.

.

BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitPandemia tregoi se familjet në nevojë dhe fëmijët në situatë rruge janë më shumë sesa thotë Bashkia Korçë    

Pandemia tregoi se familjet në nevojë dhe fëmijët në situatë rruge janë më shumë sesa thotë Bashkia Korçë    

DANIELA ZISI

Fëmijë të komunitetit rom dhe egjiptian në Korçë i janë rikthyer lypjes apo punëve të rëndomta edhe pse pandemia dhe rreziku nga infektimi janë ende të pranishme. Muajt e izolimit mbyllën përkohesisht “aktivitetin” e tyre duke thelluar skajshëm varfërinë dhe kushtet e jetesës së shumë të miturve që duhej të kishin vijuar mësimin online, por në realitet nuk arrinin të shuanin urinë. Bashkia ka deklaruar se ka ndihmuar 2000 familje, gjysma e të cilave në fakt u ndihmua me pako nga organizatat, ndërsa konfirmon se në Korçë ka vetëm 10 fëmijë në situatë rruge. Por nga një verifikim në terren konstatuam se numri i fëmijëve që punojnë apo shfrytëzohen dhe i familjeve që nuk arrijnë të ushqehen as me bukë, rrezikon të jetë shumë më i madh.


Muajt e pandemisë, shoqëruar me masa të forta kufizuese dhe izolim që nisën prej 9 marsit të këtij viti dhe vazhduan deri në maj, vështirësuan jetën e fëmijëve në situatë rruge dhe familjeve të tyre. Gjatë ditëve të zakonshme ata e siguronin jetesën kryesisht nga lypja, mbledhja e bimëve mjekësore apo e materialeve të riciklueshme.
Kjo kategori fëmijësh, që i përkasin komunitetit rom dhe egjiptian, vijnë nga familje me probleme të mprehta sociale dhe ekonomike dhe pamundësia për të lypur apo punuar gjatë izolimit, thelloi varfërinë dhe çoi në ekstrem mbijetesën e familjeve të tyre me shumë anëtarë.

Faqja zyrtare e bashkisë së Korçës publikoi në 10 prill, informacionin për shpërndarjen e ndihmave për 2 mijë familje në nevojë, duke e ilustruar me video dhe foto.

Vetë bashkia e pranon se nga buxheti i saj janë mbuluar 1000 pako ushqimore dhe materiale për kujdesin e higjienës, ndërsa pjesa tjetër e pakove, pra për gjysmën e familjeve në vështirësi janë mbuluar nga organizatat vendase dhe të huaja.

Bashkia thotë se është e vendosur për të ndihmuar të gjitha familjet në vështirësi ekonomike në Korçë dhe njësitë administrative të saj.

Por nga vëzhgimi dhe kontakti me fëmijë në situatë rruge dhe prindërit e tyre rezulton që ndihma e bashkisë së Korçës gjatë izolimit nuk ka arritur tek të gjithë ata që ishin në nevojë emergjente. Pandemia goditi më rëndë familjet që nuk trajtohen me ndihmë ekonomike. Organizatat që përfaqësojnë komunitetin rom dhe egjiptian pretendojnë se në bashkinë e Korçës janë të evidentuara rreth 300 familje rome dhe 1000 familje të komunitetit egjiptian që nuk janë të përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike, një pjesë e të cilave thonë se nuk u ka trokitur në derë ndokush nga bashkia. Ndihma e bashkisë së Korçës në ditët e pandemisë, u kufizua tek pakot ushqimore, edhe pse nevojat bazike të këtyre familjeve, mbërthyer prej vitesh në kurthin e mjerimit pa rrugëdalje, janë shumë më të mëdha dhe komplekse. Pjesa më e madhe e familjeve të kësaj kategorie, nuk kanë një strehë të përshtatshme, jetojnë në zona të paurbanizuara, ku mungon rrjeti për ujin e pijshëm, mungojnë kanalizimet për ujërat e zeza dhe energjia elektrike. Në kontekstin e ri të krijuar nga pandemia ku higjiena konsiderohet ndër masat kryesore mbrojtëse, ky komunitet është shumë herë më i ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit. Nga ana tjetër, niveli i lartë i papunësisë te kjo kategori e bën të vështirë, deri të pamundur sigurimin e ushqimit të përditshëm.

