VOTIMI ELEKTRONIK NE KAMEZ

Kamza, Vora dhe Elbasani janë tre bashkitë e vetme nga totali i 61 njësive të vetqeverisjes vendore ku qytetarët votuan në mënyrë elektronike të dielën e 14 majit. Por ndryshe nga sa pritej, shpallja e rezultateve përfundimtare në këto tre bashki nuk doli brenda një ore, por u shoqërua me një zvarritje të tillë, sikurse votat po numëroheshin manualisht. Rezultatet e para të numërimit elektronik u shpallën në Vorë, rreth 2 orë pas mbylljes së kutive. Në Kamëz procesi i numërimit me mjete elektronike përfundoi më shumë se 8 orë nga mbyllja e votimit, ndërkohë që Elbasani shënoi rekordin e vonesës në procesin e numërimit elektronik me plot 17 orë.

Vora, rezultatet e para të numërimit elektronik

Në Vorë, rezultatet përfundimtare të numërimit elektronik nxorrën fitues kandidatin e Partisë Socialiste Blerim Shera me 73.52 % të votave, duke lënë pas kandidatin e koalicionit Bashkë Fitojmë, Indrit Hoxha që mori vetëm 26.48 % të votave.

Socialistët fituan shumicën e votave në bashkinë e Vorës, ndërkohë që koalicioni Bashkë Fitojmë në këtë bashki regjistroi rezultatin më të keq për të djathtën në këto zgjedhje. Mbi 3 mijë vota më pak nga sa PD dhe LSI kishin marrë bashkë në vitin 2021.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, procesi i numërimit elektronik në Vorë përfundoi pas orës 21.00 të së dielës, më shumë se një orë pas mbylljes zyrtare të procesit të votimit.

Burimi: KQZ

Edhe në zgjedhjet për këshill bashkiak, Partia Socialiste fitoi 13 nga 21 mandatet e anëtarëve në Vorë, ndërsa koalicioni Bashkë Fitojmë mori vetëm 4 mandate. 2 mandate të tjera për këshill i mori Partia Agrare Ambientaliste, ndërsa Partia Republikane dhe Fryma e Re Demokratike morën secila nga 1 mandat.

Burimi: KQZ

Rakip Suli fiton bindshëm në Kamëz

Rezultatet finale të Bashkisë Kamëz, ku votimi u bë në mënyrë elektronike, dolën më shumë se 8 orë pas mbylljes së procesit të votimit. Kandidati socialist Rakip Suli fitoi me 6,377 vota më shumë në Kamëz, bashki që deri 4 vitesh njihej si bastion i së djathtës.

Burimi: KQZ

Sipas përllogaritjeve të KQZ-së, Rakip Suli mori 60.35 % të votave, ndërkohë që kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë Arjan Hoxha mori 35.33% të votave. Në finale, kandidati i Partisë Demokratike Bilbil Bajraktari regjistroi numrin më të ulët të votave, me 4.32%.

Ndërsa në zgjedhjet për këshillin bashkiak, socialistët fituan 19 anëtarë nga 41 vende në total, ndërkohë që Bashkë Fitojmë siguroi 11 mandate. 2 mandate në Kamëz i mori Partia Socialdemokrate dhe 3 të tjera Partia Demokratike.

Burimi: KQZ

Elbasan, 17 orë për numërimin elektronik të votave

Procesi i numërimit të votave me mjete elektronike në Elbasan përfundoi zyrtarisht rreth orës 13.00 të së hënës, 17 orë pas mbylljes së procesit të votimit.

Burimi : KQZ

Gledian Llatja do të drejtojë bashkinë e Elbasanit edhe për një mandat tjetër, pasi ka marrë 56.26 % të votave sipas rezultatit paraprak të numërimit elektonik të shpallur nga KQZ.

Ndërsa, kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë, Luçiano Boçi ka marrë 27,502 mijë vota, duke regjistruar 7,866 vota më pak nga socialisti Llatja.

Burimi : KQZ

Në zgjedhjet për këshillin bashkiak, Partia Socialiste ka marrë 28 anëtarë, kundrejt 13 anëtarëve që ka fituar koalicioni Bashkë Fitojmë. Partia Demokratike ka arritur të marrë 7 vende në këshillin bashkiak të Elbasanit, ndërkohë që Partia Socialdemokrate, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Partia e Gjelbër kanë fituar nga 1 anëtar secila.

Burimi : KQZ

Ku ngeci numërimi elektronik?

Vonesën e rezultateteve përfundimtare në të trija bashkitë ku qytetarët votuan elektronikisht, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirian Celibashi, e justifikoi me disa arsye gjatë një konference për shtyp mbremjen e së dielës.

“Pjesa tjetër e qendrave të votimit që mungon është në proces verifikimi të trefishtë, katërfishtë për të mos patur asnjë lloj problemi në lidhje me saktësinë e të dhënave dhe për më tepër lidhet një pjesë e tyre me mungesën e transmetimit direkt nga qendrat e votimit. Kemi ndërtuar një sistem tjetër alternativë për ato qendra votimi të cilat nuk janë të mbuluara me telefoni celulare dhe jemi duke e kalkuluar të gjithë informacionin e marrë.”

Në fillim të vitit, qeveria shtoi fondin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023, me një shumë që lejoi votimin elektronik vetëm në tri bashki Vorë, Elbasan dhe Kamëz. Megjithatë, 2.8 miliardë lekët që qeveria vuri në dispozicion të zgjedhjeve vendore përmes KQZ-së lanë sërish të papërmbushur detyrimin që vjen nga Kodi Zgjedhor, për pilotimin e kësaj teknologjie në të paktën 10% të zgjedhësve.