.

.

BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitPandemia u kufizon "lirinë" të miturve në burg, takimet online nuk zëvendësojnë kontaktin me prindin

Pandemia u kufizon “lirinë” të miturve në burg, takimet online nuk zëvendësojnë kontaktin me prindin

ANILA HOXHA

Nëna e një 16-vjeçari që është njohur herët me shkeljen e ligjit, e ka të pamundur të takohet me të birin. Ai është mes 21 fëmijëve “fajtorë” për vepra të ndryshme penale, përfshirë edhe vrasje, që vuajnë dënimin në Institutin e të Miturve në Kavajë. Edhe pse një institucion më shumë edukues sesa penitenciar, “burgu” i Kavajës u është nënshtruar të njëjtave rregulla anti-covid, ashtu si rreth 4700 të burgosurit në moshë të rritur, që ndalon takimin me familjarët. Për juristët e të drejtave të njeriut dhe të të miturve, ky mohim i kontaktit me njerëzit e afërt është i dëmshëm dhe nuk mund të zëvendësohet kurrsesi nga teknologjia online.


Gjatë pandemisë, në muajin qershor, 16-vjecarin A.Xh. e mbyllën në Institutin e të Miturve në Kavajë. Ai u kap nga policia në thyerje të masës “arrest shtëpie”. Fëmija, me një varg problemesh ligjore, e braktisi shkollën në klasën e shtatë dhe pikërisht për shkak të hyrje-daljeve të herëpashershme në Institutin e të Miturve, dy klasa i ka përfunduar brenda qendrës së rehabilitimit, që i përket sistemit të burgjeve. Dënimi më i fundit që rezulton për të miturin në konflikt me ligjin e fajëson atë për vjedhje, pasi në janar 2019 u kap në flagrancë për zhvatjen e një biçiklete. 16-vjeçarit iu bashkuan edhe dosje të mëparshme të së njëjtës kategori dhe gjykata konkludoi se ai ishte autor i vjedhjes së pesë shtetasve.

16-vjeçari A.Xh., me nënën dhe motrën e tij

Protokollet kundër përhapjes së pandemisë, kanë kufizuar edhe takimet e të miturve në këtë institut me të afërmit, ashtu si edhe 4769 të dënuarve dhe të paraburgosurve të tjerë në të gjithë vendin. A.Xh. u takua me Migena Koçollarin,  një specialiste e Shërbimit të Provës, e cila tregon për “Faktoje” se fëmijës i është përpiluar një dosje, që sipas qëndrimit zyrtar të këtij institucioni nën varësi të Ministrisë së Drejtësisë ka nën shërbim prove 360 të mitur.

Dosja e të miturit A.Xh.

Të gjithë të miturit problematikë me ligjin për të cilët drejtësia mban qëndrim tolerant për shkak të moshës, po tentohet të rehabilitohen duke u mbajtur larg burgut. Kjo sugjerohet të ndodhë edhe me A.Xh., që përshkruhet nga Koçollari si një fëmijë, problemet e të cilit kanë nisur që në moshën 9-vjeçare me konsumimin e hashashit.

“Ai ka filluar të shesë banane që i vogël, e ëma punon në një furrë buke dhe familja ka probleme të rënda ekonomike”- shkruhet në dosjen e tij. Shkeljet e mëparshme të ligjit, pas të cilave ai nuk u tolerua më, por u dërgua në institut radhisin akuza për prodhim droge dhe vjedhje, vepra për të cilat gjykata ka vendosur pezullimin e dënimit dhe vënien në provë për katër vite, vjedhje më shumë se tre herë të pasuara sërish me pezullim dënimi dhe vënie në provë përgjatë një viti, vjedhje dhe dënim me provë për të mos u shoqëruar me shtetas të dënuar apo problematikë me ligjin.

Por A.Xh. është mes 21 të miturve që mbahen në qendrën “burg” për vepra nga më të ndryshmet, ku dominojnë të arrestuarit për akuzën e vjedhjes në 13 raste. Katër të mitur të tjerë ndodhen aty për akuzën e vrasjes. Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve tregojnë se 10 nga fëmijët konfliktualë me ligjin janë në moshën 14 deri në 16 vjeç dhe pjesa tjetër i përkasin moshës 16 deri në 18 vjeç. Të miturit e Institutit të Kavajës zënë një pjesë të papërfillshme të të dënuarve që në total rezultojnë të jenë mbi katër mijë shtetas, të ndarë sipas kategorive në të dënuar dhe të paraburgosur.

Instituti i të Miturve në Kavajë

I gjithë ky komunitet u prek nga masat kufizuese për shkak të pandemisë, që solli ndalimin e takimeve me familjarët. Kufizimi i kontakteve u bë i domosdoshëm për të parandaluar përhapjen e virusit Sars Cov 2, që deri tani, sipas konfirmimit zyrtar nga drejtoria e burgjeve, ka prekur një numër prej 74 të dënuarish.

E ëma e A.Xh. është kryefamiljare pasi i shoqi ndërroi jetë pak kohë më parë. Duke folur për “Faktoje”, ajo kërkoi të mos identifikohej për shkak të moshës së fëmijës së saj. Gruaja me inicialet F.Xh., udhëtoi drejt Kavajës javën e kaluar, pa mundur të takohet me të birin:

“Nuk ankohem, i lashë veshje dhe ika. Nuk e takova dot pasi përpiqen t’i ruajnë për të mos shpërndarë infeksionin.”