Luftë për bukë dhe për sapun

Për 11-vjeçarin Florian S. dita fillon me lypjen, në një lagje periferike të Korçës,duke vazhduar tek shkallët e Katedrales dhe mbaron në zonën Pedonale ose Pazarin e Vjetër. Ka filluar të lypë që kur ishte pesë vjeç dhe e di, që po nuk lypi, e ëma nuk ka me çfarë ta ushqejë.

Florian S. me të ëmën dhe dy motrat

Bashkë me të dhe dy motrat shtatë vjeçe dhe dhjetë muajshe, familja e Florianit, mban frymën gjallë me ato pak para’ mëshire, të cilat muajve të izolimit iu munguan plotësisht. Me gjysmë zëri Floriani tregon se sot nuk ka ngrënë, ndërsa ushqimi i përditshëm për të është buka me vaj.

“Kur shkoja në shkollë,”-thotë i mituri, -“dilja për të lypur mbrëmjeve, por qëkur u mbyllën shkollat, gjithë kohën jam në rrugë, duke shkuar nga një zonë e qytetit në tjetrën”- thotë 11 vjeçari, që vuan nga astma kronike, por gjatë rrëfimit nuk përmend nëse trembet nga koronavirusi që po prek çdo ditë e më shumë persona. I pëlqen shumë shkolla, por mungesa e një telefoni dhe interneti ia bëri të pamundur ndjekjen e mësimit online.

E ëma e Florianit, 29-vjeçarja Fatime S. thotë se pasi iu sëmur bashkëshorti, i mituri ka dalë çdo ditë për të lypur. “Nuk kemi asnjë të ardhur dhe ndihma ekonomike më është ndërprerë prej katër vitesh.”-thotë Fatimja, e cila shton se muajt e izolimit janë ushqyer me mbeturina nga kazanët dhe pak ushqime që u tepronin fqinjëve. “Për të lypur nuk dilnim dot nga frika e policisë dhe as bashkëshorti nuk mblidhte dot kanaçe. Kishte netë kur fëmijët flinin të pangrënë. Një pako me ndihma ushqimore nga rrjeti i shoqatave të romëve, ështe e vetmja ndihmë që mori familja e saj.

“Nga bashkia nuk kam marrë asgjë. Kanë ardhur në shtëpi punojës të bashkisë dhe më kanë thënë që do të sjellim ushqime. Por kaluan tre muaj dhe askush nuk është kujtuar për mua.” – thotë 29-vjeçarja.

Alketa Kallajxhiu, nëna e dhjetë fëmijëve, del çdo ditë për të lypur bashkë me gjashtë fëmijët, që jetojnë ende me të dhe bashkëshortin.
Prej vitesh strehohet në një ndërtesë të papërfunduar, në periferi të Korçës, ku nuk ka as ujë, as energji elektrike dhe as tualet.

Alketa Kallajxhi

Mbijetesa e familjes varet vetëm nga çfarë sigurojnë fēmijët duke lypur. “Asnjë nga fëmijët nuk doli për të lypur, kur qyteti ishte i mbyllur,”- tregon Alketa -“se nuk na linte policia. Më të vegjëlve u sillnin bukë dhe ndonjë ushqim fqinjët, ndërsa fëmijët më të rritur hanin ç’gjenin kazanëve të mbeturinave. Bashkia këto muaj na ka sjellë tre pako me ushqime, por ne jemi tetë frymë dhe duke kursyer mezi i shtyjmë disa ditë”-rrëfen e dëshpëruar 45-vjeçarja.

Dy prej fëmijëve tē Alketës i gjen në çdo orë të ditës në Pedonale ose në hyrje të Pazarit, ku vëllai 21-vjeç shfrytëzon për lypje motrën gjashtë vjeçe.

