Pretendimi: Kjo video tregon se kryeministri izraelit Netanyahu u shpërfill nga presidenti amerikan Trump pas thyerjes së armëpushimit në Palestinë në Mars 2025
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————————-
Rinisja e bombardimit të Rripit të Gazës nga Izraeli më 18 mars 2025 shënon fundin e një armëpushimi të shumëpritur mes Izraelit dhe grupit Hamas, të nënshkruar më 19 janar 2025, për të cilin shumë mbështetës të presidentit amerikan Trump përgëzojnë këtë të fundit.
Në një përpjekje për të pajtuar këtë imazh të Trump si një promovues i paqes me realitetin e bombardimeve që vranë mbi 400 palestinezë në një natë, në rrjete sociale po qarkullon një video që pretendohet se tregon hatërmbetjen e Trump ndaj kryeministrit izraelit Netanyahu.
Sipas përshkrimit që shoqëron videon, në të tregohet një vizitë e Netanyahut në ShBA pas prishjes së armëpushimit në 18 mars. Gjatë kësaj vizite, pretendohet se ai nuk u prit nga askush nga administrata e Donald Trump. Kjo, sipas postimit, “tregon se sa shumë dakort ka qenë Trump me bombardimet e orëve të fundit në Gaza.”
Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është botuar në rrjet që në fillim të shkurtit 2025, mbi një muaj përpara bombardimeve të 18 marsit.
Në fillim të shkurtit 2025, Netanyahu mbërriti në Washington për bisedime me Trump, ndërsa negociatat për fazën e dytë të armëpushimit të Gazës supozohet se do të fillonin.
Marrëveshja e armëpushimit duhet të përfshinte tre faza. Në fazën e parë, e cila përfundoi në fillim të marsit, Hamasi liroi 33 pengje në këmbim që Izraeli të lironte rreth 1900 të burgosur palestinezë dhe të lejonte ndihma dhe mallra të tjera të hyjnë në Rripin e Gazës.
Ndërsa armët ranë në heshtje dhe mijëra njerëz të zhvendosur u kthyen në shtëpitë e tyre, Hamas dhe Izraeli duhet të fillonin negociatat për të filluar fazën e dytë. Një fazë e tretë do të ishte përqendruar eventualisht në rindërtimin e territorit.
Megjithatë, Izraeli nuk pranoi të kalonte në fazën e dytë të marrëveshjes që do të përfshinte një fund të përhershëm të luftës.
Netanyahu kishte kërkuar të zgjaste fazën fillestare të shkëmbimit për të siguruar lirimin e sa më shumë robërve izraelitë pa ofruar asgjë në këmbim ose përmbushur detyrimet ushtarake dhe humanitare të marrëveshjes.
Grupi palestinez Hamas refuzoi të vazhdonte në këto kushte, duke këmbëngulur që Izraeli të respektonte kushtet e armëpushimit dhe të fillonte menjëherë negociatat për fazën e dytë, e cila përfshinte një tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza dhe një ndalim të plotë të luftës.
ShBA dhe Izraeli e kanë cilësuar preferencën e Hamasit për t’iu përmbajtur kushteve të marrëveshjes origjinale të armëpushimit, në vend që të rinegociojnë kushtet e saj, si një “refuzim” për të zgjatur armëpushimin.
Më 10 shkurt, Trump i dha një ultimatum Gazës: nëse Hamasi nuk i liron të gjithë pengjet deri në mesditën e 15 shkurtit, atëherë ai do të bënte thirrje për anulimin e armëpushimit dhe “le të shpërthejë i gjithë ferri”. Ai shtoi se kjo ishte vetëm këshilla e tij, duke thënë se “Izraeli mund ta kapërcejë atë”.
Trump paralajmëroi edhe në fillim të Marsit se palestinezë do “vdisnin” nëse Hamasi nuk lironte pengjet e mbetura. “LIRONI PENGJET TANI, OSE DO TË KETË FERR PËR TË PAGUAR MË MË VONË!” tha ai.
Një zyrtar izraelit tha për Wall Street Journal se Trump i dha Izraelit miratimin pasi Hamasi dështoi të dorëzonte pengjet. Izraeli më pas njoftoi administratën Trump përpara se të kryente sulmin, sipas gazetës.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt konfirmoi se Trump ishte “konsultuar nga izraelitët për sulmet e tyre në Gaza”, tha ajo për Sean Hannity në Fox News.
“Siç e ka bërë të qartë Presidenti Trump, Hamasi, Houthit, Irani, të gjithë ata që kërkojnë të terrorizojnë jo vetëm Izraelin, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të shohin një çmim për të paguar. I gjithë ferri do të çlirohet,” tha Leavitt.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Brian Hughes tha se Hamasi “mund të kishte liruar pengjet për të zgjatur armëpushimin, por në vend të kësaj zgjodhi refuzimin dhe luftën”.
Më 18 mars, ambasadorja amerikane në detyrë në OKB tha se përgjegjësia për rifillimin e luftës në Gaza i takonte “vetëm” Hamasit.