Pas tërmetit që goditi Turqinë në 6 shkurt, mediat qarkulluan pretendimin se kjo fatkeqësi natyrore ishte parashikuar nga një studiues hollandez, i cili kishte parashikuar një tjetër tërmet dy ditë më pas. “Faktoje” shpjegon përse tërmetet nuk mund të parashikohen dhe pretendime të tilla janë jo vetëm të pabaza, por edhe të rrezikshme për panikun që krijojnë tek publiku.
——————————————————–
Ndërsa në Turqi dhe Siri vijojnë misionet e kërkim-shpëtimit, një numër mediash kanë sjellë në syrin publik një studiues hollandez, Frank Hoogerbeets, i cili pretendohet se ka parashikuar tërmetin e 6 shkurtit në këtë rajon. Për më tepër, artikujt paralajmërojnë se Hoogerbeets ka parashikuar një tjetër tërmet të fuqishëm rreth datës 8 shkurt.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), deri më tani është e pamundur të parashikohet një tërmet. Shkencëtarët mund të përllogarisin vetëm probabilitetin që një tërmet do të ndodhë në një vendndodhje specifike brenda një numri të caktuar vitesh. Nuk ka ende një mënyrë të pranuar shkencore për parashikimin e tërmeteve. Vlen të përmendet se USGS ka një këshill të posaçëm për vlerësimin e studimeve dhe propozimeve mbi parashikimet e tërmeteve.
Përpara tërmetit 7.3 ballë që goditi qytetin Haicheng në Kinë në 1975, u vërejtën ndryshime në lartësinë e tokës dhe nivelin e ujërave, sjellje të pazakonta tek kafshët dhe paragoditje, që bënë të mundur dhënien e një urdhri evakuiimi. Fatkeqësisht, shumica e tërmeteve nuk shoqërohen me këto shenja, dhe ato nuk përbëjnë matës shkencorë.
Sizmologët përllogaritën se Parkfield në Kaliforni goditej nga tërmete afërsisht çdo 22 vite. Kështu ishin të bindur se një tërmet do të godiste në 1993. Tërmeti 6-ballësh e goditi Parkfield në 28 shtator 2004
Parashikimi i një tërmeti, sipas USGS, duhet të përcaktojë saktë tre elementë: datën dhe kohën, vendndodhjen, dhe shkallën.
Në datën 2 shkurt, Hoogerbeets postoi një video ku delaron se “mund të shohim disa rritje sizmike nga data 4 në datën 6.” Në përshkrimin që shoqëron postimin, shkruhet se “aktivitet sizmik më i lartë mund të ndodhë nga 4 deri në 6 shkurt, me shumë gjasa deri në mes ose të lartë 6 ballë. Ekziston një mundësi e lehtë për një ngjarje sizmike më të madhe rreth datës 4 shkurt.” Ky postim përcakton me afërsi datën e tërmetit, megjithëse jo datën ekzakte dhe aq më pak orën, por nuk parashikon me saktësi vendin apo shkallën.
Ndërkohë, postimi më i bujshëm, ai i datës 4 shkurt, shkruan “herët apo vonë do të ketë një tërmet ~7.5 ballë në këtë rajon (Turqia Jugqëndrore, Jordania, Siria, Liban)” Në këtë postim, Hoogerbeets parashikon me saktësi shkallën dhe vendin (rajon që njihet për aktivitetin e shpeshtë sizmik), por nuk bën asnjë përpjekje për të përcaktuar një datë.
Më parë, Hoogerbeets ka ‘parashikuar’ një tërmet të fuqishëm, 7-8 ballë, që do të ndodhte në Dhjetor të 2018.
‘Parashikimet’ në llogarinë e Twitter të Hoogerbeets janë aq të shpeshta (dhe, deri tani, të pasakta) sa fakti që ai qëlloi në shenjë këaj rradhe është më pak ‘saktësi e frikshme’ se sa një shembull se si funksionon probabiliteti.
Për më tepër, shumë nga këto ‘parashikime’ janë jo specifike dhe përqendrohen në zona që njihen për rrezikun e lartë sizmik.
Hoogerbeets e përshkruan veten në Twitter si hulumtues në Anketën e Gjeometrisë së Sistemit Diellor (SSGEOS), një “institut kërkimor për monitorimin e gjeometrisë mes trupave qiellorë lidhur me aktivitetin sizmik”. Kjo metodë e ‘parashikimit’ të tërmeteve shihet me skepticizëm nga shkencëtarët e tokës. David Rothery, profesor i gjeoshkencës planetare në Open University, tha për Newsweek se “forcat e baticës brenda tokës, që vijnë si pasojë e ndryshimit gjeometrik në lidhje me planetet e tjerë janë minimale. Ndikimi hënor në baticat brenda tokës është më i madh dhe ka më shumë gjasa të jetë shkas për tërmet, por edhe në atë rast gjithë çfarë mund të bëjë është të nisë një tërmet që ishte gati për të ndodhur gjithsesi.”
Sipas Susan Hough, sizmiologe në USGS, megjithëse ka vazhdimisht pretendime se dikush ka parashikuar një tërmet, “askush nuk ka treguar parashikime të besueshme konsistente. Nëse do kishte diçka që funksiononte do kishte prova. Dikush do të ishte i aftë të parashikonte në mënyrë të besueshme dhe konsistente tërmetet, dhe gjithë bota do ta kthente vëmendjen nëse dikush mund ta bënte këtë. Askush nuk ka mundur”.
Kolegët e medias duhet të bëjnë kujdes gjithashtu nga datat e parashikuara për tërmete të publikuara në Twitter nga Hoogerbeets gjatë këtyre ditëve. Pas famës që mori nga tërmeti në Turqi, janë hapur një mori profilesh të rreme me identitetin e parashikuesit holandez apo qendrës së drejtuar prej tij.