Në janar të vitit 2023, ish ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, e nisi me një premtim madhor – shtimin e flotës ajrore kundër zjarreve me dy avionë shumërolësh.
“…janë disa mjete më modeste në kosto, më të manovrueshme dhe më të përshtatshme për situatat tona të zjarreve.”, i përshkroi zoti Peleshi, avionët që do të bliheshin, gjatë shpalosjes së objektiva për 12 muajt e ardhshëm.
Premtimi i ish ministrit të Mbrojtjes u bë disa muaj pasi zjarret kishin shkrumbuan mijëra hektarë me pyje dhe kullota nga veriu në jug i Shqipërisë gjatë verës së vitit 2022.
“Po nuk e them dot nëse do të jenë gati deri në gusht, se përgjithësisht gushti është piku i zjarreve.”, u kujdes të theksonte Peleshi asokohe.
Gjatë vitit 2022 vendi u përfshi nga 125 vatra zjarresh, që dogjën 17,764 hektarë me sipërfaqe pyjesh dhe kullotash – sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit të Zjarreve në Pyje . Një vit më vonë, (2023) numri i zjarreve u ul në 35 raste me 5,563 hektarë sipërfaqe të djegur në pyje dhe kullota.
Fakt
Verifikimet e Faktoje tregojnë se avionët shumërolësh në raste emergjencash ende nuk janë blerë.
“Është në proces hartimi i kërkesës për blerjen e dy avionëve shumërolesh të lehtë me krah fiks. Me shumërolesh nënkuptohet mbështetje e afërt ajrore për ndihmë në rast fatkeqësish natyrore dhe mbështetje agrokulturore”, shpjegon Ministria e Mbrojtjes pas një kërkesë për të drejtë informimi.
Thuajse dy vite pas premtimit të ish ministrit Peleshi, Ministria e Mbrojtjes thekson se shtimi i flotës ajrore me dy avionë do të kërkojë të paktën edhe dy vite të tjera.
“Afati i parashikuar i vendosjes në punë është fundi i vitit 2025 dhe fillimi i vitit 2026.”, argumenton Ministria e Mbrojtjes.
Viti 2024, rekord për zjarret
Në dhjetë vitet e fundit në Shqipëri janë djegur mbi 184 mijë hekatarë me pyje dhe kullota. Të dhënat nga Sistemi Evropian i Informacionit të Zjarreve në Pyje, tregojnë se nga viti 2014 e deri në fillim të tetorit të këtij viti, vendi është përfshirë nga 943 vatra zjarresh.
2024 rezulton viti më i keq i dekadës së fundit, ku 46 mijë hektarë pyje dhe kullota janë shkrumbuar nga flakët.
“Situata vitin tjetër do jetë njëjtë, në mos më keq!Më shumë zjarre e më shumë dëme prej tyre.” – paralajmëron inxhinieri i pyjeve Abdulla Diku.
“Pa pajisje logjistike, pa mbështetje dhe pa personelin e kualifikuar pyjor, veçse do bëjmë statistikat e dëmeve nga zjarret në pyje.”, argumenton më tej ai.
Për shkak të kapaciteteve të kufizuara për shuarjen e qindra vatrave të zjarrit nga veriu në jug, gjatë muajit korrik dhe gusht të këtij viti Shqipëria aktivizoi dy herë Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile.
Po ashtu, në operacionet kundër zjarreve gjatë verës qeveria aktivizoi forcat dhe mjetet e ushtrisë në të gjithë vendin.
Përfundim
Nisur nga informacionet e mbledhura, premtimin e ish ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi për shtimin e flotës ajrore me dy avionë shumërolësh kundër zjarreve e kategorizojmë si të pambajtur.