Java e vaksinimit masiv kundër Covid, para nisjes së viti të ri akademik, pati intere të ulët nga studentët, edhe pse është shpallur si kusht për pranimin në auditore. Në pikat e ngritura në fakultetet e Tiranës, ofroheshin vetëm vaksinat AztraZeneca dhe Coronavac ndërkohë që një numër studentësh kanë kërkuar të vaksinohen me Pfizer. Sipas ekspertëve të shëndetit publik, studentëve duhet t’u jepet e drejta për të zgjedhur një nga vaksinat e certifikuara nga EMA dhe FDA.
………
Java që i parapriu çeljes së vitit të ri akademik, u shpall ‘Java e Vaksinimit Masiv të Studentëve’, e cila zgjati deri më 15 tetor, një nismë që u promovua edhe nga ministrja e Arsimit, Evis Kushi, më 11 tetor.
Postimi i Kushit në Facebook
“Në të gjithë vendin ka filluar Java e Vaksinimit Masiv të Studentëve, të cilët po i bashkohen çdo ditë e më shumë këtij procesi.
I bëj thirrje edhe një herë të gjithë studentëve të pavaksinuar që përgjatë kësaj jave të paraqiten në qendrat e vaksinimit pranë fakulteteve të tyre, për interesin e përbashkët të rikthimit në normalitet, por edhe për të ndihmuar në fillimin e një viti të mbarë akademik” – apeloi Kushi.
Në fakultete u vendosën qendra vaksinimi, ku mundësia e zgjedhjes ishte minimale, pasi aty ofroheshin vetëm vaksinat AstraZeneca dhe Coronavac. Kjo ka bërë që studentët që kërkonin të vaksinoheshin me Pfizer, të drejtoheshin tek qendra e vaksinimit tek Stadiumi “Air Albania”.
Faktoje bëri një vëzhgim në këtë qendër më 13 tetor, për të parë si po ecte procesi i vaksinimit dhe nëse studentët që nuk pranonin 2 llojet e vaksinave që ofroheshin në universitet po vaksinoheshin me Pfizer.
Dy studente nga Peza, i thanë Faktojes se nuk arritën dot të vaksinoheshin, pasi u është komunikuar se ‘nuk ka Pfizer’.
“Jemi në vitin e parë në universitetet sivjet. Kemi ardhur nga Peza, ishim dhe dje, por ishte mbyllur për shkak të ndeshjes. Nuk e bëmë dot vaksinën, deshëm Pfizer, na thanë që nuk ka” – thanë ato.
Qendra e vaksinimit në stadiumin ‘Air Albania’, 13 tetor 2021
Një prej vaksinatoreve në stadiumin “Air Albania” pranoi për Faktoje se kanë urdhër për të mos vaksinuar studentët me Pfizer.
“Grupet tona janë nëpër fakultete, duke bërë vaksinimet me AstraZeneca dhe Coronavac. Pfizer ka, por është për dozat e dyta. Sipas urdhrit, për momentin nuk po vaksinojmë studentë me Pfizer. Të hënën (11 tetor) janë bërë vaksina Pfizer për studentët. Unë nuk kam qenë vetë, por kolegia më tha që janë vaksinuar me Pfizer. Këtu funksionon me urdhra ditorë dhe nuk mund të përgjithësoj” – theksoi ajo.
Më herët Faktojes i ishte konfirmuar nga Entela Godella, specialiste e njësisë vendore të Kujdesit Shëndetësor se te Stadiumi ‘Air Albania’ ofrohet edhe vaksina Pfizer për të cilën ka pasur një interes më të madh nga studentët.
Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe Ministrisë së Shëndetësië, nëse studentëve po u jepej mundësia të zgjidhnin vaksinën Pfizer, apo ishin të detyruar të merrnin vetëm njërën nga dy vaksinat AstraZeneca dhe Coronavac. Ne jemi ende në pritje të përgjigjes zyrtare.
Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë
Faktoje, mori edhe opinionin e ekspertit të Shëndetit Publik Erion Dasho mbi këtë çështje, i cili jep këtë argument:
“Unë mendoj që studentëve duhet t’u jepet alternativa e vaksinimit ose e testimit falas ose me kosto të papërfillshme.
Në qoftë se qytetarit i kërkohet qoftë me detyrim, për të cilën e them që nuk jam dakord, por edhe sikur t’i rekomandohet vaksina, edhe në këto raste është e domosdoshme që t’i ofrohen vaksina të sigurta. Vaksinat e sigurta në Shqipëri, të miratuara ng EMA dhe FDA janë AstraZeneca dhe Pfizer.