Juristja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Ardita Kolmarku këmbëngul për “Faktoje” se në rastin e të miturve, takimi fizik me njerëzit më të ngushtë e ndihmon psikologjikisht fëmijën.

“Rregullat e Mandelës kanë përcaktuar qartësisht se duhet të mos ketë kufizime absolute të takimeve, për shkak se kjo rëndon më shumë në gjendjen psiko- emocionale, e cila është e rrezikuar si pasojë e qëndrimit të tyre të izoluar. Gjithashtu vlen të theksojmë se KSHH ka rekomanduar edhe për të rriturit mundësinë e realizimit të takimeve me rotacion me lidhjen e ngushtë të gjakut, duke respektuar masat anti-covid dhe vendosjen e një xhami”- sugjeron Kolmarku.

Salla e takimit në Institutin e të Miturve, Kavajë

Megjithatë të miturve, sikurse edhe të dënuarve të tjerë, gjatë pandemisë u janë vendosur në dispozicion platforma online.  E ëma e A.Xh. tregon se që prej muajit qershor i biri komunikon përmes Skype me të motrat, çdo të martë dhe të premte.

“Është i penduar. Ata po e ndihmojnë, por megjithatë fëmija im ka nevojë që ta takoj nga afër dhe ta shikoj. Mbase rrallë, por prania e prindit në raste të tilla nevojitet.”- thotë nëna e 16-vjeçarit.

I pyetur për “Faktoje” mbi këtë problematikë, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili sjell në vëmendje përpjekjet e këtij institucioni për të respektuar të drejtat e çdo shtetasi që mbahet në institucionin penitenciar dhe në veçanti trajtimin e të miturve. Nga ana tjetër, ai shprehet kategorik kur vjen fjala te garantimi i sigurisë shëndetësore.

“Pandemia nuk ka patur impakt pozitiv ndaj askujt, për rrjedhojë edhe në burgje. Por janë marrë një sërë masash që të parandalohet dhe minimizohet përhapja e virusit. Si rrjedhim i këtij reagimi janë prekur nga infeksioni vetëm 74 të dënuar dhe numri është mjaft i ulët. Sa i takon të miturve, aty padyshim ka përpjekje të shtuara dhe staf të shtuar krahasimisht me të rriturit. Aty shkolla vazhdon normalisht. Pandemia ka prekur të drejtat e të gjithëve në të gjithë globin, por masat janë propocionale për të parandaluar rrezikun më të madh.”-thotë Ismaili.

Instituti i të Miturve në Kavajë

Altin Hazizaj, drejtor i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve e konsideron të justifikueshëm “mohimin” e takimeve të të miturve me prindërit, përsa kohë shteti mban përgjegjësinë kryesore për jetën e tyre. Por tanimë që kanë kaluar shumë muaj dhe pandemia po zgjat, Hazizaj thotë për “Faktoje” se duhen menduar zgjidhje të tjera.

“Në kushtet ku jemi sot, ku e njohim më mirë pandeminë, mendoj se administrata e burgjeve brenda rregullave që ekzistojnë, mund të bëjë një kombinim më të mirë të burimeve njerëzore me nevojat e të miturve për programe të mirëfillta rehabilitimi, të mësimit online, lojës dhe mësimit të rregullave të shoqërisë. Personalisht mendoj se thjesht frika që kemi nga ky virus nuk mjafton që ne të kufizojmë të drejtat e të miturve. Marrim rastin e takimeve me prindërit. Fare mirë ato mund të realizohen në distancën e kërkuar dhe në kthim, çdo adoleshenti para se të hyjë në regjim, mund t’i kërkohet të bëjë një dush dhe të ndërrojë rrobat. Si profesionist në këtë fushë mendoj se po të ulen zyrtarët e këtij institucioni me disa profesionistë dhe mjekë epidemiologë, mund të gjendet një zgjidhje që respekton edhe stafin, edhe të miturit.”- sugjeron Azizaj.

Instituti i të Miturve në Kavajë është hapur në vitin 2009. I realizuar me një fond prej 2.4 milionë euro si investim i BE, vlerësohet se kapaciteti i këtij instituti është për 40 të mitur. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve konsideron se 80 përqind e stafit është civil dhe vetëm 20 përqind është policor dhe të miturit aty, veç ndjekjes së programeve mësimore, frekuentojnë programe psikologjike, sociale por edhe sportive. Por tanimë me pandeminë, ndonëse shkolla në këtë burg është e vetmja në rang republike që vijon me orare të zgjatura, 21 fëmijët aty po trajtohen pa u diferencuar sipas llojit të veprës penale të kryer dhe nuk u lejohet takimi fizik me familjen. F.Xh. nëna e 16-vjeçarit, këmbëngul se rehabilitimi aty po e ndihmon të birin. Ai kreu dy klasa brenda në burg, por sërish takimi sy më sy është i domosdoshëm dhe nuk mund të zëvendësohet kurrsesi përmes komunikimit online.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img