Pretendimi: 200 qendra shërimi me medbeds do të hapen në të gjithë ShBA në 15 mars 2025 për të shëruar miliona.
Verdikti: E paprovuar
————————————————————————
Shtretërit mjekësorë çudibërës, të quajtur ‘medbeds’, vijojnë të ngërthejnë imagjinatën në rrjetet sociale. Në fund të janarit 2025, qarkulloi pretendimi se këto pajisje do të ishin të disponueshme për publikun amerikan më 15 mars, në 200 qendra nëpër gjithë ShBA.
Postimi i mësipërm duket se është kopjuar dhe përkthyer shkel e shko nga një sërë profilesh anonime në X, të cilat, si zakonisht, nuk ofrojnë ndonjë provë apo burim që mbështet pretendimet e tyre.
Madje duket se edhe vetë ndjekësit e teorisë së konspiracionit janë lodhur nga pretendimet e njëpasnjëshme se medbeds ‘po vijnë’ apo ‘janë shumë pranë’. “E kam dëgjuar këtë prej vitesh, shpresoj se ka ndonjë të vërtetë në të,” ishte një përgjigje ndaj njërit prej postimeve. “Vëlla, duhet të jesh shumë më i kujdesshëm me ndarjen e këtij lloj informacioni, dhe specifikisht datat, pa disa prova të forta për të mbështetur pretendimet e tua. Ne kemi qenë në këtë rrugë për 4+ vjet me njerëz që parashtrojnë pretendime të ngjashme pa asgjë për të treguar kur vjen dita,” kritikonte një komentues postimin tjetër.
Në fakt, dita erdhi. Deri në datën e publikimit të këtij verifikimi, 21 mars 2025, nuk është hapur ndonjë qendër me medbeds në ShBA. Nga një kërkim për fjalën “med bed” në faqen zyrtare të Departamentit amerikan të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore kjo fjalë nuk rezulton të përmendet askund.
“Shtretërit mjekësorë”, në anglisht “medbeds”, janë një koncept që e ka origjinën tek ndjekësit e teorisë konspirative QAnon, sipas së cilëve medbeds janë zhvilluar nga ushtria (në disa versione duke përdorur teknologji aliene) dhe janë duke u përdorur tashmë nga familjet më të pasura dhe të fuqishme në botë. Sipas besimtarëve, shtretërit mjekësorë janë teknologji që mund të shërojnë ADN-në, të rigjenerojnë organet dhe të kthejnë rininë. Sipas disa ndjekësve, kur Donald Trump do të bëhet president do të zbulonte ekzistencën e këtyre pajisjeve dhe do t’i bënte falas për gjithë amerikanët.
Nuk ka asnjë literaturë nga komuniteti mjekësor global që thotë se një pajisje e tillë ekziston. As shkenca për të krijuar një pajisje të tillë, e cila tingëllon sikur ka dalë nga ndonjë film fantastiko-shkencor, nuk ekziston. Nuk ka asnjë mënyrë të njohur për të kthyer pas plakjen.
Në fakt, ekzistenca e shtretërve mjekësorë që vetëm elita mund t’i përdorë për vete është një motiv që shfaqet pikërisht në filmin fantastiko-shkencor Elysium (2013).
Kjo teori konspirative është shfrytëzuar nga persona të ndryshëm për të mashtruar besimtarët që shpresojnë në aftësitë çudibërëse të këtyre pajisjeve për të shëruar probleme të rënda shëndetësore.
Tesla BioHealing, është një nga kompanitë e shumta që shet atë që ata e përshkruajnë si “medbed”, ndonjëherë për dhjetëra mijëra dollarë. Kjo kompani ofron medbed për shtëpinë në vlerën e 19,999 dollarëve, megjithëse një orë në një nga dhomat e tyre të motelit me medbed do t’ju kushtojë vetëm 160 dollarë.
Edhe pse kompani të tilla listojnë një sërë sëmundjesh që pretendojnë se mund të ndihmohen nga teknologjitë e tyre dhe ofrojnë dëshmi nga klientët e kënaqur, ato sigurohen gjithashtu të thonë se produktet e tyre nuk kanë për qëllim të zëvendësojnë trajtimet nga një mjek i kualifikuar, një mënyrë për t’u ruajtur nga paditë e mundshme që përdoruesit mund të sjellin kundër tyre kur shtrati çudibërës të rezultojë jo aq i plotfuqishëm sa shitet.
Vlen të thuhet se presidenti amerikan Donald Trump nuk ka premtuar, folur për, apo edhe përmendur medbeds publikisht ndonjëherë.
Faktoje ka përënjshtruar dhe më parë pretendime lidhur me medbeds.