Pretendimi: Një Kishë në Meksikë po shet tokë në parajsë për besimtarët e saj
Rate: Satirë
Portalet shqiptare kanë ndarë së fundi lajmin e çuditshëm se një kishë kristiane në Meksikë ka nxjerrë në shitje toka në Parajsë për një çmim që mund të duket i pranueshëm në rrethinat e Tiranës.
“Kisha Kristiane ka nxjerrë në shitje toka afër ‘Shtëpisë së Zotit’ me 100 euro/m2. Pastori i Intoms thotë se ka folur me Zotin në 2017 dhe ai ja ka sugjeruar këtë marrëveshje. Kisha madje sugjeron dhe pagesa me këste”, shkruajnë portalet.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Lajmi është ndarë më tej edhe nga përdorues të ndryshëm që vënë në lojë kishën kristiane që ka lejuar këtë mashtrim me qëllim përfitimi.
Mirëpo, në një kërkim që Faktoje bëri rezulton se e gjithë kjo është një satirë. Lajmi qarkullon në rrjet prej vitit 2017 dhe është publikuar në profilin në Facebook “Iglesia del Final de los Tiempos”, i krijuar për të vënë në lojë pastorët shfrytëzues dhe përdoret për të ndarë përmbajtje të çuditshme dhe humoristike.
Faqja shkruante se një pastor i Kishës “Iglesia del Final de los Tiempos” në Meksikë pretendoi se kishte një takim me “Zotin” dhe se ishte i autorizuar të shiste parcela në “parajsë”. Më tej kjo faqe ironizonte se Pastori, i cili “siguroi” parcelat pranë pallatit të Zotit me 100 dollarë për metër katror tha gjithashtu se një vend në parajsë do të garantohet pavarësisht nga madhësia e parcelës.
Materiali promovues që qarkullon në internet paraqet një rezidencë qiellore të rrethuar nga rrezet e arta, me një familje të gëzuar prej katër anëtarësh. Ai gjithashtu thekson shumë opsione të pagesave dixhitale.
Kjo shaka mori vëmendje të madhe në rrjetet sociale, ku shumë influencër të TikTok dhe Instagram bënë video për këtë ofertë të çuditshme duke e trajtuar si një lajm. Madje edhe mediat e publikuan si lajm, duke pretenduar se kisha grumbulloi miliona dollarë që nga viti 2017 duke shitur parcela në parajsë.