Brenda 6 muajve të këtij viti operatorët e transportit urban kanë paralajmëruar dy herë pezullimin e shërbimit të transportit publik. Në fund të muajit korrik, nëpërmjet një deklaratë, shoqëria e transporteve publike bëri të ditur se nuk do të nxjerrë në treg abonetë për gushtin dhe do të pezullojnë shërbimin. Përfaqësues të Unionit të Transportit Publik argumentojnë për Faktoje arsyet e tërheqjes nga ky vendim, duke theksuar se janë në pritje të një tjetër subvencioni 3-mujor nga qeveria. Transporit publik është një ndër sektorët kyc të shërbimit të Bashkisë së Tiranës, e cila para 5 vitesh premtoi vendosjen e biletave elektronike dhe shtim te numrit të linjave dhe automjeteve.
Në shkurt të këtij viti, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas paralajmëroi se nga 1 Marsi do të ndërpritej shërbimi i transportit urban për kryeqytetasit nëse qeveria nuk miratonte kërkesat e tyre fiskale.
Pas këtij paralajmërimi, kryeministri Edi Rama njoftoi më 12 mars: “Qeveria do të mbështesë të gjithë shqiptarët që përdorin linjat urbane, qytetase dhe ndërqytetase, duke derdhur menjëherë 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë, për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit”.
6 muaj më pas, Unioni i Transporteve njoftoi se po shkojnë drejt mbylljes totale.
Pas kësaj deklarate të Unionit, Faktoje bëri një verifikim në disa pika të tregtimit të aboneve më 29 korrik, ku rezultoi se gjatë paradites se kësaj date nuk kishte abone në shitje. Personat përgjegjës për shitjen e tyre e bënë të qartë që nuk do të kishte.
“Nuk i keni dëgjuar deklaratat e bëra?! Nuk ka abone këtë muaj, nuk dihet nëse do të ketë më”, theksuan shitësit e aboneve.
Qytetarë duke pritur autobusin në qendër të Tiranës, 29 korrik 2022
Mirëpo, duket se gjithçka ndryshoi në pak kohë. Ne bëmë një tjetër verifikim më 1 gusht, ku rezultoi se abonetë kishin dalë në shitje.
“Kemi abone të përgjithshme 16 mije lekë (të vjetra) dhe abone të linjave 12 mijë lekë. Kanë dalë dje në darkë (31 korrik)”, na tha një prej shitësve në pikat e autorizuara për shitjen e tyre.
Pikë e shitjes së aboneve në Tiranë, 1 gusht 2022
Një tjetër tregtar sqaron: “Na i sollën të premten pasdite (29 korrik), nga ora 19:30, nuk prisnim që të kishte. Abone studenti s’ka këtë muaj, dalin në tetor”.
Arsyet e tërheqjes së Unionit të Transportit Publik
Në lidhje me këtë çështje, Faktoje bisedoi me përfaqësuesin e Unionit të Transportit Publik, Dashnor Memaj, ku ndër të tjera e pyetëm përse u tërhoqën nga vendimi i ndërmarrë.
“Ne na u ndërpre subvencioni, i cili ishte vetëm për tre muaj dhe prej kohësh kërkonim që të vazhdonte për faktin se çmimi i naftës nuk po bie dhe nuk kanë mundësi financiare operatorët që të funksionojnë normalisht. Duke qenëse na u ndërpre subvencioni bëmë edhe atë deklaratë, por në momentin që ne bëmë deklaratën u vunë në lëvizjet instancat përgjegjëse për këtë punë dhe na thanë që do ketë një shtyrje të subvencionit edhe për tre muaj të tjerë shtesë.
Vendimi akoma nuk është zbardhur, por jemi në pritje. Subvencionin për tre muaj, mars, prill, maj e kanë marrë operatorët. Subvencioni, i cili ishte i paketës së rezistencës që doli në mars dhe u tha që do u jepet sektorit të transporteve. Tani jemi në pritje të tre muajve të tjerë”, argumenton zoti Memaj.
Ai paralajmëron se nëse nuk jepet subvencioni, do të marrin një sërë masash, ku pasojat do t’i vuajnë qytetarët që udhëtojnë me mjetet e transportit publik.
“Nëse nuk merret subvencioni, logjikisht në gjuhën ekonomike do të thotë që ne nuk kemi për t’i furnizuar mjetet tona me naftë dhe për të mbajtur linjat. Do të ulim numrin e mjeteve derisa të kemi fuqi për të punuar edhe me më pak mjete, në momentin që nuk do kemi mundësi financiare do t’i mbyllim fare.
