Aurora Shpataj
Në fund të muajit dhjetor kryebashkiaku i Tiranës Veliaj njoftoi nisjen e pastrimit të piramidës si hapi paraparak për projektin e rijetëzimit të saj. Faktoje verifikoi se në një pjesë të kësaj ndërtese ka nisur heqja e inerteve, ndërkohë që tabelat përreth kësaj ndërtese tregojnë se zbatimi i projektit të rijetësimit do të kërkojë 24 muaj kohë.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj më datë 26 dhjetor 2020, deklaroi gjatë një interviste televizive se ka filluar heqja e inerteve tek Piramida.
“Ka filluar i gjithë pastrimi i sheshit dhe heqja e inerteve tek piramida e po mundohemi të pastrojmë gjithë skeletin e saj, që të fillojmë rikonstruksionin”- u shpreh ai.
Faktoje vendosi të verifikojë në terren këtë deklaratë në javën e parë të janarit.
Dikur muzeu për jetën e diktatorit Enver Hoxha, i njohur më pas si Piramida, është i rrethuar me një gardh ku janë vendosur postera të projektit. Faktoje arriti të depërtojë në mjediset e brendshme për të parë nëse ka nisur pastrimi, si hapi paraparak për rikonstruksionin.
Posteri i projektit për rijetësimin e Piramidës, foto:Aurora Shpataj
Nga vëzhgimi rezulton se puna për pastrimin e inerteve kishte nisur, të paktën në atë pjesë të Piramidës që shërbeu për disa vite si qendra ndërkombëtare e kulturës “Pjetër Arbnori”.
Hyrja e Piramidës në ish qendrën ndërkombëtare të kulturës “Pjetër Arbnori”, 6 janar 2021,foto: Aurora Shpataj
Nxjerrja e inerteve jashtë Piramidës, foto:Aurora Shpataj
“Po pastrojmë ça ka brenda, mbeturina e çdo gjë tjetër.”-tregon për Faktoje një punëtor në mjediset e Piramidës.
Mjetet që shërbejnë për hejqen e mbeturinave brenda Piramidës, foto: Aurora Shpataj
Projekti për rijetëzimin e Piramidës, i premtuar për vite me radhë nga bashkia, do të kërkojë një periudhë prej 24 muaj për t’u zbatuar.
Projekti i Piramidës me të dhënat e saj, 6 janar 2021, foto:Aurora Shpataj
Faktoje më herët ka bërë disa artikuj sesi kanë dështuar premtimet e njëpasnjëshme për shndërrimin e piramidës. Vetëm kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj ka premtuar të paktën 5 herë nga viti 2016 afate të ndryshme për nisjen e punimeve, tek Piramida, por të 5 herët ky premtim u shkel.
Pas vëzhgimit në terren në këtë javë të parë të janarit, që dëshmon pastrimin e inerteve, Faktoje vendosi që deklaratën e 26 dhjetorit të kryetarit të bashkisë, Erjon Veliaj, ta kategorizojë si TË VËRTETË.