Sebi Alla – Lodhja nga rruga e gjatë nga Tirana në Sarandë harrohet sapo futesh në qytet, teksa lë pas Qafë Gjashtën. Edhe në dalje të sezonit turistik veror, në fillim të shtatorit, trafiku i rënduar në qytet vijon të jetë i pranishëm, bashkë me problemin e madh të mungesës së parkimeve. Në maj të vitit 2023, kandidati për kryetar Bashkie nga forca politike Partia Socialiste, Oltion Çaçi premtoi ndërtimin e katër parkingjeve publike. “Do të ndërtojmë 4 parkingje publike që lehtësojnë qëndrimin e turistëve në qytet”, tha Çaçi përpara qytetarëve të Sarandës.

Pa parkim

Dy vite pas premtimit, në Sarandë parkimi është një mision gati i pamundur, kur Faktoje. al shkoi në terren.

“Nuk ka parkingje të dedikuara, përgjatë sezonit këtu është një katrahurë e madhe”, thotë për Faktoje.al një banor i zonës, pronar i një dyqani të vogël në qendër të qytetit.

Plani ishte që pranë stacionit aktual të autobusëve të vendoseshin disa vendparkime nga ana e bashkisë, por kjo ide ra pasi Terminali i ri i autobusëve nuk është përfunduar dhe autobusët ndërqytetas dhe furgonët e linjave të brendshme vijojnë të qëndrojnë në qendër të qytetit.

Premtim pas premtimi

“Për herë të parë në qytetin e Sarandës do të kemi një parkim publik këtë sezon, do jetë gati në fund të qershorit. Do të jenë 90 poste parkimi dhe karikusa eletrik për makinat”, tha kryebashkiaku i Sarandës Oltion Çaçi katër muaj më parë, në një nga mbledhjet e Këshillit Bashkiak.

Faktoje.al iu drejtua Bashkisë Sarandë me një kërkesë për informacion lidhur me premtimin për parkimet e reja që do hapeshin këtë sezon veror, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk patën reagim nga ana e bashkisë.

Përfundimi

Premtimi përgjatë fushatës, por edhe premtimet përgjatë mandatit si kryebashkiak të Oltion Çaçit në dy vitet e fundit për të zgjidhur problemin e parkimeve në Sarandë do i konsiderojmë deri më tani të pambajtura.

Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.