Pretendimi: Një pilot që ka refuzuar të spërkatë kimikate nga avioni është pushuar nga puna dhe po padit Lufthansën

Verdikti: Satirë

—————————————————–

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon video e çka duket si një kronikë lajmesh që tregon për një pilot i cili pretendohet se ka refuzuar urdhrin e punëdhënësit për të spërkatur kimikate nga avioni dhe është pushuar nga puna si pasojë. 

Kronika tregon historinë e pilotit “Christoph W”, i cili ishte pushuar nga puna pasi i kishte thënë punëdhënësit të tij, kompanisë Lufthansa, se nuk kishte përdorur sistemin e spërkatjes kimike në mbi 30 fluturime. Sipas kronikës, ai po e padit Lufthansën në një gjykatë në Nuremberg.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video origjinale është postuar fillimisht në Youtube më 30 shtator nga Der Postillon.

Sipas faqes zyrtare të Der Postillon, “gjithçka në Postillon është satirë dhe si rrjedhojë gënjeshtër e hapur. Të gjithë personazhet që shfaqen janë të trilluar, çdo ngjashmëri me personat e gjallë është krejtësisht e rastësishme. Kjo duhet të jetë e qartë, ndonëse komente të shumta tregojnë se një pjesë e madhe e saj merret si e vërtetë.”

Kjo kronikë satirë është ndërtuar mbi teorinë konspiracioniste që shikon me dyshim vijat e kondensimit që krijohen në qiell pas avionëve apo ndryshe të quajtura Chemtrails. Një prej akuzave kryesore të kësaj teorie absurde është ajo e kimikateve që lëshohen qëllimisht nga qeveritë apo entite të tjera me synim rritjen e sëmundjeve ndaj popullsisë për t’i kontrolluar më kollaj qytetarët.