Pretendimi: Papë Francesku refuzoi takimin me JD Vance duke e deleguar takimin tek sekretari i shtetit të Vatikanit

Verdikti: E pavërtetë

——————————————

Ndërsa lajmi për vdekjen e Papa Françeskut më 21 prill 2025 u përhap në të gjithë botën, një ditë më parë qarkulluan pretendime se pak para vdekjes së Papës, ai nuk mori pjesë në një takim me zëvendëspresidentin e ShBA, JD Vance.

Megjithatë, nuk ka prova që Papa refuzoi një takim me Vance gjatë fundjavës së Pashkëve 2025, një pretendim që duket se buron nga një artikull i përditësuar që atëherë nga The Daily Beast. 

Përkundrazi, Vance dhe Papa u takuan shkurtimisht të Dielën e Pashkëve, më 20 prill, në një takim të dokumentuar nga të dyja palët.

Zëvendës-presidenti amerikan JD Vance dhe Papë Francesku në Casa Santa Maria, më 20 prill 2025

Planet e udhëtimit të publikuara para Pashkëve tregojne se, si pjesë e një udhëtimi në Itali dhe Indi, Vance duhej të takohej me Kardinalin Pietro Parolin, sekretarin e shtetit të Vatikanit. Ky takim ndodhi më 19 prill, sipas Vatican News, një shërbim lajmesh i ofruar nga Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Komunikim, dhe u zhvillua përveç, jo në vend të, takimit të 20 prillit me Papë Françeskun. 

Sipas Vatican News, Papa dhe Vance patën një takim “të shkurtër” më 20 prill që zgjati “disa minuta”. Në të, dyshja thuhet se shkëmbyen urime për Pashkët dhe rinovuan një “angazhim të përbashkët për të mbrojtur të drejtën e lirisë fetare dhe lirinë e ndërgjegjes”.

Papa dhe Vance shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi “situatën ndërkombëtare, veçanërisht në lidhje me vendet e prekura nga lufta, tensionet politike dhe situatat e vështira humanitare, me vëmendje të veçantë të përqendruar te migrantët, refugjatët dhe ata në burg.”

Papë Francesku vdiq më 21 prill 2025 në moshën 88 vjeç, pasi një goditje në tru e futi në koma dhe i shkaktoi pamjaftueshmëri kardiake. Ai vuante gjithashtu nga një sëmundje kronike e mushkërive dhe kohët e fundit ishte shtruar në spital për 38 ditë për shkak të problemeve me frymëmarrjen që çuan në pneumoni të dyfishtë.

Fakti që JD Vance ishte një nga udhëheqësit e fundit që u takua me Papa Françeskun përpara vdekjes së tij u vu në lojë në mënyrë humoristke nga media dhe rrjetet sociale, ku u parashtruan teori se Vance kishte vrarë Papën, se takimi me Vance ishte aq i padurueshëm sa Papa kishte zgjedhur të vdiste menjëherë pas tij apo se Vance është Antikrishti.