Pretendimi: Kapsula që solli astronautët e Apollo 11 në Tokë u hodh nga një avion
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————-
Një video që po qarkullon në rrjete sociale pretendon se tregon kapsulën që solli astronautët e misionit hapësinor Apollo 11 duke u lëshuar nga një avion. Kjo sillet si provë se misioni hapësinor që dërgoi njerëzit e parë në Hënë në të vërtetë ishte një inskenim.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale nga është shkëputur klipi i mësipërm. Ajo është publikuar në Youtube më 3 maj 2013 nga llogaria zyrtare e Qendrës Hapësinore Johnson të NASA.
Sipas përshkrimit të videos, ajo tregon një version testues të anijes kozmike Orion, i cili u ul në mënyrë të sigurtë gjatë një simulimi të dy llojeve dështimesh parashute më 1 maj 2013.
Sipas njoftimit për shtyp, kjo provë u krye në Arizona më 1 maj 2013 dhe kapsula e rreme do t’u siguronte inxhinierëve të dhëna mbi skenarë të mundshëm dështimi të parashutave gjatë zbritjes.
Pra, video e mësipërme është filmuar në maj 2013 dhe kapsula në të është një model i kapsulës së anijes kozmike Orion. Ndërkaq, kapsula e Apollo 11 u kthye në Tokë më 24 korrik 1969.
Moduli i komandës së Apollo 11 Columbia me astronautët Neil Armstrong, Michael Collins dhe Buzz Aldrin në bord ra në orën 11:49 të mëngjesit CDT, më 24 korrik 1969, rreth 1500 km në jugperëndim të Hawai dhe vetëm 22 km larg nga aeroplanmbajtësja USS Hornet.
Anija kozmike Orion, e cila do të përdoret në misionet Artemis të NASA, u ndërtua me qëllimin për t’i çuar njerëz në hapësirë më larg se sa kanë shkuar ndonjëherë më parë.
Fluturimi i saj i parë u krye më 5 dhjetor 2014, për qëllime testimi fluturimi pa pilot me një raketë Delta IV. Deri në 2024, anija kozmike Orion nuk ka bërë ende një fluturim me pilot. Fluturimi i parë me ekuipazh është planifikuar të jetë rreth Hënës si pjesë e misionit Artemis II. Data e planifikuar për këtë mision është viti 2025.