërndarë në Facebook nga Fisnik Qosja
Pas marrjes së mandatit në krye të Bashkisë së Kavajës, Qosja bëri një tjetër postim në lidhje me Parkun Rekreativ të Kavajës. Kryebashkiaku njoftoi më 27 qershor se kishte nisur puna për fazën e parë të rijetësimit të tij.
“Parku rekreativ i Kavajës është një nga projektet e mia më të dashura dhe një premtim i imi për qytetarët më 14 maj. Kemi nisur punën për fazën e parë të rijetësimit të këtij aseti të çmuar për familjet kavajse, i cili për turp ishte lënë tërësisht në mëshirë të shkurreve e plehrave”, shkruante në Facebook kryebashkiaku Qosja.
Postimi i Fisnik Qoses në Facebook
Në lidhje me këtë premtim të zotit Qosja, Faktoje.al iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Kavajës. Zyrtarisht ky institucion njofton se investimet në këtë park janë kryer në 3 faza dhe kanë nisur që prej vitit 2018.
“Projekti Parkut Rekreativ në lagjen Nr.2 konsiston në tre faza; Në Fazën e I-rë janë kryer punime në të gjithë territorin, si prishje të strukturave ekzistuese dhe prishje mur tulle, rrethimi i përhershëm me kangjella në pjesën përgjatë rrugës Taulantia, rrethim i përkohshëm me kolona dhe rrjetë teli, rehabilitimi i kanaleve ekzistuese të betonit si dhe mbushje territori me dhe humusor. Gjithashtu kjo fazë konsistonte në mbjelljen e një numri të kufizuar pemësh dekorative dhe mbjellje me bar dhe lule dekorative në hapësirat e parashikuar me gjelbërim.
Në fazën e II-të, punimet konsistojnë në punime ndriҫimi për rrugën kryesore, punime në palestrën në natyrë pa pajiset përkatëse me ndërtim sheshi me sipërfaqe prej 285 m2. Në maj të vitit 2019 u pezulluan punimet që i përkisnin fazës së I-rë, për arsye se jo të gjithë banorët ishin shpërngulur”, sqaron Bashkia e Kavajës në përgjigjen zyrtare.
Më tej thekson se ka nisur edhe një fazë e tretë e punimeve që konsiston në: “Blerje të pjesshme të pemëve që janë mbjellë në hapësirat e parashikuara për gjelbërim”.
Për të mësuar më shumë mbi investimet e kryera në Parkun e Madh të qytetit të Kavajës, ne bëmë një verifikim në terren më 6 nëntor. Ndryshe nga një vit më parë, tashmë në park ishin vënë stola dhe lodra për fëmijë. Gjithashtu ishte investuar në mbjelljen e pemëve të reja dhe parku dukej më i pastër. Kjo konfirmohet për Faktoje.al edhe nga qytetarë të Kavajës.
Prindër me fëmijë të vegjël, por edhe gjyshërit me nipërit e mbesat e kalonin ditën në hapësirat e Parkut të Madh të qytetit të Kavajës.
“Për momentin Parku është në gjendje të mirë, krahasuar me vitet më parë. Ka edhe më mirë. Sikur të kishte dyqane për fëmijë, ndonjë kafene. E mira nuk ka fund, por për momentin jemi mirë. Pastërtia është mirë deri diku. Para disa muajsh ka qenë bar i madh, nuk krasitej ndonjëherë.
Tani Bashkia ka mbjellë pemë, ka punëtorë për mirëmbajtjen. Janë vënë stolat, ka qenë pa stola më parë. Kanë vënë edhe lodrat për fëmijë. Ka ndriçim në park, por do akoma punë për ndriçimin, por janë duke punuar sepse i kemi parë. Është bërë mirë, janë duke punuar për ta bërë më mirë”- tha Nazmiu, banor i Kavajës.
Nisur nga verifikimi i kryer, vendosëm që premtimin për transformimin e parkut ta kategorizojmë të mbajtur.
*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.