Pretendimi: Presidenti amerikan Donald Trump ka “marrë në dorë” Strukturën e Posaçme AntiKorrupsion (SPAK) dhe ka urdhëruar prokurorin Dumani të godasë diçka

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————

“Donald Trump merr në dorë SPAK!” raporton titulli i artikullit të portalit shqip-lajme, duke vijuar, “Kush janë urdhrat e forte qe ka marre Dumani: Do goditet dhe..”

Përzierja e çuditshme e personazheve që nuk kanë fare lidhje me njëri tjetrin habit edhe më tepër kur përfaqësohet në mënyrë pamore, me një imazh që tregon foto të presidentit amerikan Donald Trump dhe të prokurorit dhe drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mbivendosur mbi një foto të selisë së SPAK në Tiranë.

Sigurisht, kjo përzierje, dhe specifikisht përmendja e Trump, bëhet vetëm për të tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe për të mbledhur sa më shumë klikime.

Lexuesi kureshtar do të zhgënjehet, ose gëzohet, megjithatë, kur të lexojë brendinë e artikullit e të zbulojë se çfarë raportohet në titull si “marrje në dorë” e SPAK nga Trump, në të vërtetë i referohet rikthimit të “përfaqësuesve amerikanë të OPDAT” në SPAK.

OPDAT është një program i Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara te Amerikës, i krijuar për të asistuar në vendet partnere në forcimin e sistemeve të tyre të drejtësisë. Ky program fokusohet në trajnimin e prokurorëve, gjyqtarëve dhe agjencive ligjzbatuese për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, apo trafikimin e qenieve njerëzore dhe terrorizmin.

Në Shqipëri, OPDAT ka bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendase për të përmirësuar kapacitetet e tyre në hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht në kontekstin e reformës në drejtësi.

Sipas gazetares Klodiana Lala, përfaqësuesit e ShBA, të cilët u larguan në fillim të muajit shkurt, ishin parë në ambjentet e dy institucioneve të drejtësisë. 

Kur Trump firmosi një urdhër që pezulloi të gjitha ndihmat financiare ndërkombëtare për 90 ditë në janar, një nga keqinterpretimet që zuri më shumë vend në median shqipfolëse ishte ndërprerja e ndihmës financiare për SPAK. 

Faktoje ka treguar me detaje sesi SPAK, si çdo institucion tjetër shqiptar, është i pavarur dhe financohet nga buxheti i shtetit. Mbështetja e ShBA-së për SPAK dhe BKH vinte vetëm në formën e trajnimeve, vizitave studimore, pajisjeve teknike etj. 

“Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), prej krijimit kanë pasur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre përmes misioneve: OPDAT, ICITAP, DEA, FBI”, argumentoi SPAK për Faktoje.

Pyetur nga Top Channel mbi rikthimin e OPDAT, Ambasada Amerikane në Tiranë tha: “Në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv të Presidentit Trump të datës 20 janar për Rivlerësimin dhe Riorganizimin e Ndihmës së Jashtme të Shteteve të Bashkuara, Sekretari Rubio nisi një rishikim të të gjithë ndihmës së huaj të SHBA për t’u siguruar që programet të jenë efikase dhe në përputhje me politikën e jashtme të SHBA nën agjendën ‘Amerika e Para’. Disa programe që konsiderohen thelbësore për interesat kombëtare të SHBA kanë rifilluar, ndërkohë që rishikimi i ndihmës së huaj është ende duke u zhvilluar.”