MERXHAN DACI
Paketa “Antishpifje” e cila duhet të zbatohet nga AMA edhe pse kjo e fundit e ka kundërshtuar po diskutohet në Komisionin e Ligjeve. Organizatat ndërkombëtare, gazetarë brenda dhe jashtë vendit e kanë kundërshtuar këtë draft që i hap rrugë censurës së mediave dhe mbylljes se tyre.
————————————————————————————————————————————————————-
Paketa “Antishpifje” u diskutua sot në Komisionin e Ligjeve. Këtë herë ishte radha e ekpertëve dhe organizatave ndërkombëtare për të dhënë opinionin e tyre mbi këtë projektligj, të cilin shumë organizata mediatike në vend përfshirë “Faktoje” e kanë konsideruar cënim të lirisë së medias.
Zëvendës shefja e Delegacionit Europian në Shqipëri Monika Bylaite tha se duhet të sigurohet përputhshmëria e projektligjit me lirinë e medias duke këshilluar të përdoret ekspertiza e ofruar prej tyre.
“BE rekomandon qasje më pak të rëndë, vetërregulluese në raport me këtë projektligj. Rregullimi i medias ‘online’ mund të ketë efekte negative në lirinë e medias në përgjithësi. Duhet më shumë konsultim me median”, tha ajo.
Ndërkaq, përfaqësuesja e OSBE, Irina Radu tha se ishte e shqetësuar për rolin e Autoritetit të Medias Audiovizive në këtë proces.
“Jemi të shqetësuar nga roli i AMA-s në këtë projektligj. Duhet të hyjë më shumë në lojë drejtësia, jo AMA në lidhje me shpifjen”, tha Radu.
Fjoralba Shkodra, përfaqësuese e zyrës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri tha se ky projektligj mund të çojë në censurë ndaj gazetarëve.
“Ky projektligj mund të çojë në heshtjen e gazetarëve investigativë. Shprehim kritikën tonë se shpifja duhet të ngelet në kompetencën e gjykatave. Bllokimi i faqeve të internetit është problem”, tha ndër të tjera Shkodra.
Ekspertja e pavarur e KiE Deirdre Kevin tha se në projektligj i jepet rëndësi shpifjes më shumë se disinformimit dhe solli një rekomandim konkret dhe të qartë.
“Rekomandimi ynë është të bëni një hap pas. Në eksperiencën dhe praktikën tonë nuk njohim nismë të tillë. Rolin që ju kërkoni ta ushtrojë AMA mund ta bëjë Këshilli i Medias ose një organ tjetër i pavarur. Ka një urgjencë që karakterizon shpifjen dhe nuk është propocionale në raport me disinformimin”, tha ajo.
Ralf Gjoni, deputet i opozitës propozoi një qasje të ndryshme nga ajo e maxhorancës duke kritikuar kryeministrin për këtë iniciativë.
“Unë jam për një qasje britanike “Ofcom” që është një institucion i pavarur. AMA është një institucion i politizuar që nuk mund të kryejë rolin e gjykatës. Kjo iniciativë është për të përmbushur dëshirat e një individi që është kryeministri”, tha ai.
Ndërsa në komisionet parlamentare diskutohet paketa antishpifje, “Faktoje” u interesua pranë shërbimeve factchecking në rajon sesi rregullohet media ‘online’ në vendet e tyre. Kjo nisur edhe nga deklaratat e qeverisë se për paketën antishpifje janë marrë modele nga disa vende në rajon dhe Europë.
“Faktoje” pyeti organizatat në rajon
“Çfarë roli ka autoriteti i mediave në vendin tuaj?”
“A ka të drejtë Autoriteti i Mediave të kontrollojë përmbajtjen e mediave ‘online’, t’i gjobisë apo bllokojë atyre aktivitetin?”.
Këto ishin pyetjet që “Faktoje” iu drejtoi organizatave fact checking.
Tijana Cvetijanin, e organaziatës fact check në Bosnje Hercegovinë “Istinomjer.ba” dhe anëtare e bordit në ‘Rrjetin Ndërkombëtar të Organizatave Factchecking’ tregon mbi rolin e autoritetit të mediave në vendin e saj:
“Bosnje dhe Hercegovina ka Agjencinë Shtetëore të Rregullimit të Komunikimit (Communications Regulatory Agency) e cila është e ngarkuar për kontrollin e radiove dhe televizioneve dhe jo të mediave ‘online’, të cilat nuk i kontrollon ndonjë autoritet. Sa i përket agjencisë në fjalë ajo mund të gjobisë transmetuesit (radiot dhe televizionet) nëse shkelin rregullat e transmetimit dhe teorikisht mund të bllokojnë aktivitetin e tyre, por në prakikë kjo nuk ka ndodhur deri tani“.
Teofil Blaževski, redaktor i projektit të Medias “Metamorphosis” në Maqedoninë e Veriut u përgjigj:
“Agjencia nuk ka kompetenca dhe kontroll mbi median ‘online’ edhe pse ka pasur përpjekje nga autoritetet shtetërore për ta bërë atë, që të marrë një kontroll të tillë, duke zgjeruar Kodin Zgjedhor me detyrime që Agjencia të monitorojë median ‘online’ gjatë zgjedhjeve.
Agjensia nuk ka pranuar të zbatojë këtë lloj monitorimi gjatë disa të zgjedhjeve të kaluara me shpjegimin se është përtej kompetencave të saj ligjore, dhe se nuk ka kapacitete për ta kryer atë, dhe gjithashtu se askund në botë nuk ka një shembull krahasues të një organi që rregullon mediat online!
Shoqatat e gazetarëve kanë arritur të ushtrojnë presion të mjaftueshëm duke kërkuar që hapësira në internet (tani për tani) t’i lihet ekskluzivisht mekanizmave të vetë-rregullimit. Organi vetë-rregullues është Këshilli i Medias“.