Të ndërrosh mendje është njerëzore. Por mbajtja e qëndrimeve morale ndaj të tjerëve për diçka që më pas e bëjmë vetë tregon mungesë koherence.
Për deputetin e Partisë Demokratike, Dashnor Sula, e tillë rezultoi situata që po shënon fundin e mandatit të tij përfaqësues në Parlamentin e Shqipërisë.
Pasi u vendos në listën e hapur nga kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, Sula u revoltua dhe nisi të “gëlltisë” të gjitha akuzat që disa muaj më parë ia kishte drejtuar një tjetër ish deputeti demokrat, Arbi Agalliut.
Në një debat televiziv, Sula i hakërrehej Agalliut se pse kishte krijuar një parti të re me Enkelejd Alibeajn, duke i akuzuar se me ndarjen nga Partia Demokratike 6 muaj përpara zgjedhjeve po ndihmonin Partinë Socialiste dhe Edi Ramën.
“Kjo është thikë pas shpine”, ngriti zërin Sula në tetor 2024 duke i kujtuar Agalliut se mandatin e deputetit e kishte me votat e opozitës dhe siglën e Partisë Demokratike.
“Do ishte shumë më e ndershme që pas 2025-ës, nëse Sali Berisha dhe opozita nuk fitojnë, të thoje brenda strukturave një, dy, tre gjëra. Por të ikësh tani dhe ti çosh oksigjen PS-së kjo është thikë pas shpine dhe tradhti ndaj çdo demokrati dhe unë nuk e bëj këtë gjë” – Dashnor Sula, tetor 2024.

Por në fakt pikërisht këtë bëri. Pasi mësoi se ishte vendosur në listën e hapur të kandidatëve për deputet edhe pse ishte më i votuari në qarkun e Elbasanit nga anëtarësia e Partisë Demokratike në primare, Sula jo vetëm nuk priti përfundimin e zgjedhjeve 2025, por as nuk zgjodhi që betejën ta bënte “brenda strukturave”, siç predikonte pesë muaj më parë.
“Dola i pari në qarkun e Elbasanit dhe kjo nuk u mor parasysh nga zoti Berisha. Tani unë nuk mund të lejoj të përdhunohem” – deklaroi Sula i revoltuar përpara gazetarëve kur njoftoi largimin nga Partia Demokratike.
Këtë e bëri edhe pse në tetor deklaronte se për të nuk ishte fare e rëndësishme nëse ishte apo jo në listat e kandidatëve dhe se parimi i tij ishte që problemet të rregullohen nga brenda partisë.
“Dhe nuk ka rëndësi fare jam apo nuk jam në zgjedhjet e 2025-ës, do të luftoj pro opozitës. Ky është dallimi im mor zotëri. Ky është parimi” – Dashnor Sula, tetor 2024.
Sipas deklaratave të Sulës pesë muaj më parë, kreu i PD-së ka numrin më të madh të votave të elektoratit të djathtë dhe se demokratët e tjerë duhet të bashkojnë votat e tyre me ato të Berishës për të larguar qeverinë e Edi Ramës.
“Unë kam llogjikën dhe arsyen që aty ku është shumica [Berisha], të çoj dhe unë një dorë që të bëhemi akoma më shumë dhe jo ti heq pjesë asaj shumice. Kjo është diferenca ime. Dhe lufta jonë duhet të jetë kjo që ndaj individëve që kanë kultin e individit duhet të luftojmë brenda Partisë Demokratike. Kjo është e gjithë qasja që unë kam”, shprehej Sula.
Por sot ai jo vetëm që u tërhoq plotësisht nga gara nën siglën e Partisë Demokratike, por nisi edhe të heqë paralele mes Edi Ramës dhe Sali Berishës kur i quajti të dy politikanët “tumore që mbajnë peng politikën”
Nisur nga përballja e qëndrimeve të vetë deputetit Dashnor Sula, deklaratën e tij se qasja e tij është që betejat t’i bëj brenda partisë dhe strukturave të PD-së dhe se do të luftojë fuqishëm që PD të vijë në pushtet, do e kategorizojmë të pavërtetë.