Pretendimi: Këto pamje tregojnë skelete gjigande me përmasa deri në 24 metra në muzeun e Napolit

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon imazhi i një kafke dhe dore gjigante në një sallë muzeu. Pamjet janë pjesë e provave që sillen në rrjet për ekzistencën e njerëzve me përmasa gjigande në të kaluarën.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi shfaqet në disa artikuj të 2015 nga mediat italiane.

Duket se pamjet që qarkullojnë në rrjete sociale tregojnë ekspozitën e Brigataes “Artisti më i madh në botë,” hapur më 6 shkurt 2015 në Sala della Meridiana e Muzeut Arkeologjik Kombëtar të Napolit. Projekti “Artisti më i madh në botë” ka dhe një faqe zyrtare në rrjet.

Brigataes është një projekt “prodhimi estetik” e krijuar nga Aldo Elefante në 1992. Në periudhën 1992-2002 Brigata Es quhej një grup i përbërë nga Aldo Elefante, Marina Mailler dhe Salvatore Petrilli. Që nga viti 2002, pas shpërbërjes së grupit, emri është bërë Brigataes.

Një artikull nga Sole24Ore shpjegon:

“Pikërisht “Artistit më të madh në botë” Muzeu Arkeologjik Kombëtar i Napolit dhe Superintendenca për Trashëgiminë Arkeologjike të Napolit i kushtojnë ekspozitën e inauguruar së fundmi, Brigataes, e cila për herë të parë i ofron publikut një pamje të gjetjeve antropologjike dhe materialeve të gërmimeve nga një zbulim i supozuar, i cili do të ndodhte në akropolin afër Cuma në 1930 dhe do të dokumentonte ekzistencën e një artist me përmasa gjigante që jetoi 40 mijë vjet më parë.”

Më shumë se një “zbulim” (në fakt i cilësuar si “i supozuar”) duket sikur jemi në prani të një ekspozite thjesht artistike, në skaj të realitetit. Në fakt, revistat e industrisë si Exibart shpjegojnë: 

“Artisti më i madh në botë” është një manovër për të sabotuar njohuritë që e rrënjosin veprimin e tyre në thellësinë e kuptimit, duke ndërhyrë tashmë në paqartësinë e emrave. Në fakt, jo vetëm që pozicioni i mbiemrit e bën titullin të paqartë semantikisht, por vetë Brigataes, pak si Luther Blisset dhe Mama Sabot, është një pseudonim kolektiv pas të cilit Aldo Elefante vepron që nga viti 2001.”

Më tej: 

“Në rastin konkret të këtyre gjetjeve arkeologjike pantagruelisht të rreme, interpretimi i ngjarjeve është hedhur në krizë, jo gjithmonë si pasojë e njohjes së fakteve, sepse kujtesa individuale dhe kolektive, që formësojnë traditën e historisë dhe të parahistorisë, depërtojnë deri në atë pikë sa nuk mund të dallohen fushat e rëndësisë, origjinat konceptuale. Në fund të fundit, pikat e kontaktit midis së vërtetës dhe të rremes janë më të dukshme se pikat e këputjes.” 

Pra, Brigataes është autori i prodhimit estetik “Artisti më i madh në botë” me anë të të cilit vihen në pikëpyetje, shpesh me ironi dhe shije paradoksi, pozicioni i artistit dhe kuptimi i artit në kohët bashkëkohore. Vetë emri “lind nga ideja e ngatërrimit të racionalitetit dhe irracionalitetit, kaosit dhe disiplinës, si dhe të qënit në harmoni me një akronim destabilizues”. 

Sipas Giornale, “Brigataes ka krijuar vërtet diçka unike, një vepër arti dhe imagjinate që do të kishte gëzuar shpikësit më të mëdhenj letrarë të këtyre çështjeve”.

Faktoje ka verifikuar dhe më parë pretendime që merrnin të mirëqëna ‘prova’ të manifakturuara të krijuara për të vënë në dukje se jo çdo gjë që dikush sheh apo lexon duhet besuar.