.

.

BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëNë Shkodër, 60% e territorit pa transport urban

Në Shkodër, 60% e territorit pa transport urban

BEPIN KOLVATAJ

Garantimi i transportit urban në Shkodër, qytetin më të madh të veriut, rezultoi mision i pamundur. Nga një verifikim në terren, Shkodra ka vetëm një linjë qytetëse dhe një në zonat periferike, duke lënë ‘zbuluar’ më shumë se gjysmën e territorit. Përpjekjet për të zgjeruar këtë shërbim pas 2016-s, përfunduan me një konflikt mes kryebashkiakes Ademi dhe administratorit të kompanisë së transportit, që shkoi deri në gjykatë. Edhe sot, qytetarët përballen me kosto të kripura për shkak të mungesës së transportit urban, duke përdorur taksi.


Shkodra është një qytet me shtrirje të madhe gjeografike dhe me një popullsi, që sipas të dhënave të Janarit 2020 nga INSTAT, përllogaritet në 207 mijë banorë. Prej vitesh, shërbimi urban qytetas ofrohet i cunguar dhe banorët e lagjeve të Shkodrës, apo vizitorët që duan të lëvizin nga një zonë në tjetrën, e kanë të pamundur të shfrytëzojnë transportin publik.

Aktualisht, transporti urban ofrohet vetëm në linjën “Bahçallek – Fermetim” dhe anasjelltas në fashat orare 06.00 -14:00 çdo 15 minuta dhe në fashën 14:00-22:00 çdo 20 minuta. Linja përfshin vetëm një pjesë të qytetit, me lagjet Xhabije, Parrucë, sheshi Demokracia dhe Rus, ndërsa pjesa tjetër mbetet tërësisht e pambuluar nga ky shërbim.

Stacion autobusi në afërsi të rektoratit të universitetit

Linja e dytë është ajo jashtqytetase “Qendër-Shirokë-Zogaj-Qendër”, në pikat turistike të brigjeve të liqenit dhe funksionon, për nisjen në fashat orare: 06:15; 07:30; 12:30; 13:30 dhe kthimi: 06:45; 06:30;13:30;14:30.

Tabela informuese e linjave, sheshi Parrucë

muajin shkurt të vitit 2018, bashkia Shkodër vendosi të nisë procedurat e përzgjedhjes me konkurs të hapur të subjekteve kandidate për të operuar në linjën qytetase të trasportit urban. Përveç atyre ekzistuese, u parashikuan si linja të reja edhe: Kiras-Stacioni i Trenit –Kiras;  Shërbimi Urban në Unazë dhe Qendër – Tregu i Shumicës së Fruta Perimeve. Meqënëse në thirrjen e parë nuk pati interes, ajo u ripërsërit edhe në muajin maj të po atij  viti, por sërish mbeti pa ofertues. Për pasojë qyteti i Shkodrës mbetet i pambuluar me transport urban në thuajse 60% të territorit të vet.

Përpara 2015-s në Shkodër u zbatua zgjerimi i linjave të autobusëve ku u shtua lidhja e lagjeve Kiras – Stacion i Trenit, por ajo shërbeu si fazë eksperimentale disamujore dhe më pas u ndërpre.

“Eshtë e pamundur që linja të mbahet në funksion, kur gjatë gjithë ditës numri i qytetarëve që lëvizin është i ulët dhe nuk arrijmë të mbulojmë as kostot e karburantit, amortizimin e mjetit dhe personelin. Në këtë kushte, pas fazës testuese, linja do të ndërpritet për shkak të mungesës së udhëtareve.”-tha  përgjegjësi i kompanisë që testoi zgjerimin e linjave për transportin urban,  Afrim Dervishi. Një vit më vonë, në 2016-n, kompania pezulloi ofrimin e shërbimit.

Kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi, në këto kushte, kërkoi të ndërhyhet edhe për shkak të pakënaqësive të vazhdueshme nga qytetarët për shërbimin urban, por edhe nga kompania për pengesat e hasura.

Në hartimin e projekt-buxhetit të vitit 2017, transportit urban iu kushtua një zë i veçantë. Janë 10 milion e 943 mijë e 120 lekë që u parashikuan për: “Projektet dhe aktivitetet e planifikuara për: “Projektet dhe aktivitetet e planifikuara për Transport Publik dhe Levizshmeri. Nga kjo shumë bashkia Shkoder liston si realizim vetëm 10 milion e 737 mije e 520 leke.

“Gjatë vitit 2017 sa i përkët zërit të Transportit Publik vendor ne hapëm procesin e konkurimit për operatorët konkurues në 5 linja me orare dhe frekuenca të miratuara:

  • Bahçallëk-Fermentim-Bahçallëk
  • Qendër–Shirokë–Zogaj
  • Kiras-Stacioni Trenit-Kiras
  • Shërbimi urban në unazë
  • Sheshi Demokracia(shatrivani)-Tregu i shumicës

Gjithashtu në kuadër të politikave sociale u bë subvencionimi për kategoritë nxënës dhe studentë, ku Bashkia mbuloi diferencën e çmimit të biletës dhe abonenti ka paguar vetëm diferencën sipas tarifave të miratuara me VKB. U monitorua zbatimi i frekuencave, orareve, vendqëndrimeve, në përputhje me kontratat e nënshkruara me operatorët, për secilën linjë. Në këtë periudhë u kryen edhe investime në sinjalistikën e vendosur pranë stacioneve të urbanëve, u bë blerja e disa pika të pritjes së udhëtareve. Vetëm një zë i vogël i buxhetit nuk u realizua, në masën 2%”, thotë Përgjegjësi i transportit, mobilitetit dhe Sinjalistikës pranë Bashkisë Shkodër Vildan Meraja.