Akoma nuk është vendos se cilët muaj përfshin subvencioni tjetër, por në bazë të asaj që na kanë thënë do të jetë për gushtin, shtatorin, tetorin. Nuk kemi detaje për shumën, por thjesht na është premtuar që me 100% do të kalojnë edhe tre muaj të tjerë. Nuk e di sa do jetë vlera, por do jetë përsëri në nivelin 100 lekë për litër. Kjo na thënë nga Ministria e Financave, ajo e Infrastrukturës dhe Kryeministria”, shprehet për Faktoje përfaqësuesi i Unionit të Transporteve.
Memaj bën të ditur se janë pritje të këtij vendimi, i cili pritet të firmoset brenda datës 15 gusht, duke shtuar se aktualisht linjat kryesore në Tiranë po operojnë me 70-80% të mjeteve.
“Deri në 15 gusht shpresojmë që të kemi në dorë vendimin e firmosur. Ne nuk kemi mundësi financiare për të qenë së paku të rregullt në treg për t’u shërbyer qytetarve, sepse në fund të fundit qytetarët janë ata që e vuajnë më së shumti.
Aktualisht, linjat kryesore operojnë me 70-80% të mjeteve, ndërsa linjat e vogla më pak”, thotë Dashnor Memaj, përfaqësues i Unionit të të Transporteve.
Biletat elektronike dhe shtimi i linjave në Tiranë
Në shkurt të vitit 2017, kryebashkiaku i Tiranës, deklaroi se kryeqyteti do të ishte bashkia e parë me bileta elektronike.
“Me vendimin e Këshillit të Ministrave, më në fund Tirana do të jetë qyteti i parë në Shqipëri që do të kalojë në një sistem elektronik. Ashtu siç folëm dje për risinë e re të parkimit me sms, ashtu edhe me autobusët do të kalojmë në një situatë ku nuk do të ketë më kontakt me fatorino dhe s’do të ketë më shkëmbim për bileta fizike që janë gjithmonë një hapësirë për abuzim”, theksoi Veliaj.
Nuk besoj se do jetë shumë e largët dita kur do të na duhet ta përshtasim qytetin me infrastrukturë për karikimin e autobusëve elektrikë në Tiranë”, tha Veliaj. Por 5 vite nga ky premtim duket se asgjë nuk ka ndryshuar.
Problemet e qytetarëve me transportin urban
Përpos paralajmërimeve dhe frikës se një mbyllje të transportit urban, qytetarët duhet të përballen me një shërbim jo cilësor. Një 25-vjeçare, e cila udhëton çdo ditë me linjën Qendër-Institut shprehet se në këto urbanë mungojnë kondicionerët, ndonëse termometri ka shënuar temperatura mjaft të larta.
Qytetarë në një prej linjave të transportit urban në Tiranë, 1 gusht 2022
“Kulloj në djersë çdo ditë, s’ka kondicionerë. Jam e detyruar të udhëtoj me autobus, pasi nuk kam mundësi tjetër”, tregon e reja.
Qytetarë në një prej linjave të transportit urban në Tiranë, 2 gusht 2022
Të tjerë qytetarë ankohen për vonesa të autobusëve, tejmbushje të tyre, apo mosrespektim të masave anti-Covid.
“Kam mbi 20 minuta që pres linjën e Astirit, ka shumë vonesa”, tregon një 50-vjeçare.
“Në mëngjes dhe pasdite ka shumë njerëz, shtypemi me njëri-tjetrin dhe asnjë nuk mban maska. Rrallë ndonjë mund të shohësh me maskë. Kushtet janë shumë të vështira”, tregon një 55-vjeçar, i cili bën linjën e Kombinatit.
Qytetarë në një prej linjave të transportit urban në Tiranë, 2 gusht 2022
Në mars 2022, qeveria njoftoi se do mbështesë të gjithë shqiptarët që përdorin linja urbane qytetase dhe ndërqytetase, duke derdhur 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që qytetarët përdorues të këtij transporti të mos preken financiarisht nga pasoja e luftës mbi çmimin e karburantit.
Në muajin maj të këtij viti, Faktoje raportoi se subvencioni i premtuar nga qeveria nuk ishte lëvruar plotësisht për transportin urban, duke i futur në krizë.
Prej rreth 2 vitesh tashmë, punonjësit dhe përfaqësuesit e transportit urban shprehen se po përballen me vështirësi të shtuara ekonomike. Në muajin gusht 2020 transporti publik u rihap, u shoqërua me reduktim rreth 50% të përdoruesve, ndaj shoqata kërkoi ndihmë nga qeveria për përballimin e kostove.