Pretendimi: Futbollisti Joshua Kimmich e regjistroi makinën dhe shtëpinë në emër të të birit, në mënyrë që të mos ia linte ato ish-të dashurës së tij.
Verdikti: E paprovuar
———————————————————-
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se futbollisti gjerman Joshua Kimmich e regjistroi makinën dhe shtëpinë në emër të të birit, në mënyrë që të mos ia linte pas ndarjes ish-të dashurës së tij.

Futbollisti, pretendohet në postim, e la të dashurën e tij në fillim të vitit sepse ajo e kishte tradhtuar me një prezantues amerikan. “Ndërsa ishin bashkë, ajo besonte se makinat dhe shtëpia luksoze, të paguara plotësisht nga Kimmich, ishin të regjistruara në emrin e saj”, vazhdon historia. Megjithatë, më vonë doli se ai “kishte regjistruar gjithçka në emrin e djalit të tij si një masë paraprake”. Kur ajo e zbuloi, pretendohet se gruaja dëmtoi një nga Lamborghinit e futbollistit.
Postimi përfshin gjithashtu një foto të Kimmich veshur me një fanellë të Bayern Munich dhe të një vajze që pretendohet se është e dashura në fjalë.
Megjithatë, për të mbështetur këto pretendime nuk sillet asnjë provë, burim apo referencë.
Kjo sepse lajmi është i trilluar.
Asnjë media e besueshme apo burim i besueshëm nuk e ka raportuar këtë histori të pretenduar, apo ndonjë nga detajet e saj, në lidhje me Joshua Kimmich.
Futbollisti gjerman është i martuar me Lina Kimmich (mbiemri i vajzërisë Meyer) që nga viti 2022, dhe nuk ka raportime të besueshme për ndarjen e tyre.

Meyer postoi një foto me bashkëshortin e saj në rrjetet sociale në fillim të marsit 2026.

Siç vërehet, gruaja në foton që shoqëron pretendimin, e paraqitur si ish e dashura e Kimmich, nuk është Meyer.






