.

.

BallinaAktualitetNisja ‘informale’ e shkollave riktheu problemin e mësimit me turne

Nisja ‘informale’ e shkollave riktheu problemin e mësimit me turne

ILDA HOXHA

Në 1 shtator, nisi përsëritja e lëndëve kryesore në shkollat e sistemit parauniversitar, sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, e cila ende nuk ka një strategji të qartë për plotësimin e boshllëqeve të krijuara nga pandemia. Faktoje bëri një vëzhgim në një prej shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit, ku pyeti nxënës, prindër dhe mësues se si po përshtaten me këtë proces. Mësimi që pritet të zgjasë rreth 3 javë paralajmëron rikthimin e mësimit me turne.

“Për këtë periudhë shkollat tuaja kanë përgatitur një program gjithëpërfshirës, që përveç përsëritjes apo përforcimit të njohurive, përmban edhe aktivitete argëtuese dhe sportive. Prandaj shfrytëzojeni këtë mundësi, sepse kjo do t’ju ndihmojë që të jeni sa më të përgatitur dhe ta nisni vitin e ri shkollor me njohuri të rikuperuara, e mbi të gjitha, me dëshirë e pasion për të mësuar akoma më shumë”- deklaroi ministrja e Arsimit Evis Kushi, në ditën e fillimit të mësimit plotësues duke u kujtuar nxënësve, mësuesve dhe prindërve të tregojnë kujdes e të repsektojnë rregullat anti-COVID.

Faktoje bëri një verifikim në shkollën 9-vjeçare “Edit Durham”, me një kapacitet prej 1420 nxënësish.

Në oborrin e shkollës, qëndrojnë nxënës dhe prindër të pashqetësuar për masat anti-covid, pasi një pjesë e mirë tyre shihen pa maska dhe shumë pranë me njëri-tjetrin.

Siuata duket se vihet në kontroll me të hyrë në mjediset e brendshme të shkollës, ku është vendosur një “frozer”, për dezifektimin e plotë të çdo personi që futet në shkollë. Gjithashtu vihet re se mësuesit janë të pajisur me maskat mbrojtëse dhe në çdo tavolinë ka dezinfektantë.

Nxënës në oborrin e shkollës “Edith Durham”, 2 shtator 2021

Pritshmëritë dhe vështirësitë e prindërve gjatë 3 javëve të mësimit plotësues

Faktoje komunikoi me disa prindër dhe mësues në shkollën “Edith Durham” sesi po përshtaten me këtë periudhë kur edhe oraret e mësimit plotësues janë ndryshe nga ditët e mësimit të zakonshëm.

“Fëmija im është në klasën e tretë dhe nis mësimin në orën 10:30-12:00. Mendoj se në kaq pak kohë është e pamundur që të arrijë të përvetësojë dijet e humbura. Në ditën e parë të mësimit plotësues kanë bërë përsëritje në lëndët matematikë dhe gjuhë shqipe, të fokusuar kryesisht te shumëzimi, pjesëtimi dhe diktimi”- tha një prind për Faktoje.

Një nxënëse e klasës së shtatë tregon se dita e parë e mësimit shkoi mjaft mirë dhe se janë duke bërë përsëritjen me librat e klasës së gjashtë.

“Ne zhvillojmë 3 orë mësim gjuhë, matematikë dhe gjuhën e huaj. Bëmë përsëritje dhe mësuesit na sqaruan gjërat që kishim të paqarta”-tha ajo për Faktoje.

Fëmijë me maska në hyrje të shkollës “Edith Durham”

Pjesëmarrja në mësim

Në ditën e parë të mësimit plotësues vumë re se në klasat e ciklit fillor pjesëmarrja e nxënësve ishte relativisht e lartë, edhe pse ai nuk është me detyrim.

“Nxënësit janë shumë të lumtur për rikthimin e tyre në shkollë. Ne i pajisëm edhe me librat e rinj për këtë vit, të cilët do të nisin t’i përdorin nga 27 shtatori, kur nis edhe procesi i rregullt mësimor”-shpjegon për Faktoje mësuesja e klasës së tretë, që konfirmon se rreth 70 për qind e nxënësve ishin të pranishëm.

Pjesëmarrjen e kënaqshme në ditën e parë të mësimit plotësues e konfirmoi  edhe zv. ministrja e Arsimit, Nina Guga në një intervistë për “News 24”

“Shkolla sot është e hapur për të gjithë nxënësit. Nxënësit me dëshirë mund të ndjekin mësim, ndërsa shkolla ka hapur dyert edhe për aktivitete të tjera sportive, shlodhëse.”

Mësuesit kanë konfirmuar për Faktoje se prania e nxënësve në ditët e para të mësimit plotësues  sa më shumë I afrohen klasës së 9.

1 shtatori paralajmëroi rikthimin e mësimit me turne, pavarësisht premtimeve

Ajo që vumë re në shkollën “Edith Durham” ishte se problemi i mësimit me dy turne do të jetë i pranishëm edhe gjatë këtij viti shkollor, sigurisht nëse situata pandemike do ta lejojë mësimin me prani fizike.

Në shkollën “Edith Durham” mësimi nis që në 8:30 për klasën e 1-rë, 2-të, 6-të, 7-të, 8-të, 9-të. Për klasën e parë dhe të dytë mësimi zgjat 1 orë e gjysmë, ndërsa për të tjerat 3 orë. Për klasën e 3-të, 4-të, 5-të, mësimi nis në orën 10:30-12:00.

Mirëpo, këto orare kanë krijuar probleme për prindërit, të cilët detyrohen të paguajnë kosto shtesë për fëmijët e tyre, duke i dërguar në qendra pas shkolle.

“Orari i shkollës është i papërshtatshëm për mua, pasi fëmija nis mësimin në orën 10:30 deri në 12:00. Për këtë arsye detyrohem ta dërgoj fëmijën që në mëngjes në një qendër pas shkolle. Ata më pas e dërgojnë dhe e marrin nga shkolla. Është e pamundur për mua si prind, pasi më duhet të shkoj në punë, që të dërgoj fëmijën në këtë orar”, sqaroi një prej prindërve për Faktoje.

Mësimi plotësues po zhvillohet edhe për gjimnazet. Faktoje mëson se mësimi po bëhet në bazë të udhëzimit të Ministrisë së Arsimit. Secili prej mësuesve ka një plan me temat që do të diskutojë dhe çdo orë mësimore është 45 minuta. Mësimi nis në orën 08:00 dhe përfundon në 12:00, ku shpjegohen kryesisht paqartësitë e evidentuara nga puna e mësuesve.

Në përfundim të ditës së parë të mësimit plotësues, Ministria e Arsimit nuk dha një shifër të nxënësve pjesëmarrës, por ministrja Kushi bëri një falenderim për mësuesit dhe nxënësit.

Postimi i ministres Evis Kushi në Facebook, 1 shtator 2021

“Faleminderit të gjithë nxënësve dhe mësuesve për angazhimin dhe përkushtimin që këto ditë të rëndësishme të jenë sa më të frytshme!”-shkroi Kushi në Facebook.

Viti i ri shkollor është planifikuar të nisë më 27 shtator, por ende nuk ka ndonjë skenar nga MASR si do të vijojë procesi, në rast se do kemi rritje te infektimeve apo rikthim te kufizimeve.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img