Aleks Kallajxhi dhe motra e tij

60 familjet që jetojnë në zonën që njihet ndryshe si “Fajanca”, izolimi i zhyti më thellë në mjerim dhe borxhe. Pandemia është sfida më e madhe që po përballojnë, dhjetëra banorë të kësaj lagjeje, të cilët prej vitesh jetojnë në baraka të sajuara me llamarina dhe plastmas, të vendosura mes fushës, pa ujë dhe energji, në kushte ekstreme të mungesës së higjienës, në një kohë kur autoritetet bëjnë thirrje për shtimin e masave parandaluese nga virusi Covid-19.

Barakat në zonën e Fajancës

“Edhe në ’97-n nuk ishim kaq keq”- thotë Dhurata Çoçi. Familja prej gjashtë anëtarësh nuk ka asnjë të ardhur dhe gjatë muajve të izolimit janë ushqyer duke kërkuar borxh dhe marrë bukën me listë. “Unë dhe bashkëshorti jemi pa punë. Dy fëmijët më të vegjël, gjashtë dhe shtatë vjeç, dilnin në fushë për të mbledhur bimë mjekësore, por nuk kishim ku dhe kujt t’ua shisnim. Bashkia na ka sjellë një pako me ushqime çdo muaj, por ajo na mjaftonte për dy ose tri ditë. Me perime të kalbura, që na sillte një komshi, jemi ushqyer për tre muaj, se edhe nëpër kazanë nuk gjeje gjë”-rrëfen Dhurata.

Dhurata Çoçi

Edhe sot tavolina e familjes Çoçi është po aq e varfër sa 3 muaj më parë dhe fëmijët e familjes mund të shuajnë urinë vetëm me bukën e gatuar me miell borxh.

Fëmijët e Dhurata Çoçi

Në të njëjtat kushte jetojnë edhe 30 familjet e vendosura në zonën e ish-Ndërmarrjes Gjeologjike, të cilat gjatë pandemisë kaluan një situatë ekstreme të mungesës së higjienës, përveç nevojave për ushqim. “Fëmijët u mbushën me parazitë- tregon Elisabeta Dinglloshi, nëna e katër fëmijëve, e cila shton se nuk kishte më çfarë të blinte as sapunë, as detergjentë; nga bashkia kanë marrë vetëm një herë pako me detergjentë dhe nga dy pako me ushqime për familje.

Elisabeta Dinglloshi

“As ne nuk dilnim dot për kanaçe dhe as fëmijët, për të mbledhur materiale plastike ose hekur. Mbetëm pa asnjë lek, me duart nga qielli. Nuk lanim dot rrobat dhe as veten”- thotë ajo. Disa familje nuk kanë marrë ndihma fare, sepse nuk figuronin në listat e bashkisë. Nuk kemi pasur lekë t’u blinim ilaçe fëmijëve kur na sëmureshin dhe askush nuk na ndihmoi. Jemi të gjithë me borxhe në dyqane dhe të afërm. Jemi pa punë, pa asistencë dhe ka të sëmurë rëndë, që nuk marrin as pagesën e KEMP-it.”-thotë Elisabeta.

Zona e ish–Gjeologjikes

Bashkia: Asnjë fëmijë nuk punon në Korçë, por çfarë thonë organizatat rome dhe egjptiane

“Me fondin prej 2 milionë lekësh nga buxheti i bashkisë,”-thotë drejtori i Shërbimeve Sociale të bashkisë Ilir Zguri – “janë shpërndarë gjatë kohës sē pandemisë një mijë pako ushqimore dhe sanitare për familjet me probleme ekonomike, të cilat ne i kemi të evidentuara. Po ashtu, mbi një mijë familje të tjera kanë përfituar ndihma të siguruara nga donacionet e biznesit, organizatat dhe institucione të ndryshme. Pjesa më e madhe e familjeve që përfituan ndihmë janë të komunitetit rom dhe egjiptian, shumica në qytetin e Korçës dhe më pak në fshatrat e bashkisë.”

“Listat e familjeve që kanē përfituar ndihma”- vijon Zguri- “janë konsultuar edhe me organizatat rome dhe egjiptiane dhe veç personave që figurojnë në skemën e ndihmës ekonomike, ne kemi ndihmuar edhe ato familje që nuk janë pjesë e skemës.”

