.

.

BallinaPremtimeTë pambajturaPandemia dhe rindërtimi, sa i qëndron kryeministri Rama premtimeve?

Pandemia dhe rindërtimi, sa i qëndron kryeministri Rama premtimeve?

Planet strategjike të qeverisë, që shoqërohen me deklarata e premtime optimiste duket se nuk janë realiste. Shqipëria kaloi dy gjendje fatkeqësie natyrore në më pak se 4 muaj distancë nga njëra-tjetra cka sollën goditje të forta ekonomisë shqiptare. Megjithatë kryeministri Rama në deklaratat e para publike gjatë pandemisë tha se koronavirusi nuk do ta ngadalësonte procesin e rindërtimit. Por a i qëndron sot kryeministri fjalëve të tij?


Në mesin e muajit mars vendi ynë u izolua për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri në masë të gjerë të popullatës. Goditja ekonomike rëndonte vendin tonë në një moment kur tërmeti kishte lënë pas mijëra të pastrehë dhe një faturë që tejkalonte vlerën e 1 miliardi eurosh. Pas mbylljes së një numri biznesesh dhe rialokimet e buxhetit të shtetit, i natyrshëm ishte edhe efekti që pandemia do të kishte në një proces aq të kushtueshëm dhe kompleks sa rindërtimi.

Megjithatë, në ditët e para pas shpërthimit të pandemisë në vendin tonë, më 12 mars, kryeministri Rama bëri me dije nëpërmjet një postimi në Facebook se koronavirusi nuk do ta ndalonte apo zvogëlonte procesin e rindërtimit.

Por nëse këtu kreu i qeverisë iu referua faktit që nuk do ndryshojë madhësia e planeve të rindërtimit, pak ditë më vonë ai u ndal edhe mbi elementin kohë që do duhej për realizimin e këtij procesi. Më 16 mars, në një mesazh video drejtuar qytetarëve në Facebook, zoti Rama tha specifikisht që rindërtimi nuk do të shtyhej për shkak të situatës me koronavirusin.

“Plani ynë për rindërtimin, as nuk shtyhet, as nuk ndryshon.” – deklaroi kreu i qeverisë.

U desh diçka më pak se një muaj që kryeministri Rama të fillonte të lëkundej nga deklarata e tij. Më 8 prill, në kulmin e izolimit nga pandemia, ai ishte i pranishëm në Thumanë për të “nisur rindërtimin”, siç u shpreh në faqen e tij në Facebook. Gjatë një bashkëbisedimi në terren kryeministri njohu pengesën e “armikut të padukshëm” në procesin e rindërtimit.

“Pavarësisht se na doli ky armik, duhet të bëjmë çmos që ta çojmë drejt vitit të ri me sukses. Tani s’i bëjmë dot të gjithë, por shumicën e atyre që kanë shtëpi individuale do bëjmë çmos ta çojmë me sukses deri për vit të ri.” – tha zoti Rama.

Në këtë mënyrë kryeministri lëvizi nga premtimi i tij për ndërtimin e të gjitha shtëpive individuale brenda këtij viti për shkak të pandemisë, duke dëshmuar kështu efektin e qartë të koronavirusit në rindërtim.

Më 22 gusht, kreu i Partisë Demokratike, zoti Lulzim Basha ripostoi në faqen e tij në Tëitter një premtim të shkelur të ministrit të Rindërtimit, zotit Arben Ahmetaj, mbi rindërtimin e 500 banesave në zonën e Laçit brenda muajit korrik.

Kryeministri Rama nuk vonoi t’i kundërpërgjigjej brenda të njëjtës ditë nëpërmjet një postimi në Facebook ku theksonte efektin e koronavirusit në programin e rindërtimit.

Kështu, zoti Rama pranon që pandemia e shkaktuar nga COVID-19 përbënte një pengesë për rindërtimin që e ka shtyrë në kohë programin e rindërtimit. Kjo paraqet një hap të fortë pas nga deklarata e datës 16 mars e kreut të qeverisë, sipas së cilës korona nuk do ta shtynte rindërtimin.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img