 Tabela e programit buxhetor të vitit 2017

Tabela e programit buxhetor të vitit 2018

Tabela e programit buxhetor të vitit 2019

Tabela e programit buxhetor të vitit 2020

“Gjatë këtij viti në kuadër të politikave sociale, është parashikuar subvencionimi për rreth 400 nxënës, studentë, ku Bashkia mbulon diferencën e çmimit të biletës prej 600 lekësh në muaj dhe abonenti paguan vetëm 600 lekë nga vlera totale prej 1200 lek e abonese së përgjithshme. Monitorimi për zbatimin e frekuencave, orareve, vendqëndrimeve, në përputhje me kontratat e nënshkruara me operatorët, për realizmin e shërbimit, do të bëhet nga sektori përkatës në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, ndjekjes së Investimeve dhe Infrastrukturës, Njësive Administrative dhe Policisë Bashkiake. Dhënia e subvencioneve për diferencën e çmimit të biletës, do të monitorohet nga Drejtoria e Shërbimeve Publike ndjekjes së Investimeve dhe Infrastrukturës dhe Drejtoria e Financës.”- shkruhet në projektbuxhetin e vitit 2017.

Viti 2017

  • Integrimi i rrjetit të shërbimit të transportit urban me njësitë administrative të bashkisë.
  • Planifikimi i linjave të shërbimit transportit publik urban në kuadër të ndarjes së re administrative.
  • Hartimi dhe pregatitja e proçedurave të konkursit të ri të shërbimit urban. .
  • Ngritja e stacioneve të shërbimit rrethqytetës në vendet e miratuara
  • Shtrirja e shërbimit urban duke mbuluar të gjitha skajet e qytetit si dhe lidhjen me linjat rrethqytetëse me njësitë administrative.
  • Në bashëkpunim me Policine Bashkiake dhe Drejtorinë e të Ardhurave të realizohet monitorimi i shërbimit urban dhe linjave rrethqytetëse

Paralelisht Bashkia Shkodër vendosi edhe disa objektiva për dy vitet në vazhdim, 2018 – 2019.

Viti 2018

  • Organizimi i shërbimit të transportit të udhëtarëve nga një qendër e vetme (terminal) të mjeteve ndërqytetëse dhe ndërkombëtare.
  • Lehtësim i trafikut të brendshëm në qytet nga mjetet e udhëtarëve ndërqytetëse, rrethqytetëse dhe ndërkombëtare.
  • Në bashkëpunim me policinë bashkiake dhe drejtorine e të ardhurave të monitorohet shërbimi urban dhe rrethqytetas.

 Viti 2019

  • Studimi i linjave të shërbimit urban duke rritur shërbimin në funksion të ndryshimeve infrastrukturore të qytetit.
  • Shtimi i linjave të transportit brenda njësive administrative duke lidhur fshatrat me qendrën administrative
  • Shtimi i linjave të transportit sipas një studimi ndërmjet njësive administrative.
  • Rritja cilësore e shërbimit urban duke e bërë të preferuar nga qytetarët, në mënyrë që të zvogëlohet lëvizja me automjetet private
  • Rritja e kontrollit të transportit në bashkëpunim me policinë bashkiake dhe drejtorine e të ardhurave

Në letër, këto pika i jepnin zgjidhje ofrimit të transportit urban duke parashikuar edhe përmirësimin e cilësisë së këtij shërbimi, por në realitet ato vijojnë të mos gjejnë zbatim. Madje në vitin 2019, situata shkoi deri në atë pikë sa kompania që ofron shërbimin dhe bashkia e Shkodrës të përfundonin në gjykatë. Voltana Ademi e paditi për shpifje administratorin e linjës private të transportit urban Afrim Dervishi.

“Në portal kam shkruar çdo gjë që janë të mangëta në Shkodër, për stacionet për furgonat që hynë në qendër të qytetit për mosdhënien e boneve të studentit, për mos dhënien e pagesave të invalidëve. Nuk e kam akuzuar për ryshfet, por për keqmenaxhim të tenderit dhe se nuk duhet të presë që do të paguajë ryshfet. Licencën e kam për 10 vjet, shërbimi publik është skandal.”-tha Dervishi pasi u padit nga kryebashkiakja.

Përtej këtij konflikti, qytetarët e Shkodrës, vazhdojnë të vuajnë mungesën e transportit në më shumë se gjysmën e territorit, të qytetit më të madh verior. Më të prekurit nga mungesa e këtij shërbimi, janë të moshuarit, nxënësit e shkollave dhe mësuesit, apo ata që i drejtohen vendit të punës me mjete alternative si taksi, makina private, biçikletë apo në këmbë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img