EDIT NIKOLLI
Njësia Gjepalaj në Shijak, me rreth 5000 banorë, që pësoi dëme të mëdha nga tërmeti i 26 nëntorit, përjeton prej dekadash mungesën e ujit të pijshëm. Banorët që presin të hyjnë në ato pak shtëpi që janë rindërtuar, ankohen se strehimi s’ka vlerë nëse nuk kanë ujë e drita. Bashkia Shijak i shmang pyetjet mbi gjendjen e furnizimit me ujë me justifikimin se kjo çështje nuk është në varësi të saj. Por një raport i hartuar nga ky institucion në shtator 2020 pranon se në zonat rurale ku përshihet dhe Gjepalaj, as çereku i popullsisë nuk arrin të furnizohet me ujë, duke pranuar gjendjen skandaloze të infrastrukturës.
Gjepalaj është një ndër njësitë administrative të bashkisë Shijak, ku Faktoje ka bërë disa verifikime mbi procesin e zvarritur të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Sipas përgjigjes zyrtare që kemi marrë vitin e kaluar nga bashkia Shijak, në këtë njësi janë planifikuar të rindërtohen 124 shtëpi, por ky process është ende larg përfundimit po të llogarisësh se deri në muajin tetor të 2019 nuk ishte përfunduar asnjë banesë.
Në 15 janar, ne shkuam për të bërë verifikimin e radhës mbi strehimin e të prekurve në banesat e premtuara se do të rindërtoheshin.
Në Gjepalaj kontaktuam me një prej banorëve shtëpia e të cilit sapo ishte përfunduar, por ai na tregoi se nuk mund të hynte pa iu garantuar dritat dhe uji i pijshëm.
“Unë nuk e quaj shtëpinë e përfunduar pa ardhur uji brenda”- i tha Faktojes, R.S banor i njësisë Gjepalë, banesa e të cilit përfundoi së rindërtuari në fillim të këtij viti.
Mungesa e ujit të pijshëm është një problem me të cilin, rreth 5000 banorët e këtij fshati përballen prej dekadash. Nga biseda me disa prej tyre mësuam se uji u vinte vetëm 15 minuta në dy ditë, çka i detyronte të gjenin rrugë të tjera për ta siguruar atë.
Ata kanë hapur puse individuale.
Foto e pusëve individuale me të cilat ku familjet furnizohen me ujë. 15 janar 2021
“Nuk ka pasur ujë që në kohën e komunizmit, e gjithë zona kështu është, secili ka puset e veta. Ato që nuk kanë, marrin nga njëri-tjetri për të përmbushur nevojat bazike. Për ta pirë nuk e pijmë, ndonjëherë e marrim tek lokali dhe herë të tjera e blejmë.”-tregon për Faktoje M.D në Gjepalë.
Pus i hapur nga një familje për të siguruar ujë. Gjepalaj, Shijak, 15 janar 2021
“Ka 20 vite që kam ardhur nuse në Gjepalë dhe që në atë kohë kështu e mbaj mend, e kisha shumë të vështirë në fillim, se nuk isha mësuar pa ujë. Është shumë situatë e vështirë. Shpresoj të bëhet një zgjidhje” – thotë për Faktoje një grua shtëpiake me origjinë nga Dibra.
Disa banorë të Gjepalës, një fshat me ekonomi tipike rurale, kanë gjetur si zgjidhje marrjen e ujit të pijshëm nga një krua.
Banore e fshatit Gjepalë duke transportuar ujë nga kroi i fshatit
Gruaja që takuam në rrugë tregon për Faktoje se shtëpia e saj nuk furnizohet fare me ujë të pijshëm, si shumica banorëve të kësaj zone, siç pohon ajo.
“Për të pirë, ne furnizohemi tek një krua që është larg nga këtu, tani sapo e mbusha këtë bidon, është jashtzakonisht e vështirë, kam fëmijë të vegjël dhe nevoja për ujë është shumë e madhe”-tregon ajo.
Faktoje e cila ishte njohur më herët me këtë problematikë, i kishte dërguar bashkisë Shijak një kërkesë për informacion, ku e pyeste mbi të dhëna për furnizimin me ujë.
Kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Shijak
Bashkia Shijak ktheu një përgjigje ku shmangte tërësisht dijeninë dhe përgjegjësinë:
“Lidhur me shërbimet si koha mesatare e furnizimit me ujë të pijshëm dhe investimet e kryera nga shërbimet ujësjellës-kanalizime në bashkinë Shijak, ju bëjmë me dije se këto zyra nuk janë në varësi të institucionit të bashkisë. Lutemi që për informacionin e kërkuar t’i drejtoheni zyrave përkatëse”.
Përgjigje e Bashkisë Shijak
Përgjigjja nxjerr zbuluar këtë institucion. Nga një kërkim i thjeshtë online që u detyruam të bëjmë pas mungesës së të dhënave në rrugë zyrtare, gjetëm një raport të hollësishëm i firmosur nga kryetari i bashkisë Shijak, Elton Arbana në shtator 2020. Ky dokument është “Plani i Detyruar Vendor për Zonat e Dëmtuara nga Tërmeti”, për territorin e Bashkisë Shijak. Për më tepër ai bazohet në gjetjet e “Vlerësimit Strategjik Mjedisor” të hartuar që në vitin 2013.
Në dokumentin e sipërpërmendur, të shtatorit 2020, bashkia Shijak pranon se aksesi në Infrastrukturë është një nga pikat më të delikate të territorit.
Screenshot e dokumentit të Planit të Detyruar Vendor
Më tej në raport ka gjetje që konfirmojnë gjendjen skandaloze nga mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm, që prek edhe njësin Gjepalaj, ku Faktoje bëri verifikimin, si një ndër zonat rurale ku mungon furnizimi me ujë.
Screenshot i Vlersimit Strategjik Mjedisor Bashkia Shijak, 2013