Pretendimi: Pemët e padjegura në Kaliforni dëshmojnë se zjarret u shkaktuan nga “armët me energji të drejtuar”.

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————

Në rrjete sociale qarkullojnë disa prova për të mbështetur teoritë konspirative se zjarret e janarit 2025 në Kaliforni në të vërtetë u shkaktuan nga “armët me energji të drejtuar (DEW)”. Një prej këtyre fakteve të vënë në dukje në postime është edhe një pamje e një zone të prekur nga zjarret që tregon “makina të shkrira dhe pemë të paprekura.”

Si fillim, duhet theksuar se imazhi i mësipërm nuk tregon pasojat e zjarreve të janarit 2025.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Tineye, Faktoje gjeti se foto e mësipërme është nga viti 2009, dhe tregon pasojat e zjarrit Station Fire (26 gusht – 16 tetor 2009) në Los Angeles.

Armët me energji të drejtuara janë të vërteta. Ato përdorin energjinë që shkrepet me shpejtësinë e dritës, lazera me energji të lartë dhe armë me mikrovalë me fuqi të lartë që përdorin energji elektromagnetike të përqendruar, dhe disa shtete, përfshi Shtetet e Bashkuara, kanë hulumtuar përdorimin e tyre.

Megjithatë, djegia e makinave ndërkohë që pemët mbeten të paprekura nuk është tregues i përdorimit të një arme të tillë. Në fakt, ky fenomen është krejtësisht normal.

Lee Frelich, drejtor i Qendrës për Ekologjinë Pyjore në Universitetin e Minesotës, shpjegoi për verifikuesit e fakteve të PolitiFact se pemët mund t’u mbijetojnë zjarreve për disa arsye. Ato kanë përmbajtje të lartë uji, përjetojnë nxehtësi rrezatuese vetëm nga flakët pranë, kanë lëvore të trashë që i mbron nga flakët ose ndodhen në një vend ‘fatlum’.

“Pemët e rrethuara nga zona të shtruara me asfalt kanë më pak gjasa të digjen”, tha Frelich. “Pemët në mes të lëndinave me bar të shkurtër shpesh mbijetojnë – në raste të tilla, edhe nëse flakët kalojnë nën pemë, ato janë shumë të shkurtra dhe nuk kanë energji të mjaftueshme për të kërcyer në kurorat e pemëve, dhe nuk prodhojnë nxehtësi të mjaftueshme për të rrethuar bazën e trungut, ose për të djegur gjethet nëpërmjet ajrit të nxehtë që ngrihet lart.”

“Pemët janë të mbushura me mijëra e mijëra litra ujë,” tha profesoresha e biologjisë dhe bioteknologjisë Miranda Hart, nga Universiteti i British Columbia për CBC. “Sigurisht që pemët digjen kur zjarret janë mjaft të mëdha dhe mjaft të nxehta. Por nëse ka një pemë të mbushur me ujë dhe diçka vërtet të thatë pranë saj, gjëja që ishte e thatë do të digjet së pari. Mund të imagjinoni se zjarri thjesht mund t’i kalojë përreth pemës nëse ka karburant të mjaftueshëm në të dyja anët e saj.”

Jon Keeley, një shkencëtar zjarri me Shërbimin Gjeologjik të SHBA-së, tha për Reuters se “nuk është e pazakontë që zjarret që digjen nëpër zonat urbane të kursejnë pemët që mbijetojnë ndërsa shtëpitë ngjitur digjen. Arsyeja kryesore është se pemët kanë rrënjë që sjellin ujë për të mbajtur gjethet të njoma. Shtëpitë jo. Ato janë të ndërtuara nga materiale të thata dhe zakonisht janë në ekuilibër me kushtet e ambientit.”

Lenya Quinn-Davidson, drejtore e Rrjetit të Zjarrit të Bujqësisë dhe Burimeve Natyrore të Universitetit të Kalifornisë, tha gjithashtu se është e zakonshme të shohësh pemë në këmbë pas zjarreve urbane.

Shpesh, tha Quinn-Davidson, materialet më të ndezshme janë vetë shtëpitë, ose materialet drejtpërdrejt ngjitur me shtëpinë, ndërsa pemët mund të kenë përmbajtje më të lartë uji se këto materiale më të ndezshme dhe më pak gjasa për të zënë flakë.

“Mbijetesa e pemëve gjatë një zjarri do të varet nga shumë gjëra, duke përfshirë përshtatjet fizike dhe kushtet e vetë pemës, si dhe nga natyra e zjarrit (karburanti, moti, përhapja e zjarrit),” shtoi ajo.

Robert York, bashkëdrejtor i Berkeley Forests në UC Berkeley, tha se ky fenomen është i zakonshëm si në zonat urbane ashtu edhe në ato rurale: “Ne presim ndryshueshmëri shumë të lartë në vdekshmëri nga pema në pemë në situata ku ka heterogjenitet – d.m.th. hapësirë ​​midis pemëve ose grupeve të pemëve.”

Pemët e gjalla kanë lagështi të lartë të brendshme, që do të thotë se nevojitet nxehtësi e konsiderueshme që ato të digjen, argumentoi York. “Ndonjëherë kushtet ekstreme rezultojnë në vdekshmëri 100% të pemëve. Por shumë shpesh, vdekshmëria e pemëve është e përzier, me variacione të konsiderueshme nga një hektar në tjetrin.”

Më tej, tha Frelich, erërat e forta si ato në Kaliforni mund të “çojnë në efekte të veçanta si pemët ose shtëpitë e padëmtuara në mes të një zone të djegur rëndë”. Keeley, gjithashtu tha se “pemët kanë më shumë gjasa të mbijetojnë sepse gjethja e lagësht nuk do të digjet derisa të nxehet mjaftueshëm për të larguar lagështinë. Kur erërat lëvizin shpejt, shpeshherë zjarri i kalon pemët para se ato të jenë tharë mjaftueshëm për t’u ndezur.”

Michael Gollner, i cili drejton Laboratorin e Hulumtimit të Zjarrit në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, tha se zjarri mund të “kapërcejë” nëpër një komunitet ndërsa shkëndijat zbresin në shtëpi dhe i djegin ndërsa peizazhi kursehet.

Pamjet që rezultojnë mund të jenë dramatike, por ato nuk janë dëshmi e armëve të drejtuara me energji, tha Gollner. Është thjesht një zjarr që përhapet përmes “karburantit urban”. “Nuk ka nevojë për teknologji të veçantë për të shkaktuar një zjarr shkatërrues me ‘karburant’ tepër të thatë dhe erëra jashtëzakonisht të forta,” tha Gollner.

Raste kur zjarret kanë shkatërruar godinat, por jo pemët kanë ndodhur edhe më parë. Një raport federal mbi një zjarr të 2008 në Kaliforni përmban disa foto nga një rast i tillë.

Kaliforni 2008

Faktoje ka përgënjeshtruar më parë një pretendim të ngjashëm mbi zjarret që përfshinë Mauin në Hawaii në verën e 2023.