Këto dy vaksina duhet t’i ofrohen për zgjedhje kujtdo që ka dëshirë të vaksinohet dhe do të jetë dëshira e tij ose e saj cilën do zgjedhë. Çdo detyrim, sidomos detyrimi i shoqëruar me mungesën e zgjedhjes është shkelje flagrante e të drejtave të studentëve dhe nuk duhet të aplikohet kurrësesi” – theksoi Dasho.
I pyetur se cila do të ishte zgjidhja ideale për studentët që nuk kanë dëshirë të vaksinohen, Dasho sugjeron:
“Për studentët që zgjedhin të mos vaksinohen do të ishte oferta alternative, testim me kosto të përballueshme. Falas do të ishte ideale, por në qoftë se gjykohet se një kosto e tillë nuk mund të përballohet nga buxhetet e universiteteve, atëherë përgjeegjësia kalon te studenti për t’u testuar. Në të gjithë Europën, kostot e një antigjeni luhaten midis 50-80 cent. Pra e njëjta mundësi t’i ofrohet edhe studentit shqiptar, kur nuk ka dëshirë të bëjë vaksinimin.
Blen në supermarket një test që të kushtojë 50-100 lekë dhe e kryen këtë test, paraqet rezultatin e testit para se të hyjë në auditor. Në këto kushte, respektohet e drejta e studentit dhe në të njëjtën kohë ofrohet një mënyrë e përballueshme nga ana ekonomike dhe financiare”.
Interes i ulët për vaksinim nga studentët në fakultetet e Tiranës
Në ditën e dytë të javës së vaksinimit masiv, Faktoje bëri një vëzhgim në disa prej fakulteteve në Tiranë për të pare ecurinë e procesit.
Qendra e vaksinimit në fakultetin e Histori-Filologjisë, 12 tetor
Në fakultetin e Histori-Filologjisë ishte vendosur një stendë për vaksinimin e studentëve dhe grupi i punës ishte në dispozicion nga ora 08:30-14:30.
Entela Godella, specialiste e njësisë vendore të Kujdesit Shëndetësor tha për Faktoje se interesi nuk ka qenë i lartë në ditën e parë të nisjes së procesit.
“Deri më dtë 15 do jemi nëpër fakultete, pastaj të shtunë dhe të diel, që i bie data 16-17, vaksinimi do bëhet te Stadiumi ‘Air Albania’ dhe te Sheshi ‘Skënderbej’, të cilët do të jenë të hapur për studentët.
Nëpër Universitete është AstraZeneca dhe Coronavac, sepse Pfizer nuk administrohet dot këtu që të merret me termusë të veçantë, ndërkohë te Stadiumi kanë kushtet e ruajtjes që janë më të mira, plus që duhet të plotësohen 6 vetë për një flakon dhe koha e ruajtjes është 2 orë nga hapja e flakonit. Ka kritere më specifike ruajtjeje vaksina Pfizer” – sqaroi specialistja e njësisë vendore të Kujdesit Shëndetësor.
Edhe në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, vaksinatoret konfirmuan interes të ulët të studentëve për t’u vaksinuar.
Vaksinimi te Fakulteti i Inxhinierisë, 12 tetor
Faktoje shkoi në Universitetin e Arteve në 12 tetor, ku konstatoi se ishin vendosur stenda për vaksinimin e studentëve ku njoftohej orari 09:00-13:00. Në momentin e vëzhgimit, rreth orës 10 nuk gjetëm as vaksinatorë dhe as studentë që kërkonin të vaksinoheshin.
Qendra e vaksinimit në Universitetin e Arteve, 12 tetor
Vaksinimi i studentëve në Shkodër
Ndërkohë, sipas raportimeve nga qyteti i Shkodrës pikat e vaksinimit për studentët u vendosën pranë Rektoratit dhe në katin e parë të fakultetit të Shkencave të Edukimit. Stafet e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor ishin në gatishmëri nga ora 08:00 – 15:30.
Drejtorja e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Suida Kuka, në ditën e parë të javës së vaksinimit tha për Faktoje:
“Do të jemi në universitet deri të shtunën, por nëse do të kemi kërkesë nga studentët jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe javën tjetër, kur të nisë viti akademik.”
Stenda e vaksinimit të studentëve në universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
Edhe në Shkodër, rezultoi interes i ulët i studëntëve për t’u vaksinuar, madje sipas Njësisë së Kujdesit Shëndetësor, në dy pikat e vaksinimit pranë fakulteteve, vetëm 4 studentë u vaksinuan dy ditët e para të fushatës, ndërkohë që numri i studentëvë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në këtë qytet, në dy nivelet, bachelor dhe master, llogaritet në rreth 4 mijë.