Pretendimi: Hamas hedh fletëpalojse në Tel Aviv duke bërë thirrje për demonstrata kundër qeverisë izraelite
Verdikti: E pavërtetë
——————————————-
Një video që tregon disa fletëpalosje në gjuhën hebraike të hedhura nga qielli po shpërndahet në rrjet me pretendimin se këto fletushka janë hedhur në Tel Aviv nga grupi palestinez Hamas, për të nxitur qytetarët izraelitë të demonstrojnë kundër qeverisë së tyre.
Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video e mësipërme është postuar fillimisht në platformën X/Twitter më 6 maj nga lëvizja Standing Together (Qëndrojmë Bashkë), e cila e përshkruan veten si “një lëvizje hebraiko-arabe për paqe, barazi dhe drejtësi sociale në Izrael”.
Përshkrimi që shoqëron videon shpjegon se fletushkat janë hedhur në Tel Aviv disa orë pasi qeveria izraelite hodhi fletushka që urdhëronin evakuimin e civilëve nga qyteti Rafah, në 6 maj 2024. Ai lajmëron gjithashtu se një protestë do të mbahet të martën për ndalimin e luftës dhe kthimin e pengjeve.
Përkthimi i tekstit të fletushkave tregon një mesazh të ngjashëm: “Qeveria e vdekjes zgjodhi Rafah mbi të rrëmbyerit. Qeveria izraelite e ka fajin. Marshimi për ndalimin e luftës dhe kthimin e të rrëmbyerve.”
Fletushkat paralajmërojnë gjithashtu se marshimi do të mbahet më 9 maj 2024.
Postime në rrjete sociale tregojnë se mijëra njerëz iu bashkuan këtij marshimi për të kërkuar armëpushim, marrëveshje për lirimin e pengjeve dhe rinisje të procesit të paqes mes Izraelit dhe Palestinës.
Kështu, fletushkat e shpërndara në Tel Aviv për t’u bërë thirrje izraelitëve të protestojnë kundër qeverisë nuk janë shpërndarë nga Hamas, por nga lëvizja arabo-hebraike Standing Together.