Arben Kosturi, drejtori ekzekutiv i Rrjetit të Organizatave Rome dhe Egjiptiane, flet për një situatë ndryshe. Sipas tij, janë me dhjetëra familjet në nevojë që nuk morën asnjë pako me ushqime nga bashkia. Numri i familjeve që nuk sigurojnë dot as bukën është shumë herë më i madh, se numri i familjeve që bashkia trajtoi me ndihma ushqimore gjatë pandemisë, sipas Kosturit. Madje kjo situatë me numrin e të papunëve dhe si pasojë të familjeve pa të ardhura dhe pa përkrahje duke shtuar varfërinë. “Janë ndarë pako me ushqime për rreth 700 familje në vështirësi ekstreme” – thotë Kosturi – “por ka edhe shumë të tjera, që bashkia i ka lënë jashtë listave dhe kjo verifikohet lehtë në terren. Nga ana tjetër,ne kemi konstatuar që janē ndarë ndihma në lagjet 1,2 dhe 3, ku nuk ka familje të komuniteteve në minorancë.”- pohon ai.

Arben Kosturi, drejtori ekzekutiv i Rrjetit të Organizatave Rome dhe Egjiptiane

Bashkia e Korçës, sipas drejtorit të Shërbimeve Sociale, është fokusuar në periudhën e izolimit sidomos tek familjet në vështirësi ekstreme, me persona të sëmurë dhe që kanë fëmijë në situatë rruge. “Këto të fundit janë trajtuar të gjitha me pako ushqimore, jo vetēm nga bashkia, por edhe nga organizatat. Bashkia ka të regjistruar dhjetë fëmijë në situatë rruge, të cilët lypin.”-pohon Ilir Zguri.

Sa i takon fëmijëve që punojnë, të cilët legjislacioni i kategorizon gjithashtu si fëmijë në situatë rruge, Zguri thotë se bashkia nuk ka të raportuar dhe regjistruar asnjë fëmijë që punon.

Organizatat rome dhe egjiptiane nuk bien dakord me statistikat e bashkisë për fëmijët në situatë rruge. Edhe situata që konstatuam gjatë verifikimit në terren e rrëzon këtë pretendim. Ne kontaktuam me kryetarin e Unionit Egjiptian, Muhamet Rapi, i cili thotë se në Korçë janë rreth 30 fëmijë që lypin, ndërsa numri i fëmijëve që janë të detyruar të punojnë për shkak të pamundësisë së prindërve për t’u siguruar ushqim, është shumë i madh.

Argumentin e mbështet edhe drejtori ekzekutiv i Rrjetit te Organizatave Rome dhe Egjiptiane Arben Kosturi. “Nuk ka familje rome dhe egjiptianë, që të paktën njëri prej fëmijëve të mos punojë. Mjerimi i detyron të lypin ose të bëjnë punë të ndryshme. Shumica mbledhin kanaçe ose materiale plastike dhe punojnë gjithë ditën për 100 lek. Punojnë edhe ata që janë nga pesë ose gjashtë vjeç. Ka fëmijë që nxjerrin hekur nga ndërtesat e braktisura, mbledhin bimë mjekësore ose çajnë dru gjatë dimrit”- thotë Kosturi.

Organizatat rome dhe egjptiane e kanë të pamundur të flasin me shifra të sakta për numrin e fëmijëve në situatë rruge. “Evidentimi, grumbullimi dhe analizimi i të dhënave për këtë kategori, kërkon kapacitete njerëzore dhe financiare,të cilat ne nuk i kemi.”- thotë Arben Kosturi.

Rrjeti i Organizatave Rome dhe Egjiptiane ka të evidentuar rreth tetë mijë persona që I përkasin komunitetit rom, ku rreth tre mijë jetojnë në qytetin e Korçës dhe pjesa tjetër të shpërndarë në Pogradec, Bilisht dhe Maliq. Sa i takon komunitetit egjiptian, shifra arrin në 25 mijë persona në nivel qarku, me shpërndarje më të madhe në Korçë, Pogradec, Maliq, Devoll dhe Kolonjë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img