.

.

BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëNë Vorë kanalet kulluese pastrohen pranë autostradës, por jo në brendësi të fshatrave

Në Vorë kanalet kulluese pastrohen pranë autostradës, por jo në brendësi të fshatrave

Pastrimi i kanaleve kulluese vijon të mbetet një problem në Vorë. Faktoje ishte në fshatrat Picar dhe Gjokaj, ku konstatuam se një pjesë e mirë e kanaleve nuk ishin pastruar, duke u kthyer prej vitesh në një shqetësim për banorët. Këta të fundit tregojnë se përmbytjet janë të “zakonshme” për ta, duke shpresuar që çdo vit ky problem do të marrë zgjidhjen e duhur.

……………..

“Ekipet e punës së bashkisë ndodhen në Picar ku po ndërhyjnë në kanalet kulluese, të cilat mund të kthehen në një problem për zonën në raste rreshjesh. Nëpërmjet ndërhyrjes, rruga kryesore, por edhe tokat bujqësore do të jenë më të sigurta. Çdo ditë ekipet e punës së bashkisë ndodhen në terren në zona të ndryshme për të ndërhyrë kudo që është e nevojshme”, njoftonte Bashkia Vorë nëpërmjet një postimi në Facebook më 26 shkurt të këtij viti.

Postimi i Bashkisë Vorë në Facebook

Nisur nga ky zotim, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Vorës, për të mësuar më tepër rreth situatës në këto zona dhe sa të rrezikuar janë banorët nga përmbytjet.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Vorë

Në përgjigjen zyrtare theksohet se pastrimi i kanaleve bëhet çdo dy vjet, duke shtuar se situata është nën kontroll.

“Sistemimi i kanaleve kulluese bëhet çdo dy vite, gjendja aktuale e kanaleve ështe nën kontroll dhe janë pastruar zonat Bërxullë, Gjokaj 1, Picar”, thuhet në përgjigjen e Bashkisë Vorë për Faktoje.

Por si është realisht situata?

Faktoje ishte në Vorë në muajin tetor, për të parë nga afër nëse ishin pastruar kanalet kulluese. Ajo çfarë Faktoje konstatoi është se në fshatin Picar, jo të gjitha kanalet kulluese ishin pastruar. Kanalet që ndodheshin më pranë autostradës Tiranë-Durrës ishin funksionale dhe bashkia ishte kujdesuar që të ishin pastruar, por pjesa tjetër e kanaleve më në brendësi të fshatit, nuk ishte pastruar.

Fshati Picar, në të majtë kanalet kulluese të pastruara, në të djathtë jo

Banorë në fshatin Picar, na konfirmuan se kjo situatë është shqetësuese për ta.

“Në 30 vite janë pastruar maksimumi dy herë kanalet kulluese. Edhe nëse thuhet nga Bashkia që pastrohen më shpesh, të jeni të bindur që nuk është bërë taman puna. Kur nisin shirat ka përmbytje, madje u futet uji në magazinat e firmave që janë këtu”, tha 70-vjeçari, banor i zonës.

Kanalet kulluese në Picar

Një tjetër banor i Picarit na tregon se gjatë shirave, uji i vjen deri te shkallët e shtëpisë. Kjo gjë duket edhe nga shenjat që uji ka lënë rreth e rrotull banesës së tij.

“Kanali këtu ka 15-20 vjet që nuk është pastruar. Kanalet e tjera kanë 7 vjet që nuk janë pastruar. Pjesa nga autostrada është pastruar, pjesa tjetër nuk pastrohet. Mua më vjen uji deri te shkallët e shtëpisë çdo vit”, theksoi ai.

Banesë që përmbytet gjatë periudhës së reshjeve në Picar

Edhe në fshatin Gjokaj situata ishte e njëjtë. Vetëm një pjesë e kanaleve kulluese ishin pastruar.

“Kur bie shi kuptohet që nuk është bërë asgjë”, tha një banor i fshatit Gjokaj për Faktoje.

Kanalet kulluese fshati Gjokaj

Kanalet kulluese fshati Gjokaj

Nisur nga verifikimi në terren dhe shqetësimet e banorëve, këtë premtim të Bashkisë Vorë do ta kategorizojmë gjysmë të mbajtur.

“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img