Nxënësit e klasave kolektive do t’i nënshtrohen një testimi për vlerësimin e njohurive në Gjuhën Shqipe dhe Matematikë, më datë 6 dhjetor me urdhër të Ministrisë së Arsimit. Vendimi erdhi një javë pasi Faktoje raportoi se si shkollat apo klasat kolektive po penalizojnë arsimimin e mijëra fëmijëve në gjithë vendin. Rasti më flagrant ishte ai i nxënësit që po përsëriste për të tretin vit klasën e parë, në shkollën kolektive “Hamdi Mansaku” në Zall Dajt.
…………………………………………..
“Zhvillimi i testimit të nxënësve të klasave të bashkuara II-IX të arsimit bazë, më datë 6 dhjetor 2021”- përcaktohet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, që mban datën 18 nëntor.
Ndër të tjera në udhëzim përcaktohet se testi fillon në orën 10:00, zgjat për 60 minuta dhe nxënësit do të vlerësohen për njohuritë gjuhësore në leximin e shkrimin e Gjuhës Shqipe, por edhe të njohurive matematikore.
Screenshot nga udhëzimi i MASR
Testimi i nxënësve të klasave kolektive vjen thuajse një javë pasi Faktoje solli në vëmendje problemet e theksuara të mësimdhënies në shkollat kolektive, duke sjellë rastin konkret të një nxënësi 8-vjeçar në shkollën “Hamdi Mansaku” në Zall Dajt, i cili përsëriste për herë të tretë klasën e parë.
Në lidhje me këtë rast dhe fenomenin e klasave kolektive në tërësi, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit dhe Sportit më 8 nëntor. MASR na ktheu një përgjigje më datë 26 nëntor, pas ankimimit të bërë në adresë të Komisionerit Për Të Drejtën e Informimit.
Kërkesa për informacion dërguar MASR më 8 nëntor
Ministria e Arsimit sqaron ndër të tjera për Faktoje se po verifikohet rasti i vogëlushit 8-vjeçar dhe se rasti është deleguar pranë zyrës arsimore Tiranë.
“Përsëritja e vitit shkollor, përkatësisht e klasës së I-III, referuar Urdhërit nr.31, datë 28.01.2020 në nenin 8 parashikon shprehimisht përsëritjen e klasës së parë, të dytë apo të tretë. Procedohet nëpërmjet një kërkese të iniciuar nga personi i cili ushtron përgjegjësinë prindërore.
Kërkesa paraqitet pranë drejtorit të institucionit arsimor parauniversitar për miratim. Në paragrafin e tretë të nenit 8 të këtij urdhëri specifikohet se përsëritja e klasës së I-III bëhet vetëm një herë.
Faktorët, të cilët mund të ndikojnë për përsëritje janë të ndryshëm duke filluar që nga ndikimet e pandemisë, zhvillimi i fëmijës etj. Për rastin në fjalë do ndiqen procedurat e verifikimit, e cila është deleguar pranë zyrës arsimore Tiranë”- theksohet në përgjigjen e MASR.
Shkolla 9-vjeçare “Hamdi Mansaku”, nëntor 2021
Një prej pyetjeve që iu adresua MASR, ishte nëse ky institucion ka ndonjë plan për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies në klasat kolektive.
Ministria e Arsimit ktheu këtë përgjigje:
“Formimi i klasave të bashkuara vjen si pasojë e mosplotësimit të numrit të nxënësve duke ju ofruar mundësi arsimimi për çdo fëmijë, i cili mund të neglizhoj sistemin arsimore si pasojë e largësisë. Klasat kolektive parashikohen në Udhëzimin nr.14 datë 28.07.2021 Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr.3. Nisur nga nevojat është parë e arsyeshme që për efekt përmirësimi të cilësisë së mësimdhënies të përqendrohen shkollat në një të vetme.
Por, gjatë verifikimit që Faktoje bëri në fillim të nëntorit në Zall-Dajt, prindërit bënë të ditur se në këtë zonë mungonte kopshti dhe arsimi parashkollor. Fëmijët dërgohen direkt në klasën e parë dhe vështirësitë janë të mëdha për nxënësit, prindërit, por edhe mësuesit. Ne pyetën zyrtarisht Ministrinë e Arsimit mbi arsyet pse kjo zonë nuk ka kopsht dhe parashkollor, por MASR thekson se kjo nuk është përgjegjësi direkte e saj.
“Theksojmë se arsimi parashkollor, çerdhet dhe kopshtet nuk janë vetëm kompetencë eksluzive e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në bazë të Urdhërit nr.7244, datë 14.03.2016 për Riorganizimin e strukturës organizative të Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve, institucion në varësi të Bashkisë së Tiranës është pjesë e administrimit vendor, si e tillë hapja e një kopshti publik është në diskrecion të njësisë administrative vendore. Hapja dhe mbyllja klasave dhe grupeve mbështetet në Udhëzimin nr.30 datë 12.09.2018 të MASR” – sqaron Ministria.
Fenomeni i klasave kolektive, që siç pranohet edhe zyrtarisht do zgjasë në kohë, rrezikon mbi 20 mijë nxënës të shpërndarë në 2500 klasa të tilla në të gjithë vendin.