Pretendimi: Kjo video provon gjetjen e një telefoni mobile në vitet 1980 në Hiroshima
Verdikti: E pavërtetë
Postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendojnë se një gazetar nga Hiroshima ka zbuluar padashur një aparat telefonik iPhone në vitin 1980.
“Misteri i celularit të gjetur në Hiroshima në vitin 1980”, shkruhet në postimin që shoqëron videon e një kronike të pretenduar lajmesh të dyzetë viteve më parë në televizionin japonez.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Ky postim ka marrë mijëra pëlqime, shikime dhe komente. Në video shihet një gazetar që kontrollon në një mobilje të vjetër duke nxjerrë prej saj një telefon iphone. Duke mos kuptuar se për çfarë pajisje bëhej fjalë, ai shfaqet teksa e përdor telefonin si pasqyrë.
Por, kur janë xhiruar realisht pamjet e publikuara?
Një kërkim i bërë nëpërmjët mjeteve të verifikimit të imazheve tregon se në fakt këto pamje janë nga seriali japonez “The woman who knew too much” (Gruaja që dinte shumë), i cili u prodhua në vitin 2023.
Ky serial është ngarkuar në YouTube më 17 qershor 2023 dhe përshkrimi i videos tregon se është një “fiction” (trillim). Autorët e serialit kanë sqaruar se ai nuk ka lidhje me Hiroshimën dhe se është realizuar në vitin 2023.
Pretendimet janë verifikuar edhe nga kolegë të verifikimit të fakteve, të cilët kanë kontaktuar edhe kompaninë e prodhimit të serialit.
Ata kanë konfirmuar se janë krijuesit e videos dhe shpjeguan se: ‘Kjo video është një dramë për një incident imagjinar të vendosur në Ehime, Japoni. Në histori, një reporter gjen një smartphone në dollapin e autorit, duke lënë të kuptohet se keqbërësi ka udhëtuar pas në kohë. Hiroshima nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje. Jemi të indinjuar që dikush e ka lidhur me Hiroshimën”.
Veç kësaj, iPhone 13 u lançua në vitin 2021 dhe nuk ka raporte për zbulimin e një iPhone në vitin 1980, siç pretendohet në rrjetet